30 Maj, 2025 - 2:05 pm
Ditët e fundit ka dalë nga shtypi libri më i ri i studiueses dhe profesoreshës Vjosa Sadriu Hamiti, me titull “Modaliteti në gjuhësi”, botuar nga botimet Xhad në Prishtinë. Ndërkaq, sot në ambientin e sallës Idriz Ajeti në Fakultetin Filologjik, u bë promovimi i librit, shkruan KultPlus.
Ky është libri i dytë i autores, pas botimit të parë në Gjermani më 2019, “Epistemische Modalitet – die Äußerungsmöglichkeiten im Deutschen und ihre Äquivalente im Albanischen”, i cili trajtonte modalitetin epistemik në gjermanisht dhe shqip. Libri i ri është rezultat i viteve të gjata pune kërkimore dhe studimore mbi temën e modalitetit në gjuhë, një fushë komplekse dhe pak e trajtuar në gjuhësinë shqipe. Autorja e përshkruan librin si një përpjekje për të bashkuar gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, duke e analizuar modalitetin jo vetëm nga aspekti gjuhësor dhe gramatikor, por edhe nga këndvështrimi filozofik, pragmatik dhe diskursiv.
“Modaliteti në gjuhësi” konsiderohet si një libër që synon të bashkojë gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, duke shqyrtuar jo vetëm aspektet gramatikore dhe semantike të modalitetit, por edhe dimensionet e tij filozofike, pragmatike dhe diskursive. Libri vjen si një kontribut origjinal për studimet gjuhësore në gjuhën shqipe dhe për të gjithë ata që interesohen për mënyrën se si gjuha shpreh mendimin, qëndrimet dhe mundësitë e folësit.
“Modaliteti në gjuhësi” mëton të jetë një ndihmesë origjinale në shqip për këtë fushë interesante të dijes. Libri mëton që domenin e modalitetit ta shpjegojë me gjuhë të saktë, edhe terminologjike, por të kapshme për publikun e gjerë lexues. “Modaliteti në gjuhësi” është vepër që e përmbledh gjuhën e dijes dhe dijen e gjuhës, të cilat, mbas një pune të gjatë kërkimore, botohet në një libër origjinal në shqip.
Libri strukturohet në pesë kapituj që e trajtojnë këtë fushë të ndërliqshme të gjuhësisë nga aspekte të ndryshme.
Kapitulli i parë i shqyrton parimet themelore të modali-tetit si kategori gjuhësore, duke nxjerrë në pah lidhjet e saj me fushat përtej gjuhës, veçanërisht me filozofinë dhe me logjikën modale. Kapitulli i dytë i trajton mënyrat se si modaliteti përjetohet dhe përçohet në kontekste të përditshme të të folurit dhe të përkthimit, por edhe në procesin e nxënies dhe/apo mësimor, aty ku ndërtohet kuptimi gjuhësor dhe ndërgjuhësor. Kapitulli i tretë fokusohet në shprehjet gjuhësore të modalitetit, duke i analizuar krahasimisht format dhe mjetet në dispozicion të gjuhëve shqipe dhe gjermane, duke i përvijuar ndërtimet e tyre leksikore, sintaksore dhe semantike. Kapitulli i katërt e çon më tutje këtë kërkim, duke i trajtuar foljet modale dhe rolin e tyre në strukturën morfosintaksore të të dyja gjuhëve, për t’i hetuar afritë dhe ndryshimet sistemore ndërmjet tyre. Kapitulli i pestë i përmbledh rezultatet e punës kërkimore mbi bazën e një korpusi të zgjedhur letrar, në shqip dhe në gjermanisht, si dëshmi konkrete e realizimeve gjuhësore në letërsi. I shtjellon po ashtu qasjet metodologjike që janë ndjekur në punë të analizës kontrastive. Në kapitullin e fundit të librit modaliteti shqyrtohet hollësisht nëpërmjet foljeve modale, me theks jo vetëm te funksionet e tyre në planin gjuhësor, por edhe te mënyrat se si ato dëftojnë qëndrime, qëllime apo domosdoshmëri në rrafsh diskursiv.
