Michele Obama: Ime ëmë më pati mësuar si ta përdor zërin tim

10 Gusht, 2021 - 8:58 pm

Ishte 12 nëntori i vitit 2018, kur ish zonja e parë e Amerikës, Michele Obama publikoi veprën ‘Të bëhesh’, e cila shumë shpejt u shpërnda në mijëra lexues, shkruan KultPlus.

Në këtë libër, për herë të parë, Michelle Obama përshkruan fillimet e martesës, vështirësitë për të gjetur një ekuilibër mes karrierës, familjes dhe ngjitjes së vrullshme të të shoqit në politikë.

Na zbulon debatet e tyre lidhur me mundësinë për të konkurruar për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe na rrëfen për popullaritetin që përjetuan dhe për kritikat që morën përgjatë fushatës elektorale.

Me finesë, sens humori dhe një sinqeritet të pazakontë, Michelle Obama përshfaq gjithë jetën e një familjeje që, krejt befasisht, u ndodh nën dritat e projektorëve dhe përballë gjithë botës, si dhe tetë vitet më domethënëse në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo e njohu më mirë vendin e saj, por edhe vendi i saj e njohu më mirë atë.

KultPlus ju sjell një fragment nga vepra ‘Të bëhesh’ e Obamës:

Ka ende shumë gjëra që nuk i di për Amerikën, për jetën, për atë çka e ardhmja mund të të sjellë. Por njoh mirë veten time. Im atë, Fraser-i, më pati mësuar të punoj fort, të qesh shpesh dhe ta mbaj fjalën.

Ime ëmë, Marian-a, më pati mësuar si të mendoj me kokën time dhe si ta përdor zërin tim. Së bashku, në apartamentin e tejmbushur të Anës Jugore të Çikagos, më ndihmuan të zbuloja vlerat në historinë tonë, në historinë time, në historinë më të madhe të Amerikës.

Edhe kur nuk është e bukur apo e përsosur. Edhe kur është më e vërtetë nga ç’do të doje të ishte. Historinë tënde e mbart me vete, do ta mbartësh gjithnjë me vete. Është diçka që duhet ta zotërosh tërësisht e të mos e harrosh kurrë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme