Lulzim Tafa botohet në Beograd

30 Mars, 2019 - 3:49 pm

Shtëpia Botuese “Alma”, një shtëpi e njohur botuese nga Beogradi në edicionin e saj të Botimeve Evropiane ka botuar librin me poezi të zgjedhura të autorit nga Kosova, Lulzim Tafa, me titull “Ne zovi me nedeljom”. (Të dielave mos më thirr), shkruan KultPlus.

Libri përmban  shtatëdhjetë e pesë poezi të zgjedhura, të shpërndara në pesë cikle.  Poeti dhe studiuesi i letërsisë profesori Milutin Gjuriçkoviq, në parathënien e tij thotë se Tafa është poet shumë i rafinuar  dhe origjinal, lyra e të cilit drithëron.

“Tafa është njëri ndër përfaqësuesit kryesorë të letërsisë postmoderne sot, prandaj edhe e kemi zgjedhur për ta botuar. Vargjet e tij për herë të parë i kam lexuar në gjuhën boshnjake, më kanë lënë shumë përshtypje shpërthimet dhe gjetjet e tij poetike dhe i kam rekomanduar për botim edhe te ne. Ne më herët në Beograd kemi lexuar Podrimjen, Shkrelin dhe poetë të tjerë të Kosovës nga koha e Jugosllavisë, kurse tani lexuesit kanë mundësi të lexojnë poetë të gjeneratës tjetër dhe që janë shumë të talentuar siç është Tafa”, thotë profesori Gjuriçkoviq.

Libri “Ne zovi me nedeljom” është promovuar pa prezencën e autorit në Panairin e Librit në Beograd./ KultPlus.com

Të ngjajshme