Me theks në tranzicionin institucional dhe mafian, Alesia Balliu promovon në Prishtinë librat “Tabula Rasa” dhe “White Leviathan”

5 Maj, 2025 - 11:02 pm

Flonja Haxhaj

Në një atmosferë të ngrohtë, KultPlus Caffe Gallery mirëpriti sot autoren Alesia Balliu, e cila solli për lexuesit e Prishtinës librat e saj “Tabula Rasa: Paqëndrueshmëria e Institucioneve Shqiptare” dhe “White Leviathan”, shkruan KultPlus.

Pas promovimit në Tiranë, ndalesa në Prishtinë nuk ishte thjesht një promovim librash, por një ftesë për të reflektuar mbi realitetet e thella politike e shoqërore që përshkojnë hapësirën shqiptare. E pranishme në mesin e artdashësve dhe studiuesve të drejtësisë, Balliu ndau jo vetëm mendimet pas shkrimeve të saj, por edhe ndjeshmërinë me të cilën i qaset temave që rrallëherë trajtohen kaq drejtpërdrejt në shkrime.

E përqendruar në profesionin e avokates, Alesia Balliu sjell këta libra si një pasuri e literaturës së drejtësisë dhe gjithashtu si një studim i thellë mbi këto tematika.

Libri i parë “Tabula Rasa: Paqëndrueshmëria e Institucioneve Shqiptare”, është libër që konfirmon përvojën jetësore të qytetarëve shqiptarë, por edhe intuitën e intelektualëve në tranzicionin e tejzgjatur të vendit tonë. Ndërkaq libri “White Leviathan”, botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shtëpinë botuese NOVA hulumton ndërthurjen komplekse të kokainës, politikës shqiptare dhe rrjetave ndërkombëtare të trafikut të drogave, ndikimin e rrezikshëm të Mafias së Kokainës në politikën shqiptare dhe hedh dritë mbi raste të rëndësishme të ndërveprimit mes figurave të njohura politike dhe rrjeteve të trafikut të drogave.

E para, fjalën në këtë panel e mori drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila u shpreh e lumtur qe ky promovim në Prishtinë u mbajt pikërisht në galerinë e KultPlus.

“Sot kemi një promovim shumë të veçantë këtu në KultPlus Caffe Gallery. E kemi autoren Alesia Balliu e cila na ka nderuar sot duke ardhë me një promovim në Prishtinë, pas promovimit në Tiranë. Është nje prej rasteve të rralla kur unë nuk jam në habitatin tim. Si kryeredaktore e KultPlus, gjithë jetën jam marre me art dhe kulturë dhe sot kam përballë një grua te fuqishme në fushën e drejtësisë dhe pas kontaktit, hulumtova dhe e kuptova që është një grua e jashtëzakonshme e prandaj nuk hezitova që të jem në këtë panel”, u shpreh Pajaziti.

E pranishme në këtë panel ishte edhe avokatja Sava nga Shqipërisa, e cila përveçse është një kolege e Alesias, është edhe gjithashtu shoqe e saj dhe shoqëruese e rrugëtimit të saj që nga fillimi.

“Unë dhe Alesia njihemi prej vitesh dhe sot gjej rastin ta përgëzoj për arritjet e saj. Unë kam qenë shumë afër me Alesian dhe e kam ndjekur atë hap pas hapi duke parë arritjet e saj qe nga ato të parat e deri këto në ditët e sotme. Arritjet e Alesias kanë qenë të dukshme si në paraqitjet televizive, si në daljet publike, duke thyer tabu. Ky libër i cili po promovohet sot në Prishtinëflet shumë për drejtësinë, Alesia është një avokate e shkëlqyer gjithashtu përveçse një autore e zgjuar dhe intelektuale”, u shpreh avokatja Sava, duke shtuar më tutje se Alesia Balliu ëstë një shembull i një gruaje të fortë dhe të arrirë.

E krejt në fund, fjalën e mori vetë autorja Alesia Balliu, e cila përveçse foli për librat, theksoi edhe veçantinë e dyfishtë të këtij promovimi në Prishtinë.

“Unë e kam shumë të veçantë prezencën time këtu pasi jam mbesë Kosove, kështu që është dyfish kënaqësi e veçantë e imja të jem këtu aq më tepër të promovoj dy librat e mi pasi janë libra që për mendimin  tim, përveç se janë një asset për drejtësinë, janë edhe një studim i bërë ndër vite. Pa diskutim, libri ‘Tabula rasa’, paqëndrueshmëria e institucioneve shqiptare erdhi si një libër i imi me gjithë problemtaikat që kishte kushtetuta e ligji në Shqipëri që saherë që ndërrohej partia politike, ndërroheshin edhe ligjet deri sa u bë reforma në drejtësi. Arsyeja kryesore e librit të parë ishte se libri duhet të jetë mbi politikën dhe jo sa herë që ndërrohej pushteti, të ndërrohej edhe ligji. Kurse libri i dytë është një temë shumë delicate, në të cilat flet për organizatat kriminale, trafikun e drogës, pastrimin e parave të pista, por arsyea kryesore e shkrimit të këtij libri ishte aktualiteti shqiptar”, theksoi Balliu duke shtuar më tutje se ky libër u shkrua me qëllim të shpjegohej se si këto para influenconin në politikën shqiptare.

Gjithashtu, jatë promovimit, pati edhe momente dialogu me të pranishmit, të cilët shprehën interes rreth librit dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Pyetjet dhe komentet e audiencës hapën një diskutim të gjallë mbi përgjegjësinë e autorëve për të reflektuar realitetin dhe rolin e letërsisë në përballjen me të vërtetat e vështira./KultPlus.com

Të ngjajshme