‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: I humburi

6 Prill, 2020 - 8:30 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja. Rekomandimi për sonte është romani “I humburi” me autor Fatos Kongoli.

Romani hapet me përshkrimin e ikjes së mijëra shqiptarëve, në mars të vitit 1991, nga Shqipëria. Ikje jo aq nga rreziku i persekutimit policor, ngase regjimi totalitar ishte në shembje e sipër, sa nga vendi ku ishin shtresëzuar pasojat e sundimit të këtij regjimi. Ikje prej gjurmëve dhe shenjave që mund të rikujtonin tmerrin e sundimit totalitar kah një botë imagjinare e bollëkut dhe lumturisë.

Në këtë roman janë fare të rralla fjalët që do të sygjeronin drejtpërsëdrejti kontekstin politik apo natyrën e regjimit politik brenda të cilit çojnë jetën personazhet. Autori arrin të vërë në pah, me mjete letrare, atë që shquan botën e personazheve të tij. Njeri nga këto mjete ka të bëjë me figurat e ndryshme të kafshës dhe lidhjet e tyre me trajtat e vdekjes që shpalosen në këtë roman.

Romani ‘I humburi’ është një pasqyrë e qartë dhe tronditëse e shoqërisë autoritare, tiranike, e deri edhe jo-njerëzore në Shqipërinë komuniste. Më shumë se një tregim për një shoqëri të caktuar, ky rrëfim ilustron se si funksionon një shoqëri e cila ekzistencën e saj e bazon në frikë dhe bindje, një analizë e tillë vlen për të gjitha kohërat e për të gjitha shoqëritë. Pushteti dhe mekanizmat e tij janë të pranishëm në një formë apo tjetrën, herë më të drejtpërdrejtë, e herë i fshehur nëpërmjet mekanizmave mbrojtës.

Vepra në fjalë kumton rrezikun që i kanoset njeriut nga sisteme të tilla të bazuara në bindje dhe autoritet. Nëpërmjet personazheve autori përshkruan të gjithë mekanizmat e një shoqërie të tillë. Të gjithë personazhet së bashku ndërtojnë mozaikun e tmerrshëm. Secili është në vendin e tij apo saj. Autori me kujdes i zbërthen personazhet dhe na mundëson të njohim në thelb ekzistencën e shoqërive autoritare, të cilat në fjalorin e Karl Popperit mund të kishin edhe elemente tribale-fisnore.

Në shoqëri të tilla, të gjithë kanë vetëm një qëllim-pushtetin, por pushteti  është i verbër. Për disa bëhet mjet për të fshehur neurozat dhe për disa bëhet kuptimi i ekzistencës. Ata më të dobëtit, ata që nuk kanë pushtet, shndërrohen në objekt për t’i kënaqur egot dhe për të mbytur ekzistencën e atyre që fshihen pas pushtetit. Të rrallë janë ata që mund t’i bëjnë ballë joshjes së pushtetit.

Të ngjajshme