“Lonely Planet” ia prezanton botës Patrikanën e Pejës si të rrezikuar

19 Prill, 2019 - 2:21 pm

“Patrikana e Pejës në Kosovë, vetëm një prej monumenteve mesjetare që nuk e ka mbrojtjen ligjore e konservimin e duhur”, është përshkrimi që ia ka bërë të enjten, kompania e njohur australiane “Lonely Planet”.

Ky botues i njohur guidash turistike, pikërisht në Ditën Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve, e ka përfshirë atë në listën e dhjetë monumenteve që janë në rrezik, shkruan sot “Koha Ditore”. Përshkrimi për Patrikanës së Pejës, e cila që prej vitit 2006 është në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik të UNESCO-s është bërë nën një fotografi që paraqet hapësirat e brendshme të monumentit.

Lista e “Lonely Planet”, e cila që prej vitit 2011 kur u themelua ka një qarkullim prej 120 milionë librash të shitura titullohet “Dhjetë vende mahnitëse të trashëgimisë botërore që janë në rrezik”.

Me këtë lajm ndërkombëtar, të enjten e ka nisur ditën kur edhe është shënuar Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve, e shpallur qysh nga viti 1983 nga Asambleja e përgjithshme e UNESCO-s pas propozimit të Këshillit Ndërkombëtar të Monumenteve dhe Lokaliteteve më 1982.

Patrikana e Pejës nuk është bërë të enjten lajm ndërkombëtar. Shteti i Kosovës nuk ia ka dalë ta rikthejë Patrikanën e Pejës në gjendjen që ka pasur para ndërhyrjeve që i janë bërë prej vitit 2006 deri në 2008, shkruan koha.net

Kur iu ndërrua krejt pamja, pasi u ngjyros në të kuqe, institucionet asokohe kishin premtuar se do të bëjnë çmos që monumenti të kthehet në gjendjen e mëparshme. Por kjo ka mbetur veç premtim. Në fillim të vitit 2009 një delegacion i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), do ta vizitonte këtë monument. Një gjë e tillë u bë dy vjet pasi monumenti u rrethua me mur 3 metra të lartë.

“Me një kërkesë të mjegullt brenda natës peshkopi i Kishës Ortodokse serbe, Artemie, lejoi që kompleksi i kështjellave të shekullit XIV të ngjyroset në të kuqe”, kishte shkruar e përditshmja austriake “Die Presse”. E përditshmja gjermane “Die Welt” e kishte cilësuar intervenimin si “Skandal kulturor”. “S’kam çka flas me ju. Fasadimi është bërë me leje të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të shtetit të Serbisë”, i kishte thënë asokohe gazetës murgesha Dobrila Bozhoviq, që prezantohej si administratore e monumentit. Në mars të vitit 2014, Dardan Gashi, asokohe ministër i Ambientit dhe i Planifikimit Hapësinor, tash zëvendëskryeministër i Kosovës e ministër i Diasporës, kishte riaktualizuar këtë çështje duke iu drejtuar me një kërkesë UNESCO-s lidhur me ndërhyrjet që i janë bërë objektit mesjetar.

UNESCO-ja nuk kishte dhënë leje për ndërhyrje në objektin të cilin më 2006 e mori nën mbrojtje si monument të Serbisë bashkë me tre të tjerë. Për monumentin në Kosovë, i cili është në listën e monumenteve në mbrojtje të përkohshme, leje dha Enti i Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, të enjten nuk e ka komentuar për gazetën listën e “Lonely Planet”./ KultPlus.com

Të ngjajshme