‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Një mijë diej vezullues

13 Prill, 2020 - 8:28 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Për sonte, KultPlus ka zgjedhur një roman tashmë të njohur për publikun, mirëpo që vlen të lexohet e rilexohet qindra herë, për arsye të ndryshme të cilat do të përmenden në vijim.

Khaled Hosseini, debutoi fuqishëm në botën e letërsisë me romanin e tij ‘Gjuetari i balonave’, për të vazhduar më pas me romanin ‘Një mijë diej vezullues’ që bashkë me ‘Gjuetarin e balonave’, lanë gjurmë të mëdha në botën e letërsisë dhe jo vetëm.

‘Një miej diej vezullues’, vë fokusin më të madh në botën e gruas, në një botë ku ajo shkelet e diskriminohet, për t’u ndjekur pothuajse gjatë gjithë jetës nga një fat tragjik.

Mariami, që është edhe protagonistja kyqe në roman, është fëmijë jashtëmartesor dhe vuan edhe si fëmijë duke u rritur në një barakë të një fshati të largët, por edhe nga abuzimet e vazhdueshme pas martesës. Laila, e lindur një gjeneratë më pas, është relativisht e privilegjuar në rini, derisa fatet e tyre ndërlidhen kur ajo detyrohet ta pranojë propozimin për martesë që ia bën Rashidi, burri i Mariamit.

Ndër të tjera ngjarjet e këtij romani ndodhin në një periudhë prej 30-të vitesh, ku shpaloset edhe historia e Afganistanit, duke u trajtuar fati i një familjeje, i një miqësie e një besimi që gjen forcë e jetoëson me dashurinë dhe njerëzoren.

‘Shumë nga ne mësuan dhe shijuan mjaft nga “Gjuetari i balonave”. Ka edhe më shumë për të mësuar e shijuar nga “Një mijë diej vezullues”. I fuqishëm, i shkëlqyer, tronditës.’, thuhej në kritikën e The Washington Post Book World

‘Një mijë diej vezullues’ na mëson shumë mbi jetën, mbi vlerën e gjërave më të rëndësishme të jetës si dashuria, besimi dhe miqësia.

Një roman tek i cili është e pamundur të mos gjejmë një pjesë të vetvetes, apo të mos njohim vetveten më mirë pas përfundimit të tij. Një roman që nuk duhet humbur asesi. / KultPlus.com

Të ngjajshme