Michel Houellebecq, pjesëmarrës në festivalin KROKODIL në Beograd

2 Shkurt, 2019 - 1:16 pm

Shkrimtari i njohur francez Michel Houellebecq do të vizitojë Beogradin.

Shkrimtari, ndër më të mirët në Evropë, do të jetë pjesë e Festivalit të Letërsisë KROKODIL në Beograd, gjatë verës së këtij viti.

Lajmin e ka dhënë pa shumë detaje drejtori i festivalit, shkrimtari Vladimir Arsenijevic, i cili ka thënë se ditëve në vazhdim do të jepen më shumë detaje.

Houellebecq ka shkruar mes tjerash edhe ‘Thërrmijat elementare’ dhe ‘Nënshtrimi’, libra të përkthyer në shqip, ndërsa ka edhe librat ‘Platform’, ‘The map and the territory’, ‘The possibility of an island’ dhe libra të tjerë, shkruan KultPlus.

Personazhet e Houellebecq, që të gjitha pa përjashtim, shpërfaqin gjendjen dehumanizuese të njeriut bashkëkohor, në kushtet e një shoqërie të tregut, që më së paku ka si synim njerëzoren. Njerëz të zvetënuar, pa ambicie, të pazotë që të lidhin qoftë edhe një raport njerëzor – personazhet e Houellebecq na bëjnë që, qoftë edhe për një moment të vetëm, të mendojmë për gjendjen në të cilën ndodhet njeriu i sotëm.

Michel Houellebecq është shkrimtar francez, prozator, poet dhe kritik i letërsisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme