Mustafaj: Sikur votuesit shqiptarë të lexonin më shumë, do të ishin më të kthjellët kur të hidhnin votën

1 Janar, 2020 - 7:00 pm

Jeta Zymberi

Penda e tij dallon. Ajo shkrihet në letër në mënyrë magjike duke i dhënë mundësi lexuesit të ketë në dorë një vepër me periudha dramatike, personazhe me rrëfime transparente e përshkrime që të marrin me vete. Politikan, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur shqiptar, Besnik Mustafaj është edhe “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin e tij “Dëmtuar gjatë rrugës”. Penda e tij ka bërë që kritika dhe lexuesit të dinë t’ia veçojnë veprën. Mustafaj është po ai i njëjti që refuzoi dy herë postin e ministrit. Por, si ambasador, ai arriti të përmbushte disa qëllime për vendin e me të cilat ishte fort i lidhur shpirtërisht. Sot, kur ai i është përkushtuar plotësisht librit dhe dëshirës që lexuesi ta përqafojë veprën e tij, lumturia më e madhe për të është lexuesi gjithmonë në rritje. Jo vetëm në vepër, Besnik Mustafaj është i mrekullueshëm edhe në intervista. Kësaj radhe, për KultPlus na ka shpalosur shumë nga vetja. Rëndësia e vlerësimit si autor i vitit, komunikimi i veprës me lexuesit, lidhja emocionale me veprat, kontributi në politikë, votuesi apo lexuesi për të, e shumë çka tjetër Mustafaj shpalos në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.

Besnik Mustafaj

KultPlus: Me motivacionin: “Për përshkrim plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve, ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare”, ju u zgjodhët “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Sa ishte i rëndësishëm ky çmim për ju dhe a e prisnit?

Besnik Mustafaj: Përtej dyshimeve të mia të fshehta, unë jam i sojit të shkrimtarëve që besojnë fort te vlera e veprës së vet. Në këtë kuptim, duke e ditur që libri ishte në garë, unë sigurisht që e prisja të isha fituesi. Por e prisja siç pritet realizimi i një dëshire. Rëndësinë e vërtetë të këtij çmimi e zbulova pasi e fitova. Pasqyrimi i gjerë që pati në media solli pikërisht ndikimin e dëshiruar: tërheqjen e lexuesve. Doli që botuesi im, “Toena, nuk ishte i përgatitur për këtë ndikim pozitiv të çmimit. Ai u detyrua të bënte me urgjencë një ribotim për t’iu përgjigjur kërkesave të shumëfishuara të lexuesve që donin të përfitonin edhe nga prania ime në Panairin e Librit për ta marrë romanin me firmën time. Kjo është lumturia më e madhe për një shkrimtar.

KultPlus: Romani “Dëmtuar gjatë rrugës” u vlerësua në Panairin e Librit dhe po vazhdon të vlerësohet e kërkohet nga lexuesit, a mund të na zbulosh diçka nga romani për të gjithë ata që janë kureshtar dhe janë në pritje për të lexuar?

Besnik Mustafaj: “Dëmtuar gjatë rrugës” synon ta tregojë sistemin komunist parë me sytë e atyre që e mendonin veten në anën e këtij pushteti. Fjala është për njerëzit e thjeshtë, jo për ata që e ushtronin pushtetin. Një nuseje malësore i kërkohet të bëjë një palë opinga tradicionale që do t’i dhuroheshin Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri në maj 1959. Më pas, kur Shqipëria del nga orbita e Bashkimit Sovjetik, ky fakt bëhet shkak për një paranojë torturuese që e shoqëron fshehurazi këtë grua gjithë jetën. Është pra një roman mbi frikën dhe ndikimet e saj brejtëse si acidi mbi shpirtin e njeriut e që çon në përfundimin se një regjim represiv nuk mbështetet në asnjë rrethanë mbi dashurinë, qoftë kjo dashuri e një pjese të popullit, por vetëm mbi frikën.

KultPlus: Veprat tuaja janë përkthyer në shumë gjuhë si frëngjisht, gjermanisht, italisht e greqisht, por në cilën gjuhë, pas shqipes, konsideroni se vepra juaj ka komunikuar më mirë me lexuesin?

