Mesazhi i Nënë Terezës drejtuar popullit shqiptar: Ju do ta doni Shqipërinë aq sa do të doni njëri-tjetrin

30 Prill, 2019 - 5:00 pm

“Ju do ta doni Shqipërinë aq sa do të doni njëri-tjetrin”

Nënë Tereza i ka drejtuar një mesazh popullit shqiptar në 30 Prill të vitit 1993, gjatë një prej vizitave të saj në atdhe. Mesazhi cilësohet si i pari dhe i fundmi drejtuar popullit shqiptar.

Më poshtë po japim përmbajtjen e plotë të mesazhit:

Dëshiroj t’ju kujtoj lajmin e mirë që na ka sjellë Jezu Krishti: Zoti na do, Zoti na këshillon që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu siç Ai do çdonjërin prej nesh. Dashuria nis nga shtëpia, nga familja. Kur njerëzit rrojnë në paqe midis tyre, kur janë të lidhur e kanë mirëkuptim, kur ushqejnë dashuri për njëri-tjetrin, edhe Zoti i do më shumë dhe i mbron nga të këqijat. Njerëzit, brenda në familje, prindërit e fëmijët, duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, të jenë së bashku, ta shprehin gëzimin e dashurisë njerëzore, duke e ndarë atë me të tjerët. Kjo ka shumë rëndësi. Nëse në çdo familje do të ketë dashuri, ajo do të përhapet patjetër, do të dalë jashtë tyre, pavarësisht se mund të ketë pengesa. Kam parë kaq e kaq të rinj këtu në Shqipëri, që e duan fort njëri-tjetrin. Ata dinë ta tregojnë dashurinë e tyre. Të duash do të thotë të lutesh me gjithë zemër. Lutja vetë është fryti i një ndjenje të thellë dhe të sinqertë. Dhe fryt i dashurisë është mendimi për të bërë mirë. Dhe fryt i bamirësisë e humanizmit është kurdoherë paqja. Ja përse bota duhet t’i falet dashurisë.

Njeriu duhet të lutet për të qenë një qenie që merr e jep dashuri, që të jetë bartës e përcjellës i dashurisë së ëmbël të Zotit tek secili prej nesh, tek secili prej vëllezërve dhe motrave të veta. Kështu mund të përhapen dashuria e mirësia në një shumicë njerëzish. Eshtë një gjë e mrekullueshme të shohësh brezin e ri dhe fëmijët që rriten, duke përhapur dashuri dhe gëzim. Kam marrë këto ditë një letër prekëse nga një djalë i vogël nga SHBA. Ai më shkruan: “E dashur Nënë Tereza, unë të dua shumë. Unë po jua dërgoj ju të gjitha kursimet e mia”. Në zarf ai kishte futur, bashkë me letrën, tërë pasurinë e vet prej fëmije: një çek me vlerë tre dollarë. Unë e ndjej se dashuria për njeriun dhe solidariteti me të varfërit po krijon njerëz shpirtmëdhenj, që duan t’u dhurojnë të tjerëve gëzim e paqe; që duan t’i pasurojnë edhe ata në shpirt e në jetesë. Le të falenderojmë Zotin për fuqinë që u fal shqiptarëve për të dashur e ndihmuar njëri-tjetrin. Shqipëria bëhet duke punuar të gjithë së bashku. Zoti e bekoftë çdonjërin prej jush!

Unë do të lutem përherë që shqiptarët të kenë bekimin e Zotit.

Dua të lutem për ne, për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan.

Zoti ju bekoftë!

Të ngjajshme