Misteri i letrave të shkatërruara të Jane Austen – nga vetë motra e saj

4 Shtator, 2025 - 4:30 pm

Jane Austen është një nga shkrimtaret më të mëdha të gjuhës angleze, por dihet shumë pak për të. Kjo, pjesërisht, për shkak të një akti që ende sot zemëron shumë njerëz: motra e saj e dashur, Cassandra, dogji pjesën më të madhe të letrave të saj. Ky mister është në qendër të dramës së re televizive të BBC-së, Miss Austen.

Në janar të vitit 1796, Jane Austen, 20 vjeç në atë kohë, i shkruan një letër të mbushur me thashetheme motrës së saj të madhe, Cassandra. Ajo i tregon për një djalë që i pëlqente shumë, Tom Lefroy, një avokat irlandez me të cilin kishte kërcyer në tri ballo. Jane e përshkruan me humor marrëdhënien me të dhe përmend se ai do të largohej, duke shkruar:

“Së fundmi ka ardhur dita kur do të flirtosh për herë të fundit me Tom Lefroy… Lotët më rrjedhin teksa shkruaj për këtë ide të trishtuar.”

Këto letra të hershme, që janë ndër të vetmet që kanë mbijetuar, na paraqesin një Jane të re, të gjallë, lozonjare, me humor të mprehtë dhe dashuri për jetën.

Pas vdekjes së Jane-it më 1817, Cassandra dogji pothuajse të gjitha letrat që kishin shkëmbyer. Nga mijëra që besohet se ekzistonin, kanë mbetur vetëm 160. Ky veprim ka lënë të frustruar historianët dhe biografët për dekada me radhë.

Por drama Miss Austen, bazuar në romanin e suksesshëm të Gill Hornby, përpiqet ta kuptojë arsyen.

Cassandra, në këtë histori, udhëton në Kintbury për të kërkuar disa letra që Jane kishte shkruar te miqtë e tyre, me frikën se mund të përmbanin diçka që mund të dëmtonte imazhin e saj. Në këtë dramë, historia zhvillohet në dy kohë, vitin 1830 dhe disa dekada më parë, kur motrat ishin të reja.

Gill Hornby, autorja e romanit, ka një teori personale:

“Letrat ishin plot thashetheme për familjarë, motra të vështira, dhe ankesa për para. Cassandra ndoshta donte të shmangte dëmtimin e kujtimit të Jane-it, por edhe të ndalonte zemërime të mundshme mes të gjallëve.”

Devoney Looser, profesoreshë e letërsisë dhe eksperte e Austen, thotë se ndoshta Cassandra i dogji letrat për të mbrojtur motrën nga kritikat mizore që kishin filluar të ndodhnin në atë kohë, sidomos pas publikimit të letrave të shkrimtares Frances Burney, që u sulmuan ashpër nga shtypi viktorian.

Të dyja, si Hornby ashtu edhe Looser, e mbrojnë Cassandrën:

“Jane ishte një person shumë privat. Ajo nuk kërkonte famë, por thjesht donte të shkruante. Publikoi anonimisht gjatë gjithë jetës së saj,” thotë Hornby.

“Të gjitha sekretet që ne dëshirojmë t’i dimë sot, ndoshta janë të njëjtat që ajo nuk do të donte kurrë të ndaheshin.”

Looser shton se Cassandra është njëkohësisht shkatërruesja më famëkeqe e letrave të Jane, por edhe personi që ruajti më shumë letra të saj sesa çdo anëtar tjetër i familjes.

Jane dhe Cassandra ishin të pandashme. Jetuan bashkë për pjesën më të madhe të jetës dhe nuk u martuan kurrë. Cassandra është personi i vetëm me të cilin Jane diskutonte për veprat e saj. Madje, portreti i vetëm i besueshëm i Jane është vizatuar nga vetë Cassandra.

Pas vdekjes së Jane-it, Cassandra shkruante:

“Ajo ishte dielli i jetës sime, zbukuruesja e çdo kënqësie dhe ngushëlluese e çdo dhimbjeje.”

Në thelb, “Miss Austen” është një histori për jetën e grave në shekullin XIX – të varura financiarisht nga burrat, me pak opsione dhe me martesën si formë mbijetese.

“Jetët e tyre ishin si një pistë pengesash – dhe shmangia e rreziqeve ishte pjesë e përditshmërisë së tyre,” thotë Hornby.

Në vitin kur shënohet 250-vjetori i lindjes së Jane Austen, ajo mbetet një figurë që vazhdon të frymëzojë. Përveç “Miss Austen”, janë në zhvillim edhe:

The Other Bennet Sister, një dramë e re për Mary Bennet (BBC)

Një version i ri i “Pride and Prejudice” nga Netflix

Libri i ri “Wild for Austen” nga Devoney Looser, që e sheh Jane-in si një figurë rebele, nënvleftësuar dhe larg imazhit të “prim & proper”

“Austen vazhdon të ndikojë sepse flet për tema universale, analizon shoqërinë me saktësi dhe është shumë e zgjuar. Për më tepër, ajo është tepër qesharake,” përfundon skenaristja Andrea Gibb.

Dhe ndoshta, nuk duhet ta gjykojmë aq rëndë Cassandrën. Kush prej nesh do të dëshironte që mesazhet dhe letrat tona më intime të lexoheshin nga të gjithë?/BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme