“Na takon neve ta shpëtojmë botën”

4 Mars, 2020 - 12:19 pm

     

Për shkrimtarin amerikan, lufta kundër ndryshimeve klimaterike është e pranishme dhe tani, por të jesh i vetëdijshëm nuk na shërben për asgjë. Duhet të veprojmë, madje menjëherë.

Amerikani Jonathan Safran Foer ka lindur më 21 shkurt 1977. Njihet kryesisht për romanin “Gjithçka e ndriçuar” (2002), me historinë e një hebreu të ri amerikan që udhëton në Ukrahinë, për të gjetur gruan që i shpëtoi gjyshin nga gjenocidi. Me librin “Shumë fort, fare pranë” ai lëshon një dëshmi tronditëse të 11 shtatorit, përmes syve të një djali të vogël tejet të ndjeshëm, zija e të cilit shndërrohet në një kërkim fillestar në rrugët e Nju Jorkut. Në librin e fundit “Ngrënia e kafshëve” (2009), ai përdor talentin e tij letrar për të depozituar ankesën kundër bujqësisë industriale dhe therjes së kafshëve./Konica.al

Pyetja themelore që Jonathan Safran Foer shtron në esenë e tij të fundit: Mund ta shpëtojmë botën, përpara darkës. Sepse klima jemi ne (Guanda, 2019), është një nga ato pyetje që unë, ju, të gjithë preferojmë t’i anashkalojmë sikur të mos ishin tjetër, veçse një gumëzhitje e bezdisshme. Në të vërtetë, është një pyetje e thjeshtë, e cila gjithsesi fsheh një paradoks absurd: nëse jemi të vetëdijshëm për efektet e dëmshme të ndryshimit të klimës, përse nuk bëjmë asgjë për t’i ndaluar ato? Në të ardhmen e afërt, pasardhësit tanë, kur të na gjykojnë, sepse do të na gjykojnë një ditë, nuk do të na ndajnë në dy kategori etike: të atyre që e refuzuan ndryshimin e klimës, domethënë të këqijtë dhe ata që i morën si për të vërteta, domethënë të mirët. I vetmi ndryshim në mendjen e tyre do të jetë midis atyre që kanë bërë diçka dhe atyre që nuk kanë bërë asgjë. Me pak fjalë, përse nuk veprojmë? Thelbi i çështjes, sipas Safran Foer, gjendet në ndryshimin midis njohjes dhe besimit. Në fakt, shumica prej nesh është e vetëdijshme se stili i jetës tonë po ndryshon me vërtik drejt kolapsit, por thellë brenda vetes nuk e besojmë vërtet. Po ta besonim, detyrimisht do të vepronim, do bënim sakrifica, do luftonim. Përkundrazi, ne jemi këtu dhe nuk bëjmë asgjë tjetër përveçse flasim.

“Pranimi i së vërtetës në nivel intelektual nuk ka asgjë të virtytshme në vetvete dhe për vete. […] Nëse pranojmë një realitet faktik (po shkatërrojmë planetin), por nuk jemi në gjendje ta besojmë atë, ne nuk jemi më të mirë se ata që mohojnë ekzistencën e ndryshimit të klimës të shkaktuar nga njeriu […]”.

Safran Foer ngre një vetëakuzë ndaj vetes dhe klasës shoqërore, që mund ta quajmë thjesht të përparuar, që me fjalë pretendon të luftojë për klimën, por që në realitet qëndron duarkryq. Problemi për shkrimtarin amerikan është, se efektet e ndryshimit të klimës nuk perceptohen nga shumë prej nesh si një katastrofë e tanishme, madje as e afërt. Lufta klimatike është një luftë, që, në imagjinatën tonë, luftohet shumë larg, në një të ardhme që duket e turbullt, e paspecifikuar, me një fjalë joreale. Jo, e vërteta është se ne nuk e besojmë vërtet. Nga ana tjetër, ne qeniet njerëzore kështu jemi gatuar: nëse rreziqet janë të menjëhershme, ne reagojmë, nëse ato duken të largëta, ne i shtyjmë për më vonë. Ironia e fatit është se nganjëherë rreziqet e afërta janë vogëlsira, ndërsa ato të largëtat janë fatkeqësi të vërteta.

Jonathan Safran Foer është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më të vlerësuar amerikanë të shekullit XXI. Romanet e tij janë ndër shembujt më të suksesshëm të një letërsie eksperimentale dhe bashkëkohore, e cila ndërthur traditën hebreje dhe historinë familjare me postmodernizmin dhe reflektimin mbi të tashmen. “Mund ta shpëtojmë botën, para darkës” paraqitet si diçka shumë ndryshe nga eseja tipike për ndryshimin e klimës: në të vërtetë, është një ndërthurje midis përhapjes shkencore, kujtimeve, rrëfimit personal, tregimit të fakteve historike dhe tregimeve reale, shkrimtari shtrihet nga episodet e Biblës tek ato të Luftës së Dytë Botërore. Atëherë, si një romancier i mirë, Safran Foer mund të pyesë veten vetëm për një aspekt të rëndësishëm të konsideratave për krizën mjedisore: atë se si do të tregohet kjo krizë. Historia e ndryshimit të klimës, sipas shkrimtarit, nuk është aspak një histori emocionuese. Luftërat e mëdha kanë nevojë për histori të mëdha dhe kjo, nuk është një luftë që duket se na ngroh zemrat. Historia e njeriut që lufton kundër ndryshimit të klimës, nga një këndvështrim rreptësisht narrativ, nuk është një histori e mirë. Nuk na intrigon, nuk na emocionon, përkundrazi e perceptojmë atë si të mërzitshme dhe pedante. Megjithëse e dimë shumë mirë që është e vërtetë, na duket më shumë si një përrallë e errët ose më saktë, si një distopi. Propozimi i tij, sado provokues apo i pazbatueshëm qoftë, prek një nga pikat më nevralgjike të çështjes: shpëtimi i botës varet edhe nga zgjedhjet që bën individi; bota shpëtohet edhe me sakrifica të vogla. Por loja, shprehet Jonathan Safran Foer, luhet në nivelin e sakrificave të vogla të përditshme: të hamë më pak mish, t’i përdorim më pak makinat dhe aeroplanët, të mos harxhojmë shumë energji elektrike. Çfarë do mendojnë për ne pasardhësit tanë, nëse do t’i dënojmë me kushte jetese çnjerëzore, vetëm që të mbajmë me çdo kusht komoditetet tona të vogla të evitueshme? Ne do të jemi fajtorët e vërtetë./Konica.al / KultPlus.com

Të ngjajshme