“Modaliteti në gjuhësi”, libri i ri i Vjosa Sadriu – Hamitit që flet për gjuhën dhe mendimin

15 Maj, 2025 - 6:55 pm

Ditët e fundit ka dalë nga shtypi libri më i ri i studiueses dhe profesoreshës Vjosa Sadriu Hamiti, me titull “Modaliteti në gjuhësi”, botuar nga Botimet XHAD në Prishtinë.

Ky është libri i dytë i autores, pas botimit të parë në Gjermani më 2019, “Epistemische Modalität – die Äußerungsmöglichkeiten im Deutschen und ihre Äquivalente im Albanischen”, i cili trajtonte modalitetin epistemik në gjermanisht dhe shqip.

Libri i ri është rezultat i viteve të gjata pune kërkimore dhe studimore mbi temën e modalitetit në gjuhë, një fushë komplekse dhe pak e trajtuar në gjuhësinë shqipe. Autorja e përshkruan librin si një përpjekje për të bashkuar gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, duke e analizuar modalitetin jo vetëm nga aspekti gjuhësor dhe gramatikor, por edhe nga këndvështrimi filozofik, pragmatik dhe diskursiv.

“Modaliteti në gjuhësi” është libër që synon të bashkojë gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, duke shqyrtuar jo vetëm aspektet gramatikore dhe semantike të modalitetit, por edhe dimensionet e tij filozofike, pragmatike dhe diskursive”, ka shkruar autorja.

Libri vjen si një kontribut origjinal për studimet gjuhësore në gjuhën shqipe dhe për të gjithë ata që interesohen për mënyrën se si gjuha shpreh mendimin, qëndrimet dhe mundësitë e folësit./KultPlus.com

Të ngjajshme