‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Arratisja nga liria

7 Prill, 2020 - 8:30 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja. Rekomandimi për sonte është libri “Arratisja nga liria” me autorin Erich Fromm.

Libri flet për zhvillimet politike dhe rreziqet që ato përmbajnë për fitoret e shumta të qytetërimit modern, lipset të na përqëndrojnë mbi një aspekt që është thelbësor për krizën kulturore dhe sociale të kohës sonë: kuptimi i lirisë për njeriun modern.

Njësia themelore e procesit shoqëroro është individi, dëshirat dhe frika e tij, arsyeja dhe pasionet e tij, prirja e tij dnaj së mirës dhe së keqes. Për të kuptuar dinamikën e procesit social duhet të kuptojmë dinamikën e proceseve psikologjike që ndodhin tek individi, ndaj atë duhet ta shikojmë në kontekstin e kulturës që e plazmon.

Teza e këtij libri është se njeriu modern, i çliruar nga shtrëngesat e shoqërisë para – individualiste, e cila në të njëjtën kohë i jep sigurinë dhe e kufizon, nuk e ka arritur lirinë në kuptimin pozitiv të realizimit të qenies së vet, dmth në shprehjen e mundësive të tij intelektuale emotive dhe ndjesore.

Megjithatë, i etur për pavarësinë dhe arsyen, liria e ka bërë të izoluar dhe shpesh të ankthshëm dhe të pafuqishëm. Ky izolim është i patolerueshëm dhe alternativa që i paraqitet njeriut është si më poshtë: ose të largohet nga perla e kësaj lirie drejt një marrëzie dhe nënshtrimi të ri, ose të përparojë drejt realizimit të plotë të lirisë pozitive që bazohet në unicitetin dhe individualitetin e njeriut.

Megjithëse, ky libër është më shumë një diagnozë se sa prognozë – më shumë një analizë se sa një zgjidhje – rezultatet e parashtruara në të mund të ndikojnë mbi veprimet tona të ardhshme. Në fakt, kuptimi i motiveve të braktisjes totalitare të lirisë, përbën hyrjen e çdo veprimi që synon fitoren ndaj forcave totalitare.

Të ngjajshme