Majlinda Bregasi, pjesë e “FICTION FEST”-edicioni i katërt

24 Nëntor, 2021 - 3:27 pm

programin e edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të jetë prozatorja e rëndësishme dhe profesoresha e gjuhësisë, Majlinda Bregasi.

Ajo është shkrimtare, gjuhëtare dhe dokumentariste.

Është shkolluar në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Firencës, ku ka vijuar studimet e doktoraturës dhe post-doktoraturës në Gjuhë dhe Letërsi Evropiane dhe Studime Amerikane. Është profesoreshë e gjuhës italiane dhe latine në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2015 boton romanin e saj të parë “Ikje” (Botimet Koha),  që nderohet me çmimin “Anton Pashku” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Ky roman është përkthyer në gjuhën bullgare me mbështetjen e Tradukit.  

Romani i dytë “Fillimi i një fundi”, 2017 (Botimet Koha), u përkthye në gjuhën italiane dhe u botua në Itali nga LFA Publishing House me titullin “Manoscritto”

Romani “Gërsheti i prerë”, 2019 (Botimet Koha), ishte kandidat për Çmimin Evropian për Letërsi, 2020.

Bregasi është autore e një numri të gjerë studimesh shkencore mbi komunikimin, analizën e diskursit politik, si dhe autore e monografisë “Përtej debatit politik”, 2015, që është studimi i parë në gjuhën shqipe i teorisë së analizës së bisedës.

Gjithashtu, është autore e disa filmave dokumentarë,  si “Pompei- një udhëtim në kohë”, “Francesco Cangiullo”, “Kodi i jetës”, “Gjama e maleve”, “Rrno për me tregue”, “Pesha e fjalës”, “Bohemi i fundit” etj.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme