Mirela Kumbaro flet para audiencës në Panairin e Librit në Lajpcig

17 Mars, 2018 - 8:44 pm

Ministre e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro ka vizituar kësisoj Panairin e Librit në Lajpcig – Leipziger Buchmesse, me praninë e Michael Roth, Ministër Shteti për Europën, shkrimtarit Christoph Ransmayr, si dhe ministrave të kulturës të disa vendeve të Ballkanit dhe përfaqësuesve më të rëndësishëm të rrjetit TRADUKI.

“Të nderuar miq të rrjetit Traduki,
Do ta nisja fjalën time me një pjesë leximi:
“I’m not crazy about borders; I can’t honestly say I hate them either. It’s just that they scare me, that’s all, and I always feel uncomfortable when I get too close to one. Let’s get something straight: I’m talking about visible borders here, geographical borders, the ones that mark off one country from another, one state from another, one nation from another. ……..My difficult relationship with borders goes back a very long way, back to my childhood, because whether or not you end up with border syndrome is largely a matter of luck: it depends where you’re born.
I was born in Albania.”
Kjo është sëmundja që shqiptarët, por jo vetëm shqiptarët, të gjithë ne duhet të përballojmë e ta kapërcejmë për t’u bërë bashkë: e nuk flas këtu vetëm për kufi gjeografikë, por edhe për ata politikë, gjuhësorë, socialë, kulturorë, psikologjikë, apo dhe ata më të padukshëm mes njëri-tjetrit. Po për t’i kapërcyer së pari na duhet t’i kuptojmë, t’i pranojmë. Nuk do të mjaftonin shkencat e gjeografisë, historisë, psikologjisë për t’i shpjeguar. Për t’i kuptuar duhen ndjerë, dhe këtë ndjesi të plotë në emocione dhe mendime ta fal veç letërsia.
ndjehem e nderuar që në emër të të gjitha vendeve anëtare të TRADUKI-t të përshëndes dhe të falenderoj, në këtë ditë të shënuar, themeluesit e këtij rrjeti, ata që patën largëpamësinë të ndërtonin një familje të madhe ku flitej gjuha e përbashkët e së ardhmes, ajo e Përkthimit, të krijonin një truall të përbashkët atë të Letërsisë.
“Letërsia më çoi tek liria dhe jo e kundërta”, është shprehja e shkrimtarit tonë Ismail Kadare.

