Murakami apo Ulitskaya për Nobelin e Letërsisë

3 Tetor, 2023 - 3:30 pm

Çmimi Nobel për Letërsinë 2023 do të shpallet të enjten, më 5 tetor në orën 13:00.

Parashikuesit rrallë kanë pasur të drejtë për shkrimtarët, të cilët mund të fitojnë çmimin e lakmuar të Akademisë Mbretërore Suedeze.

Me rregullore, emrat janë sekret dhe lista e ngushtë, duke u shqyrtuar nga juria, është e blinduar.

Pra, të hamendësosh se kush do të fitojë do të mbetet një detyrë e pamundur.

Ndërsa ka filluar numërimi mbrapsht, thuhet se fitues mund të jetë një autor ukrainas si Andrej Kurkov, i cili së fundmi publikoi ”Bletë gri”.

Në vorbullën e të preferuarave janë edhe shkrimtari japonez, Haruki Murakami, i cili është ngritur në krye të faqeve britanike të basteve, por edhe shkrimtarja dhe skenaristja ruse Lyudmila Ulitskaya, gruaja e parë që fitoi çmimin rus ”Booker” në 2001, autore e librit ”Ëndrra e Jakovit” dhe e ”Midis trupit dhe shpirtit”, pa harruar shkrimtarin kinez Can Xue, pseudonimi i Deng Xiaohua, i cili botoi së fundmi ”Dialogje në qiell”.

Gjithashtu në pritje janë edhe shkrimtari amerikan, Thomas Pynchon dhe shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse.

Ndërkohë, edhe Laszlo Krasznahorkai, i konsideruar nga kritikët si shkrimtari më i rëndësishëm hungarez i gjallë dhe australiani Gerald Murnane, pak i njohur, janë te preferencat kryesore.

Rikthehen këtë vit kandidatët e shumtë për fitore, si Salman Rushdie, autori i ”Vargjeve satanike”, i cili u sulmua më 12 gusht 2022 në festivalin letrar ”Chautauqua” në Nju Jork, apo shkrimtari i madh rumun Mircea Cartarescu si edhe fituesja dy herë e çmimit ”Booker”, Margaret Atwood.

Shkrimtari i diskutueshëm Michel Houellebecq dhe Emmanuel Carrere mbeten në renditje.

Milan Kundera, i cili vdiq më 11 korrik 2023 dhe Cormac McCarthy, i cili ndërroi jetë më 13 qershor 2023, të cilët ishin ndër kandidatët për fitore prej një kohë të gjatë, nuk do të mund të fitojnë më.

Në vitin 2022, shkrimtarja franceze Annie Ernaux mori çmimin Nobel për Letërsinë, duke e çuar numrin e grave në 17 nga 118 fitues.

Fituesi më i ri është Rudyard Kipling, i cili ishte 41 vjeç kur fitoi çmimin Nobel për Letërsinë, në 1907.

Më e moshuara, Doris Lessing, e cila ishte 88 vjeçe kur mori çmimin në vitin 2007./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme