‘Moti i madh’ i Skënderbeut në letërsinë shqipe

30 Gusht, 2018 - 11:11 am

Lexuar nga Flamur Maloku në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Nuk ka ndonjë periudhë të letërsisë, që evidenton historia e letërsisë shqiptare, që heroi kombëtar – Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), të mos ketë qenë protagonist i ngjarjeve historike të kohës së tij. Me këtë figurë kombëtare shkrimtarë shqiptarë, por dhe të huaj, kanë identifikuar, në pjesën më të madhe, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Së këndejmi, një pjesë e madhe e autorëve shqiptarë, prej atyre që janë në programe të shkollave e të fakulteteve, të mos ketë shkruar për Skënderbeun, të paktën, një poezi, një poemë, një tregim, një roman, a një shkrim publicistik a një tjetër artistik për strategjinë dhe të bëmat e tij. Udhëtimi i këtij heroi nacional në letrat shqipe zë fill në veprat historiografike, tek ato të letërsisë së vjetër, kryesisht në të Frangut, të Barletit dhe të Bardhit, duke vazhduar bujshëm në veprat e shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, të De Radës,të Naimit, të Çajupit etj., të cilët himnizuan “motin e madh” të Skënderbeut. Po kaq sa rilindësit, për heroin kombëtar dhe për çështjen kombëtare në letërsi, shkruan edhe klasikët dhe modernët shqiptarë: Noli, Godoja, Kadareja, të cilët, nëpërmjet depërtimit të madh dhe të shpejtë në letërsinë e huaj, qytetërimin shqiptar e bartën dhe e treguan jashtë kufijve shqiptarë, me vepra poetike, romanore dhe publicistike.

Të ngjajshme