Me rrëfime mbi fejtonët, reportazhet dhe recensionet Pen Qendra e Kosovës fillon projektin ‘Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja’

24 Janar, 2024 - 4:43 pm

Vjollca Duraku

Përmes një debati me shkrimtarët Ibrahim Kadriu dhe Blerina Rogova- Gaxha, PEN Qendra e Kosovës sot ka filluar projektin më të ri kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”,  në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Përmes këtij projekti i cili do të shtrihet në tërë Kosovën, PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për të stimuluar krijimtarinë letrare, për të ndërgjegjësuar mbi rolin dhe rëndësinë që ka libri e për kulturën e leximit në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Në mesin e studentëve, shkrimtarëve, analistëve dhe profesorëve, këtë debat e shpalli të hapur Ibrahim Berisha, i cili tha se ndihej i lumtur që ishte në mesin e tyre dhe duke treguar që projekti i cili filloi në KultPlus Caffe Gallery do të vazhdojë tutje në shkolla, fakultete dhe biblioteka në disa qytete të Kosovës.

“Ky projekt nisi sot këtu, por do të zhvillohet tutje në shkolla, fakultete dhe biblioteka. Ligjërues dhe bashkëbisedues në këto debate do të jenë shkrimtarë, studiues dhe profesorë të njohur të fushës së letërsisë dhe të komunikimit” ka thënë Berisha i cili i njoftoi studentët e pranishëm që Pen Qendra e Kosovës nga numri i ardhshëm do të krijojë një rubrikë të veçantë për studentët në të cilën mund të botohen  studime, letërsi, prozë e përkthime.

Berisha, më tutje i la radhë kryetarit të Pen Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendit, i cili po ashtu u shpreh entuziast për këtë nismë të re.

“Faleminderit që jeni prezent sot në këtë aktivitet në të cilin edhe ju të pranishëm mund të na ndihmoni që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Projekti do të vazhdojë edhe në qendra dhe institucione të tjera, andaj uroj të takohemi përsëri në aktivitetet e ardhshme”, ka thënë Binak Kelmendi.

Ndërsa profesori Sali Bashota ishte ai i cili ndau detaje lidhur më këtë projekt i cili synon të nxjerr talentë të rinjë, të cilët pritet të ndikojnë në të ardhmen e letërsisë dhe të krijimtarisë letrare duke e zhvilluar si aktivitet në qendrat më të mëdha të Kosovës.

“Kam kënaqësinë që së bashku me miqtë e mi këtu të fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm, i cili për herë të parë vjen në Kosovë, siç është “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” që do të përfshijë disa qendra. Një ekip prej 16 anëtarëve të Pen Qendrës së Kosovës në fazën e parë dhe planifikojmë që të jetë edhe në fazën e dytë ku do të diskutohet si shkruhet poezia, romani, eseja, si bëhet përkthimi, si bëhet komunikimi letrar, si bëhet komunikimi në mediat online me veprat letrare etj. Do të jetë me një karakter garues për shkak se në fund, në përmbyllje të projektit do t’i ftojmë të gjithë ata që do të botojnë shkrime në revistën Pen Kosova. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, me karakter edukativ letrar që ka të bëj me procesin krijues”, ka thënë Bashota duke falënderuar drejtoreshën e mediumit KultPlus, Ardianë Pajazitin për hapësirën e dhënë vazhdimisht për nisma të tilla letrare.

Pastaj fjala iu kalua gazetarit Ibrahim Kadriu i cili gjatë karrierës së tij është marrë me zhanre specifike siç janë fejtoni dhe reportazhi e që bëjnë pjesë në zhanrin e publicistikës.

Me këtë rast, Kadriu para të pranishmëve foli edhe për fejtonin e parë që kishte shkruar e që kishte bërë bujë në atë kohë pasi u botua në gazetën Rilindja, vend ku Kadriu punonte në atë kohë. Fejtoni për Tefta Tashkon, u botua në 12 vazhdime dhe u mirëprit jashtëzakonisht mirë sipas Kadriut.

“Fejtoni që e kam shkruar më me qejf ka qenë fejtoni për Tefta Tashkon, për të cilin ka pasur pyetje se përse nuk bëhet libër. Ajo ka qenë një këngëtare operistike e njohur, një yll i shkolluar në Paris, që gjatë luftës 1944- 45 ka pasur koncerte me këngë simfonike të cilat i ka mbajtur edhe në Beograd” ka thënë gazetari Kadriu duke treguar më tej edhe mënyrën se si kishte rënë në kontakt me të dhënat e nevojshme me të cilat e shkroi fejtonin aq shumë të lexuar në atë kohë.

