Mimoza Hasani-Pllana boton monografinë “Ndriçime për Thoma Kacorin”

26 Mars, 2023 - 8:20 pm

Në Prishtinë botohet monografia për “Rilindasin e fundit” Thoma Kacori

Vepra “Ndriçime për Thoma Kacorin” e prof. Mimoza Hasani-Pllana mbetet me rëndësi të themi që në krye të herës se argumenti i zgjedhur prej saj është atipik, për arsye se Thoma Kacorrin mund ta konsiderojmë pa mëdyshje si “Rilindasin e fundit” (Akademik Stefan Çapaliku).

Vepra studimore për Thoma Kacorin, atdhetarin, shkrimtarin, përkthyesin dhe profesorin e parë universitar të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Sofje të Bullgarisë, botohet në Prishtinë nga autorja Mimoza Hasani-Pllana. Duke pasur parasysh veprimtarinë e gjerë kulturore, letrare, eseistike dhe të mësimdhënies, libri studimor është strukturuar në tri rrafshe: 1. Kontributi i Thoma Kacorit në shoqërinë shqiptare të Sofjes; 2. Kontributi i Thoma Kacorit në hartimin e fjalorit bullgarisht-shqip dhe librave universitar për mësimin e gjuhës shqipe nga gjuha bullgare dhe angleze dhe 3. Vepra letrare e Thoma Kacorit (fabula, tregime, romane, poezi).

Thoma Kacori me familje

Profesor Dhimitri Bello, si një prej bashkëpunëtorëve dhe miqve të njohur të Kacorit, recensent i monografisë, vlerëson se libri që na sjell studiuesja Mimoza Hasani-Pllana i cili i kushtohet njërit prej albanologëve më të mirë e më të njohur që jetoi dhe punoi në Sofje të Bullgarisë deri në fund të jetës së vet, përmban vlera njohëse për të gjithë ata që e njohin ose nuk e njohin si emër, dinë ose nuk dinë thuajse asgjë për jetën dhe veprën e Thoma Kacorit. Profesor Bello, vë në pah se në këtë libër gjejmë pjesë njohëse për dy fshatrat, Arbanasi (që mendohet se është themeluar nga komunitei shqiptar në Bullgari) dhe Mandrica që edhe sot kemi shqiptarë të vendosur atje prej shumë kohësh; veprimtari të kolonisë së Sofjes me biografi të shkurtër të disa prej tyre; një fjalor i rëndësishëm bullgarisht-shqip të gjetur në Malin e Shenjtë; pjesë nga veprat e tij artistike në poezi dhe prozë etj. Pavarësisht se veprimtaria e tij është mjaft e gjerë dhe e gjithanshme, sidomos pjesa që lidhet me gjuhën shqipe, si lektor dhe studiues i saj, Bello vlerëson se vepra e Hasani-Pllanës ndriçon mjaft pjesë të jetës së tij. Një libër i tillë i ka munguar publikut shqiptar, me bindjen se ky do jetë vetëm fillimi, vlerëson ai.  Tutje në recensën e tij, profesor Bello shton se shfletimi i këtij libri e ktheu vite më parë dhe nëpërmjet rreshtave kujtoi fytyrën e dashur e gjithmonë të buzëqeshur të Thomait, duke vë në dijeni se me Thoma Kacorin ishte njohur gjatë studimeve universitare dhe doktorale në Bullgari (prej vitit 1993), dhe se kishte vazhduar miqësinë edhe pas kthimit në Shqipëri, deri në fund të jetës së tij. “Profesor Kacori është njeriu që së bashku me miken dhe bashkëpunëtoren e tij, njëkohësisht udhëheqësen time shkencore, Prof. Petja Asenova, më ka përkrahur dhe ndihmuar me shumë materiale gjuhësore që më duheshin për temën doktorale, por edhe si lektor i gjuhës shqipe në Bullgari. Dhoma e tij e punës, e rrethuar në të gjitha anët me bibliotekën që përmbante me mijëra kopje librash, u bë burimi im i informacionit dhe plotësimit me literaturë”, kujton profesor Dhimitri Bello.

Thoma Kacori

Ndërsa akademik Stefan Çapaliku, vepra letrare e të cilit është përkthyer dhe promovuar në gjuhën bullgare, e që po ashtu është recensent i monografisë  “Ndriçime për Thoma Kacorin”, potencon se Thoma Kacori pak i njohur ndër shqiptarë, ishte një figurë ndriçuese sidomos për koloninë historike të shqiptarëve të Bullgarisë. Ai veproi ndër kohë relativisht të vështira dhe të pafavorshme për të mbajtur gjallë relatat historike mes popullit shqiptar dhe atij bullgar, duke u përpjekur me vepra humane dhe vepra letrare ta forconte dhe ta nxiste këtë marrëdhënie. Ndaj, duke shqyrtuar nga afër veprën e prof. Mimoza Hasani-Pllana mbetet me rëndësi të themi që në krye të herës se argumenti i zgjedhur prej saj është atipik, për arsye se Thoma Kacorrin mund ta konsiderojmë pa mëdyshje si “Rilindasin e fundit”. Çapaliku shton se autoria e ka rrokur krejtësisht argumentin antropologjik të quajtur “Thoma Kacorri” dhe ia ka dalë të ndërtojë një tekst që i nxit lexuesit kurreshtjen për njohjen në themel të kësaj figure simpatike. Ajo përdor teknologjinë e pozitivizmit, duke ia dalë që ta shpjegojë veprën e Thoma Kacorrit nëpërmjet jetës së tij. Gjithashtu, autoria është treguar mjaft e kujdesshme ta vështrojë figurën brenda kontekstit politiko-historik të kohës kur veproi Kacori. Autoria është e ndërgjegjshme për funksionalitetin e letërsisë dhe filologjisë së Thoma Kacorrit dhe ndaj mbështetet fort në analizën përmbajtësore të këtyre veprave, vlerëson Çapaliku.

Monografia “Ndriçime për Thoma Kacorin” është botuar nga shtëpi botuese OLYMP në Prishtinë me përkrahjen e Këshillit të librit, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Thoma Kacori me familje

Të ngjajshme