‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Kandidati

19 Prill, 2020 - 8:27 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja. Rekomandimi për sonte është “Kandidati” nga Ben Blushi.

Romani, i cili është shkruar në një kohë rekord, kërkon të vizatojë me fantazi, cinizëm dhe stil Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona, të cilën ai e njeh mirë.

Ngjarjet e romanit të ri zhvillohen në sfondin e një palë zgjedhjeve ku personazhi kryesor, megjithëse i vdekur, arrin të zgjidhet kryetar Bashkie. Kandidati quhet Kadim Sedini dhe konkurron për kryetar Bashkie në qytetin e Basenit.

Po kush është Kadim Sedini tek libri i ri i Blushit? Ai quhet Kadim Sedini dhe emri i tij ngjan shumë me atë të Qazim Sejdinit, që rifitoi Bashkinë e Elbasanit, ku Blushi është deputet.

Por ajo me të cilën pritet të surprizojë libri i Blushit është se lexuesit do të gjejnë aty ngjashmëri me shumë nga personazhet realë të jetës politike dhe gazetarisë së sotme.

Në subjektin e Blushit, zgjedhjet në Basen marrin një kthesë të papritur për shkak të rihapjes së historisë së një kolaboracionisti të pushtimit gjerman, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila përdoret si justifikim për të shkaktuar rrëmujë dhe trazira në qytet. Si dhe tre romanet e mëparshme, edhe “Kandidati” pritet të provokojë debatin politik për shkak se subjekti është marrë nga politika shqiptare, të cilën autori e tregon me të gjitha dritëhijet e saj përmes një gjuhe letrare, për të cilën Ben Blushi ka treguar se nuk ka munguar asnjëherë.

Të fundit

Të ngjajshme