Në promovimin e librit, për librin foli profesoresha nga Universiteti i Prishtinës, Lindita Tahiri dhe profesoresha nga Tirana, Brikena Kadzadej.
Profesoresha Lindita Tahiri ka thënë se studimi i autores Hamiti kontribuon në njohuritë rreth asaj se çka është universale e çka specifike për secilën gjuhë.
“Libri është avancim në studimet e gjuhësisë tek ne, duke trajtuar një fushë jo shumë të studiuar në kërkimet tona shkencore që ndërlidh disa disiplina të gjuhësisë dhe filozofisë si semantikën, pragmatikën, logjikën, komunikologjinë, analizën e diskursit. Në libër përfshihet një kornizë e gjerë teorike, e shoqëruar me ilustrime praktike që e qartësojnë, pasurojnë analizën dhe e bëjnë më të qasshme jo vetëm për lexuesin akademik. Autorja me ilustrimet e saj e veçon gjuhën juridike, ku si thotë ajo: “Modaliteti nuk është thjeshtë element gramatikor, por instrumenti me të cilin formulohet detyrimi, kufizohet liria, prandaj dhe ndryshimet më të vogla në modalitet, mund të bartin pasoja të mëdha”. Në përkthimin letrat, në të cilin poashtu e trajton autorja, përkthimi i modalitetit nuk është vetëm estetik por edhe kulturor dhe pragmatik. Ndërkaq, në mësimdhënie/mësimnxënie ajo i thekson pasojat e përvetësimit të mangët të modalitetit që e dëmtojnë jo vetëm zotërimin e gjuhës, por vetë të menduarit”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, funksionin e modalitetit, ky libër e shqyrton përmes një analize kontrasive të foljeve modale në shqip dhe gjermanisht duke shpërfaqur mënyra se si këto forma modale shprehin qëndrimin e folësit ndaj dijes, detyrimit dhe mundësisë.
“Autorja i shqyrton kategoritë semantike të modalitetit në të dy gjuhët, shprehjen e tyre gramatikore dhe leksike, strukturën sintaksore si dhe pragmatikën kulturore. Studimi i saj kontribuon në njohuritë rreth asaj se çka është universale e çka specifike për secilën gjuhë. Poashtu nxit pyetje rreth sfidave të përkthimit dhe rëndësinë e interpretimit të modalitetit. Në fushën e mësimdhënies është interesante sepse e tërheq vëmendjen ndaj të mësuarit përtej strukturave gramatikore që është mësimdhënia tipike tek ne, dhe sipas saj, meqenëse bëhet fjalë për përvetësimin e nuancave semantike dhe të tonit, bëhet fjalë për pozicionimin e vetvetes si folës. Përtej kontributit të rëndësishëm në gjuhësinë kontrastive, ky studim përqendrohet në një nga çështjet më thelbësore në studimin e gjuhës, në marrëdhënien e ndërlikuar mes gjuhës dhe mendimit. Duke shqyrtuar funksionimin e modalitetit në gjermanisht dhe shqip, libri ofron njohuri të rëndësishme për mënyrën se si sistemet e ndryshme gjuhësore e formësojnë perceptimin tonë për realitetin. Kërkimi nxit pyetje se si gjuha ndikon në konceptin e të vërtetës, mundësisë dhe përgjegjësisë”, përfundon ajo.
Po ashtu, profesoresha Brikena Kadzadej ka thënë se punimi/libri i autores Hamiti e sheh shqipen jo si një objekt të heshtur studimi por si një sistem të gjallë që kërkon qasje të thella analitike dhe ndërdisiplinore.
