Naime Beqiraj pas vdekjes së Adem Shkrelit: Njëri nga gazetarët e parë kosovarë që e kishte sakrifikuar poezinë

27 Shtator, 2022 - 8:18 pm

Ka vdekur sot gazetari veteran dhe poeti Adem Shkreli, shkruan KultPlus.

Për ata që nuk e dinë, Ademi është vëllai i poetit të njohur Azem Shkreli, si dhe i Ymer, e Afrim Shkrelit.

Vëllezërit Shkreli kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.

Për vdekjen e Ademit ka reaguar poetja Naime Beqiraj e cila thotë se axhi Adem ka qenë malësori shijehollë e autentik që ka ditur për të rinjtë të marr edhe shpirtin e këshillat e prindit.

“Ke me rrnua g’jat, ma g’jat se Ujka Smajli”, i kisha thënë rugovisht axhit Adem, kur mosha e prekte jo kujtesën por dhembjen për ditët që po i numëroheshin. Nëna i kishte vdekur e re nuse, duke e lëne motak, Azem Shkrelin fort t’vocërr e motrën të sapo lindur. Kurse baba i tij Ujkani e kishte prekur shekullin e jetës. E kujtonte gjithnjë më mallë nënën e re edhe atëherë kur dhimbja për birin e tij të vetëm Aliun që i vdiq para pak vitesh e dhimbja për Azemin e kishin plandosur. “Ma mirë t’isha shku û, vocrrake”.
