‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: “Unë jam e kuqja”

30 Mars, 2020 - 8:28 pm

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Këtë mbrëmje, KultPlus u rekomandon librin e autorit turk, Orhan Pamuk, “Unë jam e kuqja”.

Romani “Unë jam e kuqja” është shkruar më 1998, vepër kjo e cila do t’i jepte autorin çmimin Nobel në letërsi në vitin 2006.

Një grup i zgjedhur miniaturistësh të oborrit të Sulltan Muratit III, janë ngarkuar të përgatisin librin që i plotpushtetshmi i Lindjes do t’ia bëjë dhuratë një të plotpushtetshmi në Perëndim. Libri duhet të shprehë fuqinë e perandorisë dhe forcën e miniaturës orientale për ta dhënë atë. Gjithçka është diskrete, por në punën e drejtuar nga Enishte Efendi ka diçka ndryshe nga e zakonshmja e miniaturës së asaj kohe, ajo po kërkon të ndryshojë, të marrë detaje të reja të panjohura dhe t’u përqaset elementeve perëndimorë të pikturimit, veçanërisht të Rilindjes italiane.

Të dyja format e artit janë të arrira, të dyja kahet janë perfekte. Gjë që i vendos palët në mëdyshje. Presioni ndaj tyre është i madh. Fillon karavani i kundërshtisë së heshtur, miniaturistët vriten njëri pas tjetrin dhe të tjerët pas tyre janë të kërcënuar duke bërë kështu, që të ngrihet gjithçka në pikëpyetje. Simbolet e përdorura mjeshtërisht nga Pamuk e mbajnë dramën gjer në fund, bashkë me një linjë dashurie të Zezit dhe Shekures, personazhit më fin të romanit, që mban peshën e saj në bartjen e këtyre simbloleve. Unë jam e kuqja është një mister vrasjeje, por edhe një meditim për dashurinë dhe dovotshmërinë artistike.

Orhan Pamuk nuk mban anë kur shkruan nën presionin e të dyja anëve, por mban qëndrim. Përplasja e kulturave në Turqi është çështje kryesore. Ai nuk zgjedh njërën apo tjetrën palë të favorizojë por përplasjen e tyre.

Vepra është e ndarë në 59 kapituj dhe ngjarjet janë të vendosura në qytetin e Stambollit në fund të shekullit të 16 (viti 1591) në perandorinë e Sulltan Murati 3 gjatë dimrit.

Tregimi nis me të vrarin i cili rrëfen nga kënveshtrimi i tij ngjarjen sesi u vra dhe përfundoi në fund të një pusi nga vrasësi i tij, veprim i kryer për të humbur gjurmët. Eleganti nuk na tregon se cili është ky vrasës, por ai e lë në dorë të lexuesit për ta zbuluar në vijim.

Të ngjajshme