“Në vitin 1972 kam qenë në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë dhe atje kam rënë në shënime për të. Ajo ka vdekur në vitin 1947 nga sëmundja e tuberkulozit, dhe atje më treguan se ajo ka një djalë, e që qëlloi të ishte i  moshës time. Eno Koqo, që sot është një ndër dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili dirigjon edhe në Londër. Jam takuar në atë kohë me të. Ai ishte një imponim për mua që të hyj më në thellësi për biografinë e saj, ndonëse ai më tha që pak di për nënën, meqë kishte qenë shumë i vogël kur i kishte vdekur nëna”, ka thënë Kadriu duke shpjeguar më tutje arsyen pse nuk e kishte botuar si libër, për shkak se do të duhej të punonte ende me të, me një  shkrim më të veçantë sepse fejtoni nuk posedon të gjitha elementet e librit.

Ai, më tutje shpjegoi edhe për një tjetër fejton i cili kishte bërë jehonë në audiencë atë kohë. Ishte fejtoni për figurën e Hasan Alisë, personalitet ky që gjatë jetës së tij kishte luftuar kundër regjimit të Jugosllavisë, që gjithashtu ishte lexuar shumë në kohë kur ai ushtronte profesionin e gazetarit.

“Një prej fejtoneve tjerë që ka pasur jehonë ka qenë një figurë e anatemuar në kohën e monizmit, i cili edhe është vrarë. Ai është Hasan Alia i cili ka qenë një kaqak, që deri në vitin 1952 ka jetuar në mal, e i cili ka krijuar një frikë në anën e Anamoravës. Në vitin 1992 e kam realizuar fejtonin sepse më herët ishte e ndaluar të shkruhej për të. Ai fejton u popullarizua aq shumë sepse fiugra e tij ishte diçka e pakrahasuar me figrat tjera, për nga trimëria dhe nami” ka thënë më tej Kadriu duke bërë të ditur që infromacionet e nevojshme për t’i përfshsirë në tekstin gazetar i kishte mbledhur nga djali i tij dhe nga persona të cilët kanë pasur rastin ta njohin këtë figurë të rrallë.

Ndërsa autorja Blerina Rugova- Gaxha u  ndalua tek recensioni letrar artistik duke shpalosur përvoja nga libri ‘Memorie dhe Traumë’, të cilin autorja e kishte publikuar së fundmi, i cili trajton temën e luftës me elemente letrare.

“Letërsia që trajton luftën si ndodhi, si pasojë apo mënyrën se si letërsia e paraqet të kaluarën, duke e ditur se çka kemi kaluar ne në luftë, me represionin politik të viteve të 90-ta dhe duke përfshirë ndryshimin e arsimit, represionin në luftë, pasojat e luftës, lirinë, tranzicionin. Të gjitha këto janë situata historike që e ri formësonë letërsinë që i nxisin autorët të trajtojnë një të kaluar të afërt në mënyrë që ta dëshmojnë atë që ka ndodhur”, ka thënë autorja Rugova- Gaxha.

Ajo më tej përmendi edhe disa elemente të cilat janë të domosdoshme për të ndërlidhur e paraqitur para audiencës një të vërtetë faktike me elemente letrare.

“Mendimi kritik mbi veprat letrare të luftës përpos një analize të veprës puriste letrare, përfshin edhe një qasje inter-disiplinare ndaj veprës. Nuk mjafton vetëm analiza e veprës pa pasur një ndërthurje në mes të anës historike dhe njohjes së kontekstit e situatës” ka thënë Rugova- Gaxha më tej duke theksuar rolin  dhe rëndësinë e shënimeve mbi përjetimet të cilat populli shqiptar i ka përjetuar sidomos në luftën e fundit, në mënyrë që këto  ngjarje të dokumentohen e më pas edhe të shërbejnë si fakte historike.

Si lloj zhanror në këtë diskutim u përmend edhe reportazhi, si forma më e vështirë e tekstit për tu shkruar. Krejt në fund autorët e pranishëm për të gjithë pjesëmarrësit dhuruan libra, të cilët i kishin shkruar ndër vite./KultPlus.com

Të ngjajshme