Besnik Mustafaj: Romanet dhe esetë e mia janë botuar deri tani në më shumë se dhjetë gjuhë. Me kënaqësi e them se kudo janë pritur dhe vazhdojnë të priten mirë nga kritika letrare serioze. Lidhur me komunikimin me lexuesin e huaj, ndoshta duhet thënë se më i plotë është në Francë, duke pasur parasysh se në këtë gjuhë kam tetë botime të gjinive të ndryshme. Përfitoj nga rasti të tërheq vëmendjen tuaj edhe në një aspekt tjetër. Përkthyesit letrarë nga shqipja në botë janë të rrallë. Madje, në më të shumtën e gjuhëve edhe mungojnë fare. Kështu shpesh del nevoja që autorët shqiptarë të përkthehen nga një gjuhë e dytë. Kjo ka ndodhur gjerësisht me Kadarenë. Ka ndodhur ndonjëherë edhe me mua. Është një lëshim i padëshiruar nga shkrimtari. Por që duhet bërë për të mos penguar përhapjen e veprës. Kadare ka dhënë versionin frëngjisht për përkthime të tilla. Unë parapëlqej versionin italisht. Përkthyesja ime në këtë gjuhë është Caterina Zuccaro, për veten e saj poeteshë dhe gazetare, që do të thotë se italishten e shkruan shumë mirë. Si përkthyese ajo ka edhe një përparësi: është arbëreshe. Kultura që ka marrë ajo në gjuhën e nënës, besoj unë, e ndihmon shumë për ta kuptuar dhe ndjerë më mirë në brendësi tekstin tim. Fakt është se gazetat më të mëdha italiane, duke folur për librat e mi, kanë dhënë vlerësime shumë të larta për cilësinë e përkthimit të saj.

KultPlus: Keni shkruar shumë vepra dhe thuhet që veprat e veta një autor nuk mund t’i ndajë. Por me cilën vepër jeni më shumë i lidhur emocionalisht ?

Besnik Mustafaj: Nuk është fjala për t’i ndarë veprat në të rëndësishme e më pak të rëndësishme. Por unë besoj se autori ka gjithsesi marrëdhënie emocionale të ndryshme me secilën nga veprat e tij. Këto marrëdhënie nuk përcaktohen nga gjykimi i ndryshëm që ka autori lidhur me vlerat artistike të njërës apo tjetrës nga veprat, por nga arsye krejt të tjera. Unë, për shembull, kam një dobësi të veçantë për “Vera pa kthim”. Është romani i parë që kam shkruar. Isha 27 vjeç. Deri atëherë kisha shkruar poezi dhe artikuj nëpër gazeta. Asnjë përvojë në prozë. Suksesi i tij i menjëhershëm më dha besimin e nevojshëm në vete për të vazhduar të shkruaj prozë në përgjithësi e posaçërisht romane. Por ky është edhe romani im i parë i përkthyer jashtë. Konkretisht në Francë. Pritja e mirë që gjeti atje i çeli rrugën përkthimit të veprave të tjera, duke më dhënë kështu lexues që vinin nga kultura krejt të ndryshme nga kultura ime si autor dhe kultura e personazheve të mia. Kalimi i veprës në gjuhë të tjera shënon edhe kalimin psikologjik të shkrimtarit nga mjedisi lokal në mjedisin global. Është një hap shumë i madh përpara për autorin. Kjo ndjehet sidomos kur shkrimtari vjen nga një gjuhë e vogël, siç është shqipja.

KultPlus: Kur shkruani, vepron më shumë imagjinata apo keni edhe histori të vërteta?

Besnik Mustafaj: Të gjitha romanet e mia, pa asnjë përjashtim, nisen nga fakte të vërteta, të cilat i kam lexuar diku, dëgjuar rastësisht apo në ndonjë rast edhe jetuar. Ato pastaj bëhen pronë e imagjinatës time dhe shtjellohen gjatë procesit të shkrimit për t’u shndërruar në realitet letrar.

KultPlus: Një shkrimtar nuk është gjithmonë i gatshëm të shkruaj. Të shkruarit ka të bëjë më tepër edhe me frymëzimin. Kur shkruani ju më shumë?

Besnik Mustafaj: Më duket se Garcia Marquez ia ka dhënë shumë mirë përgjigjen një pyetjeje të ngjashme. Ai thotë se frymëzimi është vetëm akti i lindjes së veprës në imagjinatën e autorit. Vazhdimi, domethënë shkrimi, është punë, shumë punë, në vetmi, me një disiplinë të hekurt. Qysh kur kam braktisur gjithçka për t’ju kushtuar me kohë të plotë letërsisë, shkruaj rregullisht në mëngjes, nga ora tetë deri në orën njëmbëdhjetë. Pasdite, nga ora pesë deri në shtatë dhe pastaj në mbrëmje, pas darkës e deri vonë pas mesnate, shkruaj zakonisht artikujt apo gjëra të tjera pa lidhje me romanin apo esenë, që kam në duar. Këtu futet edhe kjo intervistë, që po shkruaj për ju. Ose lexoj. Sepse, të them të drejtën, kënaqësinë më të madhe ma jep leximi.

KultPlus: I bazuar në librin tuaj “Vera pa kthim” është realizuar edhe filmi “Inane” me regji nga Besnik Bisha. Si e keni pritur këtë realizim? A mendoni që e ka përfaqësuar veprën tuaj në mënyrë dinjitoze?

