Mimoza Hasani Pllana prezantohet me botimin më të ri “Poezia e Kosovës në tri kontekste (1990-1999)”

27 Shtator, 2022 - 2:56 pm

Mimoza Hasani Pllana sapo është prezantuar me botimin më të ri “Poezia e Kosovës në tri kontekste (1990-1999)”, botim ky nga Shtëpia Botuese “Onufri” në Tiranë, shkruan KultPlus.

Shtëpia Botuese “Onufri” ka njoftuar për këtë publikim ku kanë vlerësuar se në rrafshin teorik, studimi i veprës poetike bazohet në kornizat ekzistuese teorike.

“Mbështetur në faktin se letërsia nuk synon të arrijë të vërtetën shkencore, por e vërteta letrare i nënshtrohet së vërtetës artistike, ky punim është produkt i metodave të kombinuara; fenomenologjike, strukturale, historike-letrare, krahasuese, psikanalitike dhe metoda e kritikës feministe. Metodat e kombinuara me njëra-tjetrën janë në funksion të studimit të veprës poetike derisa kanë dhënë rezultate pozitive në zhvillimin e analizës. Ndërveprimi i metodave të kërkimit është treguar i suksesshëm shumë here, siç ndodhë me kritikën simbolike që shpesh ndërhyn dhe ndihmon kahjet tjera të kritikës letrare, si atë strukturaliste a psikanalitike, si dhe huazon mjaft instrumente kërkimi prej tyre. Kështu, kombinimi i metodave ishte i frytshëm edhe në procesin e përpjekjes për krijimin e një kuptimi të ri epistemologjik mbi poezisë shqipe të Kosovës nga viti 1990 deri në fund të vitit 1999”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë Botuese “Onufri”.

Kurse autorja e librit Mimoza Hasani Pllana ka thënë për KultPlus se kërkimi mbi poezinë bashkëkohore shqyrton veprën poetike gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, të njohur si njëra nga dekadat më produktive për poezinë e Kosovës.

“Dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit të kaluar shënon një kthesë në letërsinë shqipe në Kosovë, e cila përveçse e pasuron shekullin e poezisë me fenomene, autorë e autore të reja, e pasuron edhe me tipare të veçanta për nga shumëllojshmëria e vargut, tingëllima, simbolizimi, dendësia kuptimore dhe imazhet përshkruese. Këto diferencime tërhoqën vëmendjen time, më joshën për të filluar kërkimet dhe leximet e veçanta të një pjese të poezisë shqipe të krijuar në vitet 1990-1999 në Kosovë, në emigracion dhe për poezinë e kësaj kohe që ka tërhequr vëmendjen e përkthyesit europian, e cila në përgjithësi manifesotohet si një simptomë që kërkon trajtim. Pra, poezia e këtyre viteve, si zhanri letrar më i zhvilluar i dekadës, bëhet edhe produkt që kontribuoi në krijimin e kujtesës kolektive, si dëshmi e një mënyre të jetesës përshkruar me ngarkesa psikologjike të cilat bëjnë dallimin edhe në planin ideologjik, tematik dhe stilistik”, ka thënë Hasani Pllana.

Libri është i ndarë në disa cikle si: Poezia e Kosovës; Poezia e emigracionit 109;  Poezia shqipe në gjuhët europiane dhe Rezyme në gjuhën angleze dhe në gjuhën bullgare./ KultPlus.com

Të ngjajshme