Më 1 janar nis hartimi për enciklopedinë shqiptare

14 Nëntor, 2022 - 8:15 pm

“Duhet të dini që jemi një ndër vendet e pakta në Europë që nuk kemi një enciklopedi”, tha zv.kryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole.

Pas nënshkrimit në Prishtinë, në mbledhjen ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë rreth 5 muaj më parë, “Enciklopedia Shqiptare” merr “dritën jeshile” edhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Projekti albanologjik që do të hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqesh për botim, do të bashkëfinancohet nga Shqipëria dhe Kosova.

“Vlera e përllogaritur për të tria vitet buxhetore për enciklopedinë është 260 milionë lekë, për palën shqiptare nga të cilat vetëm në vitin 2023, për Akademinë e Shkencave janë akorduar 189 milionë lekë”.

Përtej diskutimeve për buxhetin, deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu kërkoi më shumë informacion mbi përmbajtjen e “Enciklopedisë Shqiptare”.

Garancinë se botimi do të jetë sa i pakontestueshëm, aq edhe përfaqësues, e dha anëtari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole.

“Enciklopedia Shqiptare” pritet të zbatohet brenda një periudhe 5-vjeçare, ndërsa puna për proceset e hartimit të veprës, prej përgatitjes e deri te shtypshkrimi parashikohet të fillojë më 1 janar 2023. Për realizimin e saj do të ngrihen grupe pune në Shqipëri e Kosovë, pjesë e së cilëve do të jenë edhe institucione jopublike dhe studiues nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe komuniteti arbëresh./A2CNN/ KultPlus.com

Të ngjajshme