‘Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë’- promovohet monografia e Abdurrahman Shalës, konsiderohet udhërrëfues për pasurimin e sistemit të vlerave

24 Prill, 2024 - 11:59 am

Vjollca Duraku
Foto: Sovran Nrecaj

Gjigand, hijerëndë e plot autoritet, qëndronte portreti i artistit Abdurrahman Shala në ballë të sallës ku pikërisht 30 vite pas vdekjes së tij, familjarë, miq, kolegë, artistë dhe përfaqësues të institucioneve, ishin mbledhur për të promovuar monografinë “Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”.

Kjo monografi e cila është realizuar nga autori Visar Krusha është përmbledhje kronologike e detajeve të jetës së Abdurrahman Shalës duke paraqitur rrugëtimin e tij jetësor, i cili ishte mjaft sfidues dhe plotë dramë jetësore, të cilat e shëndrruan atë në një mjeshtër që punën e vështirë e bënte të dukej se ishte lehtë e realizueshme.

Në libër shpaloset fëmijëria e tij e hershme dhe jeta e tij buzë detit në Shqipërinë Monarkike, përpjekja e tij e dështuar për t’u pranuar në Shkollën e Aktrimit në Beograd, aprovimi i ftesës së motrës së tij Mehribanes për t’iu bashkuar grupit të parë të trupës së aktorëve shqiptar në Teatrin e Kosovës, pjesëmarrja e së cilit në këtë institucion i dha vulën e “nismëtarit” për shumë projekte teatrale e filmike, të cilat janë paraqitur së bashku përvojat e kolegëve e familjarëve të aktorit, duke prekur thelbin e figurës së tij.

Vetë prania e mysafirëve në këtë promovim tregonte se ai qe një personalitet i jashtëzakonshëm, të cilit tre dekadat e kaluara nuk ia kishin zbehur aspak gjurmët. Përderisa, ashtu si në të gjallët e tij, figura e tij vëzhgonte në heshtje për të integruar kuptimin e thellë të ngjarjes, karakteristikë kjo që e kishte shndërruar atë në një mjeshtër të artit në disa dimensione, si aktor i teatrit dhe filmit, regjisor, producent, themeltar e drejtues institucional, e mbi të gjitha vizionar, idetë e së cilit tejkalonin aktualitetin e kohës kur ai jetoi.

Ceremonia e promovimit filloi nën interpretimin artistik të Armend Smajlit me poezinë “Deti” të Fatos Arapit e cila në mënyrë figurative përshkruante jetën e protagonistit.

Më tej përgjatë fjalimit, përveç fjalëve përshëndetëse aktori Smajli figurën e Abdurrahman Shalës e quajti pasuri shpirtërore, e cila përmes kësaj monografie është ndriçuar dhe si e tillë do të ruhet edhe për brezat e ardhshëm.

“Në përvjetorin e 30-të të vdekjes së tij ka pasur për qëllim parësor hedhjen në dritë të një figure artistike të jashtëzakonshme të vendit tonë, si një thesar i çmuar i trashëgimisë sonë teatrore e filmike. Kjo është një histori shpirtërore që duhet të ndriçohet e të ruhet për brezat e ardhshëm”, ka thënë Smajli.

Ndërsa Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në fjalimin e tij tha se Abdurrahman Shala si artist e nismëtar i disa prej projekteve e institucioneve këtu duke përfshirë edhe “Kosova Filmin” ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve publike, kulturore të vendit.

“Si anëtar i trupës së aktorëve shqiptar të Teatrit Kombëtar ai ishte një nga themeluesit e sektorit të dramës shqipe në këtë institucion. Bashkë me kolegët e gjeneratës së tij, luajtën për herë të parë në gjuhën shqipe por edhe në atë turke. Ai gjithashtu u bë regjisori i parë shqiptarë në këtë teatër madje duke sjellë në skenë edhe tekstin e parë shqip “Nuk martohem me pare” të Mutezan Pezës”, ka thënë Ministri Çeku.

Ai më tutje shtoi se sukseset e shumta ndërkombëtare të vendit në film dhe teatër sot, kanë gjenezën nga sukseset e gjeneratës së Abdurrahman Shalës, të cilët me filmat e tyre kanë marrë shumë shpesh edhe çmime në festivalet e kohës.

“Ky vit shënon 30 vjetorin e vdekjes së Abdurrahman Shalës. Botimi i monografisë kushtuar këtij është akti më i bukur i përkujtimit me të cilin do ta mbajmë edhe më afër kujtimin e tij të përjetshëm”, është shprehur Ministri Çeku.

