Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës

28 Mars, 2018 - 1:00 pm

E premtja e fundit e marsit, më 30 mars, sjellë sërish takimet e seminarit “Përthyerje Antropologjike” në auditorium-in e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, me fillim nga ora 17:00, shkruan KultPlus.

Kjo pasdite i kushtohet figurës emblematike të Musine Kokalarit, vepra dhe jeta e së cilës vijnë në interpretimin dhe analizën e Prof. Persida Asllanit, studiuese e saj dhe e letërsisë moderne shqipe.

Shkrimtaria e Musine Kokalarit përbën një dukuri unike në letrat shqipe, jo vetëm si shkrimtarja e parë në botën tonë letrare, por si pena e parë që mundësoi vërshimin e ligjërimeve femërore në “gjuhën e mashkullt shqype”. Në prozën e saj, pikëtakim sugjestionues mes shkrimit dhe oralitetit, qasjes etno-antropologjike dhe përsiatjes ekzistenciale, joshjes dialektore dhe elegancës së idiolektit, u përftuan si kurrë më parë identitetet ligjërimore femërore, si një përvojë e re e shkrimit shqip, një dukuri e re, e pahetuar më parë as në prozatorët e mirënjohur të epokës, si Koliqi, Kuteli, Spasse, Migjeni e Stërmilli. Është po kjo vetëdije parësore e shkrimit që e bën veprën e saj të tejkalojë çështjen e “tabusë” gjinore thjesht duke e asgjësuar atë me aktin performativ të shqiptimit të vetes e të “Të tjerave” femërore në hapësirën e letërsisë. Nga vepra në vepër, kjo vetëdije rritet në kompleksitet dhe kërkim, duke hetuar tashmë vetëdijen identitare, duke u shndërruar në një sprovë të kalimit nga identitarja e trashëguar te identitarja e sprovuar. Për rrjedhojë, Albanizma femërore e Musine Kokalarit tharmon një vetëdije të re, të pandashme nga ajo shkrimore, vetëdijen e qëndresës. Kjo qëndresë është “e patrajtueshmja” që i dikton si fashizmi ashtu edhe komunizmi. Fotografia e saj e fundit, teksa gjendet përballë jurisë së gjyqit ushtarak, në moshën 28 vjeçare, është shëmbëlltyra e qenies autentike përballë “banalitetit të së keqes”.

Prof. Dr. Persida Asllani është prej shtatorit të vitit 2014, drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Prej vitit 1995 ajo ka qenë pedagoge e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Është doktoruar mbi veprën e Roland Barthes në Universitetin Paris 7 – Denis Diderot, në drejtimin letrar-kritik “Histori dhe Semiologji e Tekstit dhe Imazhit”. Krahas karrierës universitare në kërkim e mësimdhënie të lëndëve “Histori e letërsisë moderne shqipe”, “Histori e Poetikave të krahasuara” në Masterin Shkencor, “Letërsia moderne shqipe” në Shkollën doktorale të studimeve letrare etj, znj. Persida Asllani ka kontribuuar me përkthime, me përgatitje botimesh specifike për shqyrtime në disa fusha si: Fishta: Estetikë dhe kritikë; Gjergj Fishta – Proza 1; Gjergj Fishta – Proza 2; Ismail Kadare: Bashkëbisedime me Eric Faye ; Roland Barthes: Mitologjitë; Michel Foucault: Rendi i ligjërimit (bashkë me Orgest Azizi) ; Gianfranco Marronne: Trupat shoqërorë, proceset komunikuese dhe semiotika e tekstit. Ajo është gjithashtu autore e një monografie të shkruar dhe botuar në frëngjisht nga Presses Académiques Francophones më 2012, me titull “Roland Barthes, L’écriture de la Théorie », studim monografik që i kushtohet veprës tërësore të teoricienit, kritikut dhe shkrimtarit të mirënjohur francez Roland Barthes. Kjo monografi është ndjekur edhe nga botimi i një libri antologjik, origjinal, me titull «Roland Barthes – Questions », botuar nga autorja në Paris, i cili përveçse ka njohur disa vënie në skenën teatrale po në Paris, shërben sot si libër pune për shumë auditorë universitarë në Francë./ KultPlus.com

Të ngjajshme