‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Lolita

20 Mars, 2020 - 8:28 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë romanin ‘Lolita’ të autorit të njohur rus Vladimir Nabokov.

Nabokov ka shkruar edhe shumë vepra të tjera, disa në gjuhën e tij amtare disa të tjera në anglisht, mirëpo u bë i njohur më së shumti përmes romanit ‘Lolita’.

‘Lolita’ si një roman që la gjurmë të mëdha në historinë e letërsisë botërore ka një histori mjaft interesante të rrugëtimit të tij si roman, nga shtëpia botuese e deri tek dora e lexuesit. Nabokov ishte profesor universiteti kur e shkroi këtë vepër dhe botimi i tij mund t’i kushtonte atij me humbje të punës, e refuzuan disa shtëpi botuese duke e konsideruar si një vepër që mund të fuste në burg të gjithë ata që kishin gisht në botimin e saj, e quanin një ”sahat bomb”. Mirëpo, një botues tjetër e hetoi se kjo vepër i përket një rangu mjaft të lart të letërsisë dhe vendosi që t’a botojë atë.

‘Lolita’ në vete ngërthen një ngjarje tejet delikate dhe të ndjeshme për secilin që e lexon, të lë me shumë pikëpyetje për veten dhe botën, dhe mjeshtëria e autorit vërehet qartazi në ndërtimin e secilit personazh, duke hutuar vazhdimisht lexuesin se kush në të vërtetë bart peshën e fajit për ndodhinë që trajtohet në roman.

Humbert Humberti, personazhi kryesor në këtë vepër, ndeshet me tre ciklet e jetës, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke e vendosur dashurinë apo obsesionin e tij në qendër të këtyre tre cikleve. Ndërsa në anën tjetër, Lolita, një vajzë bota e së cilës funskionon vetëm përmes lojës, deri në momentin kur ajo e kupton se jo gjithçka është një lojë.

Në botën e letërsisë akoma vazhdon e diskutohet rëndësia që ky roman ka. Një roman që flet për një dashuri aq të madhe, të magjishme deri në shqetësim e deri në neveri. Një roman që hedh një dritë më ndryshe mbi çrregullimet seksuale, mbi dashurinë dhe mbi obsesionin.

Prandaj, për të bërë një hap më shumë drejt njohjes së vetvetes, njohjes së botës reale dhe asaj psikanalitike, fillojeni leximin e këtij romani i cili do t’iu rrëmbej pas vetes që nga faqja e para e deri tek fjalët e fundit, duke lënë kështu një shenjë të madhe në botën e secilit prej jush. / KultPlus.com

Të ngjajshme