Ndërsa Miranda Shala në emër të familjes së aktorit Abdurrahman Shala me nostalgji e risolli para të pranishmëve figurën e familjarit të saj, të cilin e thërrisnin “Lalko”, e  që ndër të tjera i kishte porositur që gjiththherë punën ta bënin me zemër.

“Unë jam e sigurt se shumica në këtë sallë e kanë njohur “Lalkon” dhe jam e sigurt se të gjithë pajtoheni që ai ka pasur një prezencë të jashtëzakonshme. Rreptësia në fytyrën e tij, prezenca e tij, zëri i tij kur i ka thënë ato pak fjalë kanë reflektuar seriozitet dhe të ka imponuar një autoritet të tmerrshëm. “Lalko” ka qenë njeri i pak fjalëve. Pesha e heshtjes së tij të ka pushtuar. Por prapa kësaj qehreje të rëndë “Lalko” në brendësi ka qenë tmerrësisht i butë. Mënyra se si ai na ka dashur, përkëdhelur e përqafuar dhe si dhe kur na ka komplimentuar na ka përmbushur me dashuri që ende sot na përcjellë” ka thënë Miranda Shala.

 Ajo më tej shtoi se mbi të gjitha “Lalko” kishte qenë edhe vizionar, i cili para 55 vitesh e kishte ideuar një projekt të domosdoshëm por që Kosovës i mungon ende.

 “Kur është themeluar “Kosova Filmi” 55 vite më parë ai e ka paramenduar atë si një vend me disa salla të kino-s, amfiteatër, parqe e restorante, me qëllim që me i sjellë fëmijët dhe njerzit për vikend të kalojnë ditën aty. Do të thotë ka dashur të bëj vend atraktiv për gjithë familjen sepse “Lalko” e ka ditë rëndësinë e artit për zhvillimin e njeriut dhe shoqërisë. Një vend i tillë na mungon edhe sot”, përfundoi Shala duke treguar se Abdurrahman Shala në kohën e Luftës së Dytë botërore kishte shpëtuar shumë shqiptarë nga burgu, gjë të cilën nuk e kishte përmenduar asnjëherë për rrethin e gjerë.

Më tej fjalën e mori autori i monografisë Visar Krusha i cili tha se shumë qejf kishte pranuar ftesën për të punuar një monografi të tillë për këtë figurë karizmatike e cila përmes projekteve filmike e kishte pushtuar.

“Ajo që më ka fascionuar mua është se në të gjitha profilet që ka punuar ka pasur profesionalizëm dhe një nivel  të lartë të performancës, njëkohësisht edhe me shumë përgjegjësi e këmbëngulje për të quar përpara dhe për të ngritur standardin e të krijuarit teatër dhe film në Kosovë, gjithmonë në favor të së mirës së përgjithshme” ka thënë autori Krusha.

Ai po ashtu tha se ndihet shumë i lumtur për botimin e këtij libri, i cili mund të shërbejë si referencë për gjeneratat e reja për të njohur më mirë traditën e filmit që e ka krijuar Shala bashkë me krijuesit e tjerë të gjeneratës së parë në Kosovë, për ta zhvilluar në traditë e për ta pasuruar këtë sistem të vlerave.

 “Mendoj që ne si gjeneratë më e re e njerëzve që merremi me teatër dhe film jemi shkëputur pak nga ajo traditë dhe sistemi i vlerave që ka krijuar kjo gjeneratë, e në anën tjetër mendoj që kemi shumë për të mësuar nga ata. Në këtë kontekst besoj që duhet të merremi më seriozisht me konsolidimin e arkivave të krijimtarisë teatrore dhe filmike në Kosovë. Ato ekzistojnë por nuk janë të sistemuara e të qasshme për publikun”, ka përfunduar autori duke potencuar se gjatë punës në këtë krijimtari ka kuptuar që arkivimi i krijimtarisë artistike, i një institucioni kulturor dhe qasja e publikut në të është po aq e rëndësishme sa edhe vetë krijimtaria artistike.

Krejt në fund të ngjarjes aktori Armend Smajli u paraqit edhe njëherë me një poezi, kësaj radhe nga autori  Din Mehmeti “Këndo ose vdis pa klithë”, pas së cilës të pranishmit patën mundësi të shijojnin ndejën nën tingujt e bukur të këngëve të Abdurrahman Shalës, krijuesit të projekteve si “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”,  “Si të vdiset”, “Era dhe Lisi” , “Kur pranvera vonohet”, “Proka”, “Njeriu prej dheu” etj.

Monografia “Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” është botuar nga shtëpia botuese “Integra” me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe fondacioni Rockefeller Brothers./ KultPlus.com

Të ngjajshme