‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Dashnori’

24 Mars, 2020 - 8:30 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Margerit Dyras është padyshim një nga emrat më të rëndësishëm në letërsinë franceze dhe botërore. Lindi në vitin 1914. Me t’u shpërngulur në Paris ajo u diplomua në letërsi dhe drejtësi, ku punoi si sekretare në Departamentin e Kolonive. Ishte noveliste, dramaturge, eseiste dhe skenariste e shquar.

Dyras bënte një jetë interesante, duke dashur të jetë e lirë dhe të bëj artin që ajo e ndiente. Nëpër kafenetë e Parisit, ku ajo rrinte dhe shkruante, do të krijohen qindra histori dashurie të Dyrasit me artistë të ndryshëm. Edhe letërsia e saj ndjek këto tema, dashurinë dhe lirinë.

Kur hyri në letërsi, pra, kur debutoi me librat e saj, Dyras erdhi si një uragan në botën e letrave.

Romani i saj “Dashnori” është konsideruar si kryevepra e saj. Për këtë roman ajo arriti të fitoi çmimin e madh letrar “Prix Goncourt” dhe më pas romani u përkthye në shumë gjuhë të botës, në mbi 40 gjuhë.

Kur përpilohen listat e librave më të lexuar, apo kur përpilohen lista që sugjerojnë libra të vlefshëm për t’i lexuar, romani “Dashnori” nuk mungon asnjëherë. Madje, ai përveçse në Evropë ishte bestseller edhe në Amerikë.

Dyras arrin të krijojë personazhe që çdoherë përpiqen t’i ikin vetmisë, që orvaten t’i japin kuptim jetëve të tyre nëpërmjet dashurisë, madje krimit dhe çmendurisë. Historitë që ajo krijon janë kryesisht rrëfime të shkurtra, me personazhe interesante, me shumë emra të vendeve, me dialogë e situata që nganjëherë përsëriten, duke krijuar kështu një atmosferë vetëreferencialiteti.

Në romanin “Dashnori” kemi të bëjmë me një dashuri klandestine midis një vajze të re nga një familje franceze dhe një burri të vjetër, të pasur, me origjinë kineze-vietnameze.

Vajza 15-vjeçare po udhëtonte me traget gjersa po kthehej me familjen e saj nga pushimet, ajo tërheq vëmendjen e këtij biznesmeni të pasur me një trashëgimi të një pasurie të madhe.

Kështu, ajo bëhet dashnorja e tij, por me mosmiratimin e të atit për lidhjen të cilën ajo do ta ndërpresë. Ajo nuk ka asnjë dyshim në dashurinë e saj ndaj tij, me gjithë sinqeritetin, por megjithatë kjo lidhje përfundon.

Në këtë roman, pasqyrohet ndoshta më së miri arti i kësaj shkrimtareje të talentuar të letërsisë moderne. Ajo u vlerësua për stilin e bukur prozaik, si dhe për stilin pikant dhe të thjeshtë. Në shumë prej romaneve të saj ka shenja autobiografike, sikurse te “Dashnori”, ku vihen në skenë dëshirat nga njëra anë dhe dashuria si “iluzion i paharruar”.

Pra, romani “Dashnori” nuk është thjeshtë një roman sentimental, por ai është edhe një rikthim në të kaluarën e autores.

Deri më tani një pjesë e krijimtarisë së saj është përkthyer edhe në shqip. Romanin “Dashnori” e ka sjellë përkthyesi Nasi Lera, ndaj jua rekomandojmë që ta lexoni këtë kryevepër që hynë në panteonin e letërsisë botërore. /KultPlus.com

FRANCE – CIRCA 1955: Marguerite Duras (Photo by Robert DOISNEAU/Gamma-Rapho/Getty Images)

Të ngjajshme