30 Korrik, 2025 - 11:13 am
Shkrimtarja dhe autorja e njohur për fëmijë, Meliza Krasniqi, është nderuar me çmimin prestigjioz “Dega e ullirit” në kuadër të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit “Ulqini 2025”, për librin e saj më të fundit “Me quajnë Nexhmije Pagarusha”.
Çmimi u nda gjatë ceremonisë solemne të hapjes së panairit, në prani të figurave të rëndësishme të letrave dhe kulturës shqiptare në rajon. Juria e përbërë nga emra të njohur si Liridon Mulaj (kryetar), znj. Irena Toci, drejtoreshë e Institutit të Librit dhe të Promocionit, z. Genci Nimanbegu, kryetar i Komunës së Ulqinit, dhe z. Čazim Hodžič, vlerësuan lart vlerat artistike dhe edukative të veprës.
Në një reagim publik, Krasniqi u shpreh thellësisht e nderuar për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë emocionale që ky çmim ka për të.
“Ky çmim ka domethënie të veçantë për mua — si degë ulliri që më kujton se fjala për fëmijë mbjell paqe, kujtesë dhe shpresë”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
“Me quajnë Nexhmije Pagarusha” është një vepër që i prezanton gjeneratave të reja figurën madhështore të “Bilbilit të Kosovës”, në një mënyrë të ndjeshme, edukative dhe letrare. Libri konsiderohet një ndër përpjekjet më të arrira të autorës për të ndërtuar ura mes historisë kulturore dhe lexuesve të vegjël./KultPlus.com