Meta për Kadarenë: Gjeniu ynë i madh i letrave, shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit

28 Janar, 2021 - 9:59 am

Presidenti i Republikës, Ilir Meta uroi sot 85 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

“Gëzuar ditëlindjen Ismail Kadare, gjeniu ynë i madh i letrave, shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës krijuese të kombit shqiptar, që si askush tjetër dite t’u japësh përmasa universale duke na bërë krenar të gjithëve”, shprehet Meta në urimin e tij.

“Ishe për ne dritë në një nga periudhat më të errëta, siç vijon të mbetesh një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, për çka të jemi mirënjohës përjetë”, thekson Meta.

“Në këtë datë të shënuar për Ju, u bashkohem sot urimeve më të ngrohta të familjes së dashur Kadare dhe mbarë kombit shqiptar, për të pasur shëndet e jetë të gjatë dhe shumë suksese të reja në krijimtarinë Tuaj të shkëlqyer letrare”, përfundon Meta.

Ismail Kadare ka lindur në Gjirokastër, më 1936 është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Çmimin Man Booker International, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Aëards” për Artet, në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, në vitin 2019 Çmimin Park Kyong-ni ndërsa në vitin 2020 çmimet Neustadt dhe Prozart. Më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme