Mbahet tryeza për dy kolosët e albanologjisë, Idriz Ajetin dhe Eric Hamp

26 Gusht, 2019 - 1:31 pm

Qendrim Badalli

Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare sot është mbajtur një tryezë kushtuar dy studiuesve të shquar të albanologjisë, Idriz Ajetin dhe Eric Hamp.

Drejtuesi, Rrahman Paçarizi, pasi hapi tryezën duke vlerësuar lartë kontributin shkencor të Akademikut Idriz Ajetit dhe Akademikut Eric Hamp, fjalën ua dha Prof. Bardh Rugovës dhe Prof. Shkumbin Munishit të cilët mbajtën nga një fjalim të shkurtët për dy studiuesit në fjalë.

Bardh Rugova e ka vlerësuar shumë kontributin e studiuesit Eric Hamp ka folur për rolin e tij dhënë albanologjisë dhe përgjithësisht popullit shqiptar.

 “Eric Hamp është emri më i madh botëror që është marrë me Gjuhën Shqipe” ka thënë Rugova.

Pasi ka folur për kontributin specifik dhënë albanologjisë, Rugova ka theksuar se Hamp përpos që ka vizituar Kosovën disa herë dhe se ka qenë Anëtari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës dhe pjesëmarrës në një edicion të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ai ka kontribuar edhe për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë.

“Eric Hamp i ka shkruar letër Presidentit Bill Clinton me kërkesën për ndërhyrjen në Kosovë” ka thënë Rugova.




Në anën tjetër edhe prof. Shkumbin Munishti duke folur për rolin e Akademikut Idriz Ajetin ka vlerësuar punën e tij shkencore dhe patriotike që ka dhënë ndër vite. “Akademiku Idriz Ajeti ka qenë studiues i shquar i Albanologjisë” ka thënë ai.

Munishti, ka shtuar se ai ka qenë në krye të të gjitha përpjekjeve për shkencë dhe arsim në kohën e tij.

“Idriz Ajeti ka qenë drejtues i  të gjitha përpjekjeve shkencore dhe arsimore në Kosovë”. Ai ka thënë se roli i tij i është dhënë në shumë dimensione e sidomos në procesin e standartizimit të shqipes në Kosovë.


Në një fjalë rasti, është ftuar të paraqes kujtimet e tij edhe prof. Rexhep Ismaili, i cili ka qenë bashkëpunëtor i të dy studiuesve për një kohë të gjatë.

“ Kam pasur fatin t’i njoh që të dy nga afër” kështu e filloi fjalën e tij prof. Ismaili duke i quajtur që të dy si “themeltar të albanologjisë”.

Prof Ismaili duke folur për nivelin e lartë shkencor të prof. Eric Hampit, ka thënë: “Një artikull i tij ka vlejtur sa një libër, një artikull sa një libër”.

Ai ka folur edhe për një situatë interesante që ka ndodhur në Prishtinë kur Hampi kishte vizituar Kosovën. “Pasluftës në hotel Grand ai u ulë dhe e puthi tokën, ishte i lumtur që ishim të lirë” ka kujtuar Ismaili.

Duke folur për rëndësinë e tij për albanologjinë shqiptare ai ka thënë:

“E njoh si shumë të rëndësishëm për vendin tonë”.

 “ Unë e di që prof. Hamp ka pasë rëndësi për studimet krahasuese të albanologjisë”.

Ismaili ka kujtuar edhe prof. Idriz Ajetin, për të cilin ka pasur fjalë të mëdha qoftë nga ana njerëzore qoftë nga ajo shkencore.
“Ka qenë fat i mirë për mua qe të punoja me një njeri të tillë”.

Ai ka thënë se ka punuar shumë me të edhe në organizim të këtij seminari teksa ka kujtuar se ai ka qenë shumë i përshtatshëm për bashkëpunim.
“Ka qenë njeri që ke mundur të bashkëpunosh”.

Tutje, ka thënë se Ajeti meriton nderim të madh për veprimtarinë që ka bërë. “Idriz Ajeti meriton gjithë respektin për atë cfarë ka bërë”.

Në këtë tryezë ishtë i pranishëm edhe Akademiku Ymri Badallaj, një numër i profesorëve të Fakultetit Filologjik si dhe një numër i madh i të pranishmëve: studentë, studiues, përfaqësues të mediave etj. /KultPlus.com

Të ngjajshme