Milan Kundera: Kam ardhur më 1 prill…

1 Prill, 2021 - 8:31 pm

“Unë kam lindur në 1 prill. S’mund të jetë pa impakt në nivelin metafizik”,  shprehet me ironinë që e karakterizon, gjatë një prej intervistave, shkrimtari Milan Kundera, i cili feston sot 92-vjetorin e lindjes. 

Frymëzim për shumë lexues, veçanërisht për shkrimtarët e tjerë, pena e autorit me origjinë çeke, Milan Kundera, ka shkaktuar jo pak çoroditje. Shtegtimi i tij mund të përmblidhej në dy faza: autor disident në Çekosllovaki, kurse në 1975 ai u bë një figurë e rëndësishme në jetën letrare franceze dhe ndërkombëtare.

Lindur në 1 prill 1929, Milan Kundera, shkrimtari, poeti, dramaturgu, eseisti çek, lexohet në gjithë botën, madje është një nga shkrimtarët më me ndikim në letërsinë botërore.

Citimet e Milan Kunderës janë vepra arti. Shumica e tyre janë pjesë e krijimtarisë së mrekullueshme letrare. Romanet nuk janë vetëm vendi ku shpalosen histori të bukura, por përmbajnë gjithashtu reflektime domethënëse për botën dhe njeriun e sotëm. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij i kushtohet realitetit çekosllovak. Përmes fjalive, zbulojmë një shkrimtar inteligjent, i aftë të zhytet në labirintet e pavetëdijes njerëzore:

Sa më e rëndë të jetë barra, aq më pranë tokës do jetë jeta jonë, aq më reale dhe autentike do të jetë.

Shkrimtari nuk është thjesht një romancier i shkëlqyer, përkundrazi ai prezantohet si një nga filozofët e thellë të kohës sonë. Vizioni i tij për botën është jashtëzakonisht realist dhe, në të njëjtën kohë, prekës. Një nga cilësitë e shkëlqyera, është të dish të kapësh motivimet e pavetëdijshme.

“Dëshira për rregull dëshiron ta shndërrojë botën njerëzore në një mbretëri inorganike ku gjithçka ecën, gjithçka funksionon, gjithçka i nënshtrohet një vullneti jopersonal. Dëshira për rregull është në të njëjtën kohë dëshira për vdekje, sepse jeta është një shkelje e përhershme e rregullit”.

Praktikisht, gjithë krijimtaria e shkrimtarit çekosllovak përshkohet nga tema e pushtetit, ndaj të cilit është jashtëzakonisht kritik, sikurse edhe ndaj moralit që buron prej tij.

“Sepse në këtë botë, gjithçka falet paraprakisht dhe gjithçka, lejohet, në mënyrë cinike”.

Shkrimtari jetoi në ashpërsinë e dominimit sovjetik, që spikaste për kufizimin e mendimit dhe shprehjes që buronte nga ky regjim.

“Një libër i ndaluar në vendin tënd, do të thotë pafundësisht më shumë, se miliona fjalë të vjella nga universitetet tona”.

Dashuria është një tjetër temë që përshkon gjithë punën e shkrimtarit. Tek “Lehtësia e padurueshme e qenies”, ai e lidh me rastësinë falë fatit.

Që një dashuri të jetë e paharrueshme, duhet që rastësitë të bashkohen që në momentin e parë”.

Burimi kryesor i ankthit qëndron tek ajo që ende nuk ka ndodhur. Mundësia që kjo të ndodhë fton frikën të marrë pjesë në jetën tonë. Në fakt, ne i frikësohemi fryteve të imagjinatës më shumë sesa vetë realitetit. Përballë kësaj bote, gjithmonë ndiejmë një shkëputje, një ndarje, një të çuditshme.

“Nuk do ta mësojmë kurrë pse i irritojmë njerëzit, çfarë na bën simpatikë, çfarë na bën qesharakë; imazhi ynë është misteri ynë më i madh”./Konica.al

Po ashtu, dhembshuria mes qenieve njerëzore na përfshin të vuajmë me tjetrin.

“Nuk ka gjë më të rëndë se dhembshuria. Edhe vetë dhimbja jonë, nuk është aq e rëndë sa dhimbja e ndjerë me një tjetër, për një tjetër, në vendin e një tjetri, rritur me imagjinatën, e zgjatur në qindra jehona”.

Këto citime janë vetëm një pjesë e vogël e krijimtarisë së tij të mrekullueshme. Jo më kot është një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të admiruar në të gjithë botën. Ai ka arritur të kapë thelbin e kohës sonë, ashtu si pak të tjerë ia kanë dalë, duke e pasqyruar fort bukur në të gjitha veprat. / KultPlus.com

Të ngjajshme