26 Gusht, 2025 - 9:30 pm
“Luli i Vocër” është një nga tregimet më prekëse të Migjenit, ku autori shfaq në mënyrë të hollë dhe të ndjeshme botën e brendshme të një fëmije të varfër, që përpiqet të gjejë vendin e vet në një shoqëri të vështirë.
Në këtë tregim, Luli, një djalë i vogël, nuk njihet nga shokët e tij, të cilët merren me lojën dhe punët e tyre, ndërsa ai i vëzhgon gjithçka nga korniza e tij personale. Autori përshkruan detajet e vogla të përditshmërisë së Lulit: rruga drejt shkollës, mbështetja te muri, ngrohtësia e diellit, dëshira për të pasur çizme si shokët e tjerë dhe dhembshuria për trupin e tij të vogël e të zhveshur, shkruan KultPlus.
Një nga momentet më të bukura të tregimit është afërsia me mësuesin, ku Luli përjeton dashuri dhe kujdes, por ndjen mungesën e asaj që do t’i jepte diçka mësuesit, përveç tollumbave të tij të vegjël. Migjeni përdor këto detaje për të treguar vulnerabilitetin, pastërtinë dhe ndjeshmërinë e fëmijërisë, si dhe hendekun mes nevojave materiale dhe shpirtërore.
Në këtë tregim, varfëria dhe ndjeshmëria shprehen me një gjuhë të pasur figurative, ku çdo objekt i vogël, si: dielli, çizmet, tollumbat, merr një kuptim emocional dhe simbolik. Luli nuk është vetëm një fëmijë i vogël; ai është pasqyra e një shoqërie që shpesh nuk vlerëson të vegjëlit dhe pafajësinë e tyre.
“Luli i Vocër” vazhdon të mbetet një nga tregimet më të njohura dhe më prekëse të letërsisë shqiptare, duke ofruar një lexim që emocionon dhe reflekton mbi gjendjen sociale, ndjeshmërinë njerëzore dhe bukurinë e botës së fëmijërisë.
Tregimi i plotë:
Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Noshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin. /KultPlus.com