“Muzat e Alpeve 2022” vjen me edicionin e 10-të, çmimi “Teuta” këtë vit i ndahet Zija Çelës

28 Tetor, 2022 - 4:30 pm

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Rahovecit dhe Komuna e Deçanit, më 29 dhe 30 tetor 2022, në Rahovec dhe në Podgoricë organizon edicionin e 10-të të Manifestimit Letrar Trekufitar: “Muzat e Alpeve 2022”. 

Aktivitetet fillojnë me datë 29 tetor, në orën 13-të, në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, me rezymenë e aktiviteteve 9-të vjeçare të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta” me karvanin e shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” në 21 qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Aktiviteti vazhdon me promovimin e përmbledhjes dygjuhëshe me poezi të zgjedhura të poeteve shqiptare dhe malazeze ”Perla Poetike/Poetski biseri”. Teatri Shqiptar në Amerikë-Xhevat Limani do të prezantojë një monolog për heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ndërsa, aktivitetet e ditës së parë mbyllen me vizitë trashëgimisë kulturore dhe natyrore të komunës së Rahovecit.   

Me datë 30 tetor 2022, karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” vazhdon aktivitetet në Bibliotekën Qendrore në Podgoricë, me promovimin e përmbledhjes me poezi të poeteve shqiptare dhe malazeze “Perla poetike/Poetski biseri”, si dhe me promovimin e romanit të përkthyer të Zija Çelës “Ora e Zooparkut (Sat Zooparka). Ndërsa, aktiviteti përmbyllet me ndarjen Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” që i ndahet shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela, me motivacion: 

“Zija Çela, ndoshta shkrimtari më origjinal dhe më profilik i prozës në gjuhën shqipe, përbën një rast unik në letrat tona. Ai shfaqet si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. Në librat e Zija Çelës ngjarjet mund të ndodhin kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të autorit një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Me krijimtarinë e tij Zija Çela ka  provuar se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore, në atë zonë ku qëndron me dinjitet dhe krijimtaria e tij”(arsyet. I “TEUTËS”, përgatitur nga Rudolf Marku). 

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” me karvanin e shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” për 10 vite të themelimit ka ndaluar me aktivitetet e veta, në: Pejë, Kotorr, Rozhajë, Deçan, Guci, Junik, Bajram Curr, Istog, Shkodër, Tuz, Gjakovë, Ulqin,  Krujë, Tivar, Lezhë, Prizren, Klinë, Petnjicë, Plavë dhe Prishtinë, përfshirë edhe dy qytetet e vitit 2022, Rahovecin dhe Podgoricën.  

“Teuta” është edhe hartuese dhe implementuese e turit katërditor “Shkrimtarët lobojnë për Kosovën”, me 2014-të në Rumani – njëri ndër të 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës. Ndërsa, Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” deri më tani iu është ndarë përfaqësuesve të denjë të letërsisë shqipe dhe malazeze: Jevrem Bërkoviq (Rugovë-Pejë,2013); Dritëro Agolli (Rizon-Kotorr,2014); Ramiz Kelmendi (Bajram Curr, 2015); Mirash Martinoviq (Junik,2016); Moikom Zeqo (Tuz, 2017); Nazmi Rrahmani (Krujë,2018), Zuvdija Hoxhiq Berisha (Prizren, 2019), Xhevahir Spahiu (Petnjicë, 2020), Rexhep Qosja (Prishtinë,2021), ndërsa shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela Çmimi “TEUTA” do t’i ndahet në Podgoricë. / KultPlus.com

Të ngjajshme