Mesazhe për të mos harruar “rrënjët” nga vijmë

11 Korrik, 2019 - 5:53 pm

Mbresa nga vëllimi me tregime “Rrënjët” i shkrimtarit shqiptaro-amerikan, Resmi Çorbaxhi.

Fuat Memelli

BOSTON: E kisha “takuar” krijuesin Resmi Çorbaxhiun në faqet e shtypit qysh para viteve ’90, pasi ai ishte një firmë e njohur. U desh të kalonin vite dhe ta takoja nga afër në ceremoninë e 110 vjetorit të gazetës “Dielli” në Neë York. E ka lënë Maliqin nga është me origjinë dhe prej vitesh jeton në qytetin Albany afër New Yorkut. “Mikrobi” i krijuesit nuk e le rehat dhe ai vazhdon të shkruajë në faqet e gazetave shqiptare që dalin në Amerikë. Atë ditë që u takuam, më dhuroi edhe vëllimin e tij me tregime “Rrënjët”.
I lexova tregimet, ndërsa disa prej tyre edhe i rilexova. Nga kënaqësia që përjetova, po shkruaj disa mbresa, thjesht si një lexuas, pasi nuk jam kritik letërsie. Vëllimi “Rrënjët” nuk ka të bëjë aspak me rrënjët e ndonjë peme, por me “rrënjët” ku je lindur e rritur e ku mjaft njerëz duan edhe të treten aty, siç ndodh me ndonjë nga personazhet e tregimeve. Është “magneti” i vendlindjes, është zëri i të parëve që i thërret aty, pasi këmbët shkojnë aty ku i urdhëron zemra. Në këto vite të tranzicionit, kur shumë familje u larguan nga fshati e shkuan në qytete e një pjesë në emigracion, autori na sjell edhe peronazhe që tranzicioni nuk i shkuli dot nga “rrënjët”.
Shumica e “brumit” të tregimeve, është marë nga atdheu ynë ku autori ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, por edhe nga Amerika ku jeton prej disa vjetësh. Personazhet e tregimeve janë njerëz të kategorive të ndryshme: fshatarë, mësues, nxënës ( autori ka punuar shumë vjet si mësues dhe e njeh deri në themel arsimin) specialistë të fushave të ndryshme, emigrantë, etj. Janë njerëz që autori i ka njohur në rrugën e jetës . Mbresat që i kanë lënë , i ka “arkivuar” në kujtesë e më pas i ka “zbrazur” në faqet e tregimeve. Janë personazhe realë e autori vetëm sa i ka ndruar emrat dhe i ka veshur me “gëzofin” artistik. Janë njerëz tokësorë, me të mirat e të këqiat e tyre.
Tregimet e tij të thjeshtë e të bukur, mesazhet jetësore që ata përcjellin, më ngjajnë me poezitë e Dritëroit. Është kjo një vlerë e tregimeve të Resmi Çorbaxhiut. Plaku Baze, personazh kryesor i tregimit “Rrënjët”, nuk do të largohet nga fshati, nga “sarajet” e tij. “Këtu, vetëm këtu do të më dalë shpirti, qoftë edhe i vetëm” thotë ai. Tregimi ka një kolorit të pasur gjuhësor, veçanërisht të krahinës së Korçës, ka dialogje të bukur e retrospektiva, që të mbeten në kujtesë.
Një tregim jetësor, është edhe ai me titull “ Dëshira e fundit”, ku një çift fshatarësh, janë dashur e duhen deri në minutën e fundit. Siç thotë autori “ ata ishin bastun për njëri-tjetrin”. Krati, persoazhi kryesor i tregimit, nuk do të ligështojë pjesëtarët e familjes dhe do të japë shpirt në krahët e shokut të tij të vjetër. Dhe shkon më tej kur le amanetin: “dasma të bëhet sikur të isha gjallë”. Janë dëshira njerëzore këto që burojnë nga një shpirt i brishtë.

Resmi Çorbaxhi

Tronditës është tregimi “ Vetmia”, dramë e cila nuk ka fund në jetën e një gruaje, pas burgosjes së të shoqit, gjoja si agjent i të huajve. Ne që e kemi njohur atë sistem, dimë plot raste të ndarjes për së gjalli të njerëzve të afërt prej “njollave” në biografi. Njerzit u largoheshin atyre sikur të kishin zgjebe. Dhe ngriheshin mure mes shtëpive të tyre për mos komunikuar, por më të lartë se ata, ishin “muret” shpirtërore. Njerëzit përçmoheshin nga pushteti i kohës. Te tregimi “Vetmia” brigadieri e dërgon gruan të punojnë vetëm, e përzenë nga mbledhja e frontit, i kërkojnë të ndahet nga burri. Vetmia arin deri aty sa edhe i jati le amanet që “vajza mos vijë as në varrimin e tij”. I gjithë “mëkati” ishte se Besiani, i shoqi i Nëntores, kishte strehuar çifutë gjatë luftës.
Duke lexuar këtë tregim, m’u kujtua familja e të ndjerit Hamit Qyteza, që e kam njohur pas viteve ‘90 në fshatin Rov të Korçës e përgatita një kronikë dhe një shkrim . Hamiti, ish student i liceut të Korçës dhe mjeshtër i ritjes së luleve, kishte patur “njolla” në biografi, dhe krahas ndëshkimeve të tjera, brigadieri e veçonte tok me gruan, duke i dërguar edhe në punët më të rënda. Puna e Resmiut si mësues por edhe si gazetar te “Koha jonë”, e ka bërë që të njohë një mori ngjarjesh e karakteresh.
Një ngjarje me një ish nxënëse , e ndodhur në vitin e mbrapshtë ’97, është bërë shkas për tregimin e bukur “Telefonata e papritur”. Atëhere vajza e urrente mësuesin, pasi nuk i jepte lejë për t’u takuar me të dashurin. Më pas doli që ai kishte qënë mashtrues dhe kish dashur ta trafikonte vajzën. Pas vitesh vjen një telefonatë e papritur nga jashtë ku tashmë jetonte vajza dhe falenderon mësuesin (duket që është vetë mësues Resmiu) që e kishte shpëtuar nga prangat e trafikantit. Është një ngjarje bindëse, pasi të gjithë e dimë si lulëzoi ky fenomen në Shqipëri pas viteve ’90.
Të mbetet në kujtesë edhe tregimi “Lalai”, një fshatar i zgjuar e hokatar, që “të jepte ujë në bisht të lugës” e që godet me “armën “ e humorit kryetarin e kooperativës, “një djalurçinë nga qyteti, që rinte me kollare edhe në majë të malit”, por që i kishte shpatullat e ngrohta nga pushteti. Kryetari shpif ndaj tij dhe Lalai arrestohet , por mësohet e vërteta, ai del shpejt nga biruca dhe kryetari shkarkohet. Kjo ngjarje na kujton disa kuadro të atij sistemi, që “shinin lëmë” pasi i kishin shpatullat e ngrohta.
Me tregimet e bukur të këtij vëllimi, mund të vazhdonim por po i mbyll këto rradhë me urimin që Resmi Çorbaxhiu, i thjeshtë si vetë tregimet e tij, të na dhurojë vëlllime të tjera të bukur.

Të ngjajshme