Letërsia është e vetmja hapësirë ku njerëzit e kulturave dhe kombësive të ndryshme i bashkon bashkë thelbi njerëzor, thelbi që na bën të lirë, është vendi i lirisë së brendshme te secilit prej nesh, pavarësisht vendit ku jemi rritur: të madh a të vogël, të hapur apo të mbyllur, gjuhës që flasim: të lashtë apo të re, shumë apo pak të lëvruar, kulturës së cilës i përkasim, dhënëse apo pritëse.
Pikërisht se letërsia nuk bazohet në numra, në shifra, në fakte reale, po tek e bukura në ndjenja, në përjetime dhe në mendimet e individit, i jep vlerë të veçantës, unikes, së papërsëritshmes. Ndaj nuk mund të kishte urë më të mirë lidhëse, mes nesh se letërsia.
Traduki ia ka dalë ta krijojë këtë hapësirë lirie mes vendeve, këtë hapësirë vlerash njerëzore ku secili respektohet në vecantinë e tij, në thelbin e individualitetit që është gjuha.
“Tradukistani”, kjo tokë e përkthimit, ka arritur të vendosë rregull në kullën e Babelit, duke u dhënë rëndësinë e duhur përkthimit dhe përkthyesve.
Traduki ka arritur të krijojë në këto dhjetë vite një familje ku fliten dhjetë gjuhë të ndryshme e ndjehet vlerësimi për secilën prej tyre, ku bëjnë pjesë katërmbëdhjetë vende po ku asnjëra nuk mban kreun e tjetra bishtin, ku tavolinat e diskutimit janë të rrumbullakta dhe të gjithë kanë të drejtën e fjalës.
Traduki ka qenë dhe mbetet për ne paradhoma e Bashkimit Europian, një model interimi ku shtete që tashmë janë në Bashkimin Europian, madje dhe në krye të strategjisë dhe politikës së këtij organizmi, si Gjermania, gjejnë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit edhe me shtete aspirantë për në BE, si Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia, Serbia apo Shqiperia.
Kjo sepse në filozofinë e bashkëpunimit për Traduki-n, nuk mund të ketë një komunitet me të panjohur: me të panjohurin nuk ka të shkuar, nuk ka të ardhme, ka vetëm shkëmbim interesash në të tashmen.
Për të pasur komunitet jetëgjatë duhet të njohim të shkuarën e gjithësecilit me qëllim që të planifikojmë bashkë të ardhmen: dhe vetëm përmes shkëmbimit kulturor, përmes letërsisë mund të arrihet kjo njohje. Një njohje që nuk nënkupton lartësimin e vlerave unike në historinë e gjithësecilit, lëvdimin e rrënjëve të lashta e të pastra, nuk nënkupton ngritjen e idhujve dhe shpikjen e heronjve mbrojtës të qytetërimit të gjithësecilit, por nënkupton zbulimin e atyre vlerave që kemi të përbashkëta në thelbin tonë njerëzor, nënkupton gjetjen e pikëtakimeve të historive tona në shekuj. E rëndësishme në një komunitet të përbashkët nuk është t’i tregojmë njëri-tjetrit çfarë ne jemi, çfarë ne na dallon, por çfarë ne kemi të ngjashme, çfarë ne bëjmë çdo ditë, me përkushtim, për të qenë së bashku.
Gjithësecili nga ne ka një përfytyrim të vetin për atë që quajmë më të shtrenjtë, më të sigurt, më të mbrojtur, me më shumë dashuri e njerëz të besuar, të gjithë kemi parafytyrimin tonë për Heimat-in, shtëpinë, vartrën e njeriut: e pra, kjo imagjinatë që ngjan me kthimin në fëmijëri, ku çdo gjë është në shërbimin tënd dhe në mbrojtje tënden, ku çdo gjë është e njohur dhe e shtrenjtë, bëhet tashmë edhe më e bukur nëse e pasurojmë me përvoja të reja, me ato të përballjes me tjetrin, të ndryshmin, të panjohurin, nëse në këtë heimat, të ngulitur një herë e mirë në kujtesën tonë përpiqemi të ftojmë të tjerët, që ta njohin e ta nderojnë, si ne.
Pa shkëmbimet kulturore, në veçanti pa letërsinë, nuk mund ta arrijmë këtë njohje. Librat e përkthyer në gjuhë të ndryshme të ballkanit dhe në gjuhën gjermane, në këto dhjetë vite, kanë krijuar në heimat-in e secilit, bibliotekën tonë të miqësisë.

I jemi mirënjohës TRADUKI-t për të gjithë punën që ka bërë në këto 10 vite për ta ta pasuruar këtë bibliotekë, për të shtuar familje e madhe me gjuhë të reja, për të dhënë shembullin e mënyrës sesi mund të bashkëpunohet duke respektuar gjithësecilin. E meqenëse në familje secilit i thirret në emër, dua në emër të falenderoj Anjen, Hanën, Andrejn dhe Aylin! Të falenderoj lagpamësinë e themeluesve, fondacionin Fisher, partnerët tanë: Federal Ministry for Europe, Integration and Foreign Affairs of the Republic of Austria, German Federal Foreign Office, Swiss arts council Pro Helvetia, KulturKontakt Austria (on behalf of the Federal Chancellery of Austria), Goethe-Institut, Slovenian Book Agency JAK, Ministry of Culture of the Republic of Croatia, Department of Culture of the Government of the Principality of Liechtenstein, Cultural Foundation of Liechtenstein, Ministry of Culture and Information of the Republic of Serbia, Ministry of Culture and National Identity of the Republic of Romania, Ministry of Culture of Montenegro, Leipzig Book Fair, and the Ministry of Culture of the Republic of Macedonia.
I falenderojmë të gjithë dhe kemi bindjen se ky bashkëpunim do të japë frytet e veta edhe në fushat e tjera përtej kulturës.
Urojmë që TRADUKI të zgjerohet në të ardhmen, për të arritur atë që deri dje dukej e pamundur: komunikimin mes shumë gjuhëve pa shpikur një të vetme, po duke vlerësuar Përkthimin si tokë të ndërmjetme ku kufinjtë shkrihen dhe barrierat bien.
Faleminderit familjes së TRADUKI-t! Gëzuar ditëlindjen!”

Në ditët e Panairit të Librit në Lajpcig 2018, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi u takua me homologun e Malit të Zi, Aleksandar Bogdanović, ku diskutuan mbi projekte të përbashkëta, të cilat marrin udhë me dy projekte IPA në bashkëpunim me partnerët italianë. Dy ministrat shprehën angazhimin dhe gadishmërinë për komunikime të mëtejshme dhe bashkëpunime, jo vetëm të dy ministrive, por dhe institucioneve të artit dhe kulturës, me synimin e një takimi, i cili do të realizohet në Cetinjë.

Të ngjajshme