14 Qershor, 2025 - 4:45 pm
“You wish you felt beter” (Do të doje të ndjeheshe më mirë)
Ballsor Hoxha
Janë të çuditshme magjepsjet e njeriut, qoftë ato globale dhe qoftë ato të shoqërisë sonë. Sikur që është sot magjepsja dhe trendi global me imitimin dhe fiksimin me atë që njihet tashmë ndërkombëtarisht si “thug”, e që i bie hajn, dhe çdo gjë tjetër që përfshinë kjo lloj jete deri te krimineli. Mirëpo filozofët francez prej dekadave të 50-ave e së paku deri në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kishin themeluar një kërkim shumë të rëndësishëm, dhe atë jo vetëm me fuqizimin e shoqërive që jetojnë në margjina, jo vetëm me skizofreninë, por edhe me personifikimet më të njohura në histori të artit e të letërsisë në veçanti me skizofrenë të njohur.
Në këtë, Maurice Blanchot, kur flet për skizofreninë e Friedrich Holderlin, bën dy veçime, tejet tejet të rëndësishme për këtë komunitet: njëra është ajo që njihet si tepria e pranisë (excess of presence). Blanchot thotë se pikërisht këtu, me këtë tepri, hapet e tëra, pra, çrregullimi, deluzioni etj. Në këtë mund të imagjinojmë lehtë pikturat e Van Gogh, tërë ai shpërthim i pranisë në ngjyrat dhe dhe karakterin në pikturat e tij, etj.
Dhe gjëja e dytë, që Blanchot nuk e saktëson por që e ndjehet nën lëkurën e këtij mallkimi, është të qenit i huaj në botë, i huaj në bashkëjetesën me botën, me njeriun, me tërësinë. Disi, sikur i mbetur jashtë. Sikur i mbetur prapa, por i gjallë, e pa pjesëmarrje si një i vdekur.
Dhe, nga këtu, sa i vështirë bëhet kthimi, rikthimi, në jetë, nga këto net.
Nuk e di a ju ka ndodhur të gjendeni, para një momenti vendosjeje me vetëdije, me qëllim e me dëshirë që do të ndryshojë jetën tënde përgjithmonë, (e jo sikur para martesës për shembull, ironi e qëllimshme, kur njeriu është i tëri i përfshirë nga epshi e euforia e pjekurisë) etj, pra, nuk e di a ju ka ndodhur të gjendeni para një këso momenti nga i cili prej këtu e më tutje do të ndryshoj jeta jote, përgjithmonë. Përgjithmonë dhe pa e ditur, si që ndodhë në jetë, nëse është për të mirë apo për të keq.
Dua të them, se, kam jetuar një jetë të tërë (tashmë po i mbushi 50 vjet, në këtë korrik), në teh të qenit i huaj për këtë botë dhe në këtë botë, po sikur Van Gogh e Holderlin, por pa suksesin e tyre, sigurisht. Dhe, në këtë dhembje, njeriut të kësaj natyre, e shumta e kohës i kalon duke u pyetur pse jam ndryshe, duke hamendësuar katastrofën e të qenit ndryshe, dhe duke fshehur papërshtatshmërinë e vete me normat e shoqërisë sonë.
Në vështirësi të këtij lloji, jam pyetur shumë, çka është, çka është ajo që na shtynë të ikim prej ‘atij’, të dallueshmit, të ndryshmit, ta shohim si të ndryshueshëm, e të paqëndrueshëm, në raport me ne që njihemi si “normal”?
Çka e bën këtë dallim?
Dallim, qoftë edhe ndërnjerëzor, dhe me këtë të jetë i papranueshëm në normat e shoqërisë.
Çka është ajo që e bën vështirësinë psikike, të fajshme.
Çka e bën vështirësinë psikike, të pabarabartë në jetë me njeriun “normal”, dhe me normat e shoqërisë.
Dhe në fund, çka e bën të papranueshme një hapje të sinqertë, për këtë natyrë të njeriut.
