займ на карту онлайн потребительский кредит

Lorik Sylejmani publikon “Kompleksi i kauçit”: Kritikat dhe dituritë e botës i japim nga kauçi

25 Nëntor, 2020 - 12:45 pm

Medina Pasoma

Komunikimi përtej të qenurit një proces i kuptimit, ai është edhe formues i pikëpamjeve tona. Mirëpo, përbrenda këtyre cikël-proceseve, nuk janë të rralla paragjykimet, keqkuptimet madje edhe akuzimet. Pikërisht këtyre temave, Lorik Sylejmani i ka bërë vend në librin e tij të dytë “Kompleksi i Kauçit”, shkruan KultPlus.

Pas rrugëtimit të artistit vizuel dhe gazetarit, Sylejmani me veprën e tij të parë “Sallatë dhe çalldisje”, tanimë kishte ardhur koha për një aventurë të re shkrimesh. Skenarin të cilin e shkroi për film, ai vendosi ta kthej në roman, duke e sjellë përpara publikut romanin “Kompleksi i Kauçit”.

Loriku ndau me KultPlus të gjitha detajet deri në dritëdalje të veprës së tij, i cili u shpreh se kishte punuar gjatë në filmin e dikurshëm që emërtohej “Film me ngjyra”. Mirëpo, koha dhe kostoja që i merrte ky medium artistike e bëri që ta ndërroj rrjedhën e planifikimeve.

“Vendosa t’i rikthehem idesë që më lindi dy vite më parë, ta kthej në roman skenarin dhe ja ku e kemi librin sot”, nis të rrëfen historinë e “Kompleksi i Kauçit”.

I interesuar për komunikimin dhe mënyrën se si njerëzit bashkëveprojnë nëpërmjet saj, Loriku vendosi që pikërisht këtë temë ta bart në letër.

“Jemi rritë në një shoqëri ku respekti dhe kujdesi ndaj njëri tjetrit, dekada më parë, qoftë në rrethin e ngushtë por, edhe atë të gjerë ka qenë maksimal. Me kalimin e kohës dhe me zhvillimin global teknologjik, të cilit nuk kishim nga ti iknim edhe ne, pa dyshim, edhe ne si shoqëri u tjetërsuam”, vlerëson Sylejmani.

Këto ishin arsyet që na bën të ndërrojmë format e komunikimit përbrenda shoqërisë sipas tij, ndërkohë që ai mendon se ka përmirësime në aspektin pozitiv.

“Si rrjedhojë, sado pak edhe niveli jonë i komunikimit arriti një nivel më të lartë, pak a shumë më të avancuar. Më asgjë nuk është e njëjtë apo siç ka qenë”, shprehet Lorik Sylejmani.

Përderisa libri ka buruar nga shoqëria, nëpërmjet vrojtimit të tij të përditshëm të komunikimit, botës virtuale, mediave dhe diskursit të të gjitha këtyre; edhe emërtimi simbolik ka lindur nga këto hallka.

“Jemi një popull që dimë çdo gjë. E në të vërtetë nuk e di a prodhojmë së paku gjilpëra. Ironia është se dimë rrethanorët e shpikjes së qelizës e deri tek fluturaket kozmike”, nis ai e sqaron arsyen e “Kompleksi i kauçit”.

Në anën tjetër, tërë këtë pasivitet të shoqërisë ai e ironizon duke i thënë “gjenialitet”, e që ndërkohë tregon se nga ka ardhur ky fenomen:

“Mirëpo, a e dini se ku na lind ky gjenialitet? Nga kauçi, bile as nuk ulemi mirë, por qëndrojmë të shtrirë dhe kritikat dhe dituritë e botës i japim nga ai vend, disi i shenjtë për ne. Sallë një konglomerat kompleksesh, mos të them neveritëse”.

“Kompleksi i kauçit” i cili e trajton komunikimin e shoqërisë, padyshim që është i lidhur ngushtë me realitetin. Përbrenda librit kanë zënë vend edhe bisedat të cilat autori ka pasur rastin t’i bëj gjatë jetës së tij.

Ai nis ta shpjegon këtë pjesëmarrje të realitetit duke thënë se letërsia përgjatë historisë, e sidomos në periudhat moderne dhe postmoderne, individi është protagonist dhe rojtar i mendimit të tij, teksa narracioni personal është qershia mbi tortë për lexuesin, autocenzura nuk ekziston fare.

“E njëjta gjë ndodhë edhe në romanin tim. Kam provokuar tema duke folur me miq nëpër rrjetet sociale, i kam ngacmuar për tema të zgjedhura, i kam pyetur të më tregojnë një pjesë nga përvojat e tyre, më pas i kam redaktuar, kam hequr pjesë të bisedave, i kam modifikuar, u kam dhënë edhe më shumë pjesë nga përvoja personale”, sqaron Sylejmani.

Ai një kujdes të veçantë përbrenda romanit të tij i ka kushtuar dialogjeve.

“Asgjë në roman nuk është e trilluar. Fije e për pe është përvoja ime në komunikim mes miqsh dhe egos sime”, shprehet Lorik Sylejmani.

Ndërkaq përbrenda këtyre bisedave dhe realiteteve të shprehura nga lapsi i tij, ka edhe erotizëm.

“Ka qenë interesante për mua të dëgjoja biseda nga më perverset nga miqtë e mi, kolegët në moshë, të cilët tregonin edhe bizaritete. Diçka nga secila nga këto, të mbështjella artistikisht dhe duke mos kaluar banalitetin janë shpalosur në pjesën e tretë të romanit”, thekson autori.

Në anën tjetër, ai vlerëson se erotika ka qenë pjesë e përditshmërisë sonë “të fshehur” si shoqëri, teksa në publik kemi aktruar kinse këto nuk ekzistojnë fare.

“Projeksioni i një far puritanizmi karshi njëri tjetrit, për mua është neveritës. Mos të them kalon shkallën e neverisë. Të gjithë flasim kokë më kokë për shfrenimet dhe dëshirat seksuale, ofendojmë me fjalët më të pista, përgojojmë deri në maksimum një individ duke ia prishë imazhin. Kemi qenë shoqëri e mbyllur, por erotika ka qenë prezente gjithandej”, vlerëson Sylejmani.

Në anën tjetër, romani i cili destinim të parë e pati filmin, ndonjëherë mund t’i dal publikut nëpërmjet pamjeve dhe jo fjalëve. Mirëpo, Loriku këtë do ta bënte në një gjuhë të huaj.

“Një mik ma pati përkthyer skenarin në gjuhën angleze dhe po të vendosi nesër ta ekranizoj, patjetër se do ta bëja në këtë gjuhë. Tingëllon aq fuqishëm, aq i përmbledhur konceptualisht, i shthurur strukturalisht, saqë dinamika me të cilën është shkruar skenari, do ishte shumë e pranueshme për ekran”, shprehet Lorik Sylejmani.

Autori i veprës “Kompleksi i Kauçit” na bën me dije se romanin ka vendosur ta përkthej në gjuhën angleze dhe se deri në fundvit shpreson që ta kenë në duar edhe lexues jo shqipfolës. / KultPlus.com

Të ngjajshme