‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Republika

20 Prill, 2020 - 8:30 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja. Rekomandimi për sonte është libri “Republika” me autor Platoni.

“Republika” është vepër e shkruar në formën e dialogut sokratik nga Platoni rreth vitit 380 p.e.s. dhe flet mbi drejtësinë, rregullat dhe karakteristikat e një qytet-shteti të drejtë dhe të njeriut të drejtë. Është vepra më e njohur e Platonit dhe ka vërtetuar që është një nga veprat më me vlerë filozofike dhe politike.

Në këtë dialog, Sokrati diskuton me qytetarë të ndryshëm të Athinës mbi kuptimin e drejtësisë dhe nëse një njeri i drejtë është më i lumtur sesa një njeri i padrejtë. Ata konsiderojnë natyrën e sistemeve të ndryshme politike dhe më tej propozojnë një sërë qytetesh tjera hipotetikë, që kulminojnë me Kallipolis, një qytet-shtet që drejtohet nga një mbret filozof. Përveç kësaj, diskutohet teoria e formave, pavdekshmëria e shpirtit dhe roli i filozofisë në poezi dhe shoqëri.

Një nga temat më interesante që trajtohen gjatë veprës është principi i specializmit, pasi Platoni, në vend që ta definojë drejtësinë si norma të ndryshme sjelljeje, e identifikon atë si një lloj strukture: drejtësia politike qëndron në strukturën e qytetit; drejtësia individuale qëndron në strukturën e shpirtit. Struktura e drejtë e qytetit përmblidhet me principin e specializimit: çdo pjesëtar i shoqërisë duhet ta luajë rolin për të cilën natyra e tij është më e mirë dhe nuk duhet të përzihet në punë tjera.

Një njeri natyra e të cilit më mirë i përshtatet bujqësisë, duhet të jetë bujk. Platoni beson se kjo është mënyra e vetme për të arritur që ta bëjmë një punë mirë dhe me sa më shumë efikasitet. Principi i specializimit e ndan shoqërinë në tri shtresa: shtresa e prodhuesve (bujqit, artizanët, mjekët etj.); shtresa e luftëtarëve dhe rojtarëve; dhe shresa e sunduesve. Specializimi lejon që këto tri shtresa të mbesin të sigurta dhe të fuqishme në pozitat e tyre.

Sipas Platonit, një qytet i ndërtuar në këtë mënyrë, është një qytet i drejtë. Mirëpo, kjo është diçka që duhet të shqyrtohet dhe nga lexuesi, andaj mos e humbni këtë libër dhe lexim të këndshëm.

Të ngjajshme