Për mua, kjo, ka filluar qe disa vite, me botimin në Shtëpinë Botuese Onufri, duke botuar dhe duke shkruar për këto, veçmas për papranueshmërinë, fajin e të qenit ndryshe. Këtë dallimin dhe ikjen, dhe të qenit i huaj në po të njëjtën botë.
Por, sigurisht, kjo, disi mund të më vë në dilemë, nëse jam gabim, me këtë hapje. Nëse mendja ime po luan me mua. Nëse në të vërtetë kjo hapje përmban një latencë, që ka për qëllim diçka krejt ndryshe, etj. Por, thonë edhe, se njeriu që nuk e tregon dramën e tij, përmbytet e ngulfatet nga po e njëjta. Dhe, për të dalë nga drama unë rrëfej, dhe po vazhdoj të rrëfej.
Jam matur me vite të tregoj për dramën dhe aq më shumë për fajin në tërë papranueshmërinë, duke pas jetuar si i papranueshëm. Jam matur me vite si ta tregoj, posaçërisht si të mos lëndoj të dashurit e mi, duke e treguar po të njëjtën, gjithnjë publikisht, dhe, zgjidhja më ka ardhur, është ndërtuar e krijuar, duke rrëfyer, në letërsi. Duke luajtur lojën e ndërmjetësisë në mes të reales dhe të letrares. Dhe gjithmonë, me ëndrrën se po të njëjtat rrëfime arrijnë edhe te ndonjë person tjetër, ndihmojnë edhe një tjetër, dhe me shpresën në këtë ëndërr që kujtdo mund t’i shërbejë si udhëzim, për të jetuar, për të vazhduar, tutje.
Por duhet të shpreh, në këtë mes, mirënjohjen, për guximin që e morra me, të qenit i botuar nga Shtëpia Botuese Onufri, e kjo, si vulë institucioni të rëndësishëm në letërsi. Nga këtu, e dija, se zëri im, në këto rrëfime, do të dëgjohej, e aq më shumë, do të kishte vulën e besimit prej një institucioni të letërsisë si Onufri,mbi vlerën e punës sime, dhe që do të arrinte tutje.
Në këtë gjeta lirinë, etikën time personale, dhe besimin, se po kjo që po e tregoj, hapja e kësaj teme, që nuk është hapur kurrë në shoqërinë tonë, aq më pak në kulturën e letërsinë tonë, përmes rrëfimit, në formë letrare, pra të letërsisë, e bën më të lehtë dhembjen.
Jam edhe, i vetëdijshëm, për këtë guxim, këtu dhe tash. Por, mua, letërsia, sidomos ajo e Kadaresë e mjeshtërve si ai, në kohët më të rënda të këtyre vështirësive të mia, përmes forcës që gjeja në përvojën e të tjerëve rrëfyer në letërsi, si një litar më pat ofruar daljen prej humnerave ku qarkoja, prej subterreneve, undergroundeve, e të nëntokës ku fshihesha në kërkim të, qoftë një grimë strehe nga tmerret e përjetuara.
Unë e urrej shprehjen gjykim, kam qenë i gjykuar për kohë të gjatë, edhe nga vetja, por kam shpresë në horizontin e letërsisë shqipe e edhe më gjerë, në atë që psikiatri dhe filozofi i njohur danez Karl Japsers e quan disi si: horizonti ku jemi është vetë horizonti që jemi.
Por në fund do të doja të them, se kjo nuk është naivitet, por është rebelim, zemërim e luftë me stigmën dhe stigmatizimet në shoqërinë tonë.
Është jetë, mënyrë e të jetuarit.
Është hapje, për të gjetur dhe të tjerë, që mund të rrëfejnë edhe shumë më bukur.
E më rëndësishëm se çdo gjë, është falënderim për dashurinë e pakusht të dy fëmijëve të mi, dhe të familjes time në përgjithësi. Megjithëse, më duhet të shtoj, ndoshta edhe dhemb ky falënderim, dhemb aq shumë, sa që lehtë mund të merret apo të kalojë edhe në martirizim (sociologjik) për një shkak, fli (gjithnjë sociologjike), për një të mirë kolektive, në këtë sakrificë të dhembjes së familjes time./ KultPlus.com