Më 15 gusht të vitit 1771 lindi Sir Walter Scott, themelues i romanit historik

15 Gusht, 2019 - 12:30 pm

Sër Valter Skot, shkrimtar, poet, historian, koleksionist i antikuareve, avokat i njohur skocez. Eshtë quajtur si themeluesi i romanit historik.

U lind në Edinburg më 15 gusht 1771, në familjen e juristit të kamur Valter Xhon (1729-1799) dhe Ana Rezerford (1731-1819), bija e profesorit të mjekësisë të Universitetit të Edinburgut. Ishte fëmija i nëntë, por nga 13 fëmijë, vetëm gjashtë prej tyre mbijetuan. Në janar të vitit 1772 i ra sëmundja e paralizës së fëmijës, humbi lëvizshmërinë e këmbës së djathtë dhe mbeti gjithë jetën i çalë.

E kaloi fëmijërinë në fermën e gjyshit të tij. Pavarësisht të metës fizike, që në moshë të re i befasonte të tjerët me mençurinë dhe kujtesën fenomenale. Lexonte shumë, veçanërisht autorët antikë, tërhiqej nga romanet dhe poezia, i kushtonte vëmendje baladave tradicionale dhe gojëdhënave skoceze.

Së bashku me shokët e tij të kolegjit organizuan “Shoqërinë poetike”, studioi gjermanisht dhe u njoh me krijimtarinë e poetëve gjermanë. I rëndësishëm për Valter Skotin ishte viti 1792, kur në Universitetin e Edinburgut dha provimet për avokat. Që nga ajo kohë u bë njeri i nderuar me një profesion prestigjioz dhe pati veprimtari avokatore. Në vitet e para si avokat udhëtoi në gjithë vendin, duke mbledhur edhe legjenda e balada popullore për herojtë skocezë të së shkuarës. I apasionuar pas poezisë gjermane, botoi me pseudonim përkthimin e “Lenora” dhe “Gjahtari i egër” të Byrgerit. Në vitin 1799 përktheu dramën e Gëtes “Gëci i Berlihingenit”.

Skoti është i pari autor anglez që pati njohje ndërkombëtare që në gjallje të tij jo vetëm në Europë por edhe në Australi e Amerikën e Veriut.
Romanet dhe krijimtaria e tij poetike lexohen me ëndje nga lexuesi i sotëm si Aivenhoi, Rob Roi, Zonjusha e liqenit, Nusja e Lamermurit etj.
Valter Skoti vdiq nga infarkti më 21 shtator 1832. /KultPlus.com

Të ngjajshme