Besnik Mustafaj: Ky është filmi i dytë që bën Besnik Bisha mbështetur në romanet e mia. Më parë ka bërë “Maocedun“, skenarin e të cilit e kam shkruar unë, sipas një kapitulli të romanit tim “Daullja prej letre”.
Ndërsa për “Vera pa kthim” nuk pranova të bashkëpunoja si skenarist. Si autor nuk e përfytyroja dot këtë roman të përshtatur në film. Por i lashë dorë të lirë Bishës të bënte veprën e vet. Kur e pashë filmin, mbeta shumë i kënaqur. I shkrova një sms Anila Bishës, e cila luan protagonisten. “Sana jote është më misterioze se Sana ime”,- i thashë. Është, në gjykimin tim, një film që e nderon kinemanë shqiptare.

KultPlus: Pasi u larguat nga politika, deklaruat se nuk jeni më në kërkim të votuesve, por në kërkim të lexuesve. Gjatë kësaj kohe a keni ardhur në përfundim nëse është më vështirë të gjeni votues apo lexues?

Besnik Mustafaj: Ka më shumë se dhjetë vjet qysh kur e kam shpallur këtë slogan. Pra, kam pasur kohë të mjaftueshme për të parë në realitet si janë gjërat dhe për të arritur në përfundimin se është shumë më e vështirë të gjesh lexues se votues.
Por e them me bindje se, sikur votuesit shqiptarë të lexonin pak më shumë, do të ishin më të kthjellët e të vetëdijshëm kur hidhnin votën e nuk do ta lejonin veten të manipulohen shpesh si dele nga politikanët. Nuk di çfarë mund të bëjmë që votuesit ta kuptojnë se shpëtimi i tyre mendor kalon doemos përmes leximit të librave të mirë.

KultPlus: Sot është e vështirë të refuzohet një post si ai i ministrit, është lakmues për shumicën, por ju e refuzuat dy herë një post të tillë, cilat ishin arsyet?

Besnik Mustafaj: Arsyet lidhen me karakterin tim. Zakonisht marr përsipër vetëm gjëra për të cilat jam i sigurt se nuk dështoj dhe që gjatë kryerjes së tyre do të përfitoj edhe kënaqësi. Sado e çuditshme mund të duket për shumicën e njerëzve, mua ushtrimi i pushtetit, qoftë ky edhe pushtet ministror, nuk më jep ndonjë kënaqësi. Periudha kur pranova të bëhem ministër i jashtëm përkonte me disa sfida, me të cilat isha shpirtërisht fort i lidhur. Të tilla ishin: nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pastaj heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë që dëshirojnë të lëvizin në hapësirën Schengen dhe anëtarësimi në NATO, çelja e negociatave për caktimin e statusit final të Kosovës dhe kurorëzimi me shpalljen e pavarësisë. Kur këto sfida u përmbushën në të mirë të shqiptarëve, dorëzova çelësat e zyrës së ministrit për të mos u kthyer kurrë atje.
Ka edhe diçka tjetër: unë nuk kam asgjë të përbashkët me ata njerëz, të cilët pushtetin e shohin si mundësi të artë për privilegje personale. Kjo gjë më duket degradim i madh i njeriut politikan. Unë kam pranuar dhe pranoj, madje me gëzim, vetëm privilegjet që më jep vepra ime letrare. Më besoni, nuk janë të vogla këto privilegje, që më japin librat e mi.

KultPlus: Keni qenë në detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, por duke dalë jashtë politikës, a mund ta luajë shkrimtari rolin e një ambasadori me krijimtarinë e tij?

Besnik Mustafaj: Për t’ju përgjigjur me seriozitet kësaj pyetje, do të thosha se shkrimtari, me krijimtarinë e tij, mund ta luaj rolin e një ambasadori vetëm në një aspekt, i cili sidoqoftë është shumë i rëndësishëm. Një nga detyrat kryesore të ambasadorit diplomat është ta bëjë të njohur vendin e tij në vendin ku ai shërben. Shkrimtari, me kusht që të ketë talent të madh, e kryen këtë detyrë më mirë se çdo ambasador funksionar. Ju siguroj se Ismail Kadare, me veprat e tij, e ka bërë të njohur kombin shqiptar pakrahasimisht më shumë se i gjithë trupi diplomatik shqiptar gjatë gjithë historisë së shtetit tonë. Në këtë kuptim, sigurisht që po, një shkrimtar si Ismail Kadare është një ambasador i shkëlqyer dhe e kryen këtë mision pa dalë nga studio e tij. Madje, sa më shumë rri ai i mbyllur në studio duke shkruar, aq më mirë e kryen misionin si ambasador i kombit.

KultPlus: Si e vlerësoni lexuesin shqiptar, a po lexohet në vendin tonë?

Besnik Mustafaj: Lexuesi shqiptar është shumë i mirë. Por, siç pata rast të them më sipër, është shumë i pakët në numër. Por unë nuk jam nga ata që mendojnë se lexuesi shqiptar është një specie në zhdukje. / KultPlus.com

Të ngjajshme