“Libri i saj është një ndihmesë e çmuar në gjuhësinë shqiptare, që sjell një trajtim të thelluar, strukturuar dhe shkencërisht të argumentuar për një në kategoritë më komplekse dhe më sfiduese të gjuhës në përgjithësi, modaliteti. Që nga periudha e hershme e studimeve të para gjuhësore, tematika e modalitetit ka qëndruar në margjinat e vëmendjes teorike, por falë këtij punimi, ajo merr më në fund, vendin që meriton, në qendër të analizës shkencore. Ky punim, hulumtim vjen si vazhdim i zhvillimeve të përpjekjeve të mëhershme të gjuhëtarëve shqiptarë si Shaban Demiraj, Mahir Domi, Idriz Ajeti e të tjerë. Është hedhur dritë mbi aspekte të rëndësishme të gjuhës shqipe, por modaliteti si kategori që ndërthur morfosintaksën, semantikën e pragmatikën, ka mbetur një terren i hapur për hulumtime të mëtejshme. Kësaj thirrjeje teorike, i është përgjigjur me profesionalizëm, autorja Hamiti, duke ndërtuar ura të reja ndërmjet përvojës shqipe dhe qasjeve moderne të gjuhësisë teorike”, thotë ajo.
Sipas saj, e veçanta e këtij punimi është përpjekja për të pozicionuar gjuhën shqipe në kontekstin e gjuhëve indoevropiane dhe për ta trajtuar atë, me të njëjtat standarde shkencore, dhe rigorozitet akademik që i kërkohen një gjuhe me dinjitet dhe trashëgimi.
“Ky punim e sheh shqipen jo si një objekt të heshtur studimi por si një sistem të gjallë që kërkon qasje të thella analitike dhe ndërdisiplinore. Kjo është arsyeja pse ky hulumtim nuk është thjeshtë një përmbledhje e teorive të mëparshme por një kontribut i ri që hap rrugë për hulumtime të reja, për një ndërthurje të qëndrueshme ndërmjet gjuhësisë shqiptare dhe zhvillimeve moderne teorike në shkencat e gjuhës”, përfundon Kadzadej.
Krejt në fund, autorja e librit, Vjosa Sadriu Hamiti ka thënë se libri nuk është vetëm studim por një përpjekje për ta kuptuar atë se çka mund të jetë fjala.
“Të nderuar të pranishëm, sigurisht që nuk mund të mos falënderoj, sepse edhe falënderimi është një akt modal. Ky nuk është vetëm pohim por mundësi, nevojë, dëshirë dhe detyrim i brendshëm. Unë duhej të flisja, mund të heshtja ndoshta, por nuk kishte se si të mos flisja. I falënderoj profesoreshat e nderuara të cilat folën sot në këtë promovim. E kanë lexuar të parat, e recensuan librin tim. I çmoj vlerësimet e tyre profesionale dhe akademike. Në promovimin e librit sot, ju nuk ishit thjeshtë pjesëmarrës por u bëtë dëshmitarë të asaj që fjala ime synonte, të shqyrtonte mundësinë dhe domosdoshmërinë e të folurit, të menduarit. Në një botë ku gjithçka mund të thuhet, por pak gjë duhet të thuhet, ju zgjodhët të dëgjoni. Çfarë habie e bukur. Kjo zgjedhje është akt i rrallë dhe unë nuk mund të mos e quaj këtë një nder për fjalën time, kërkimin tim, librin tim. Ky libër nuk është vetëm studim por një përpjekje për ta kuptuar atë se çka mund të jetë fjala. Ju e dëshmuat se fjala mund të jetë vendtakim i mendjes dhe zemrës. Sigurisht kjo më jep shpresë se fjala ende ka peshë.”
Modaliteti është fushë e gjuhësisë dhe e filozofisë, fare pak e trajtuar te ne, me të cilën profesoresha dhe autorja e librit, Vjosa Sadriu Hamiti, merret tash e dy dekada./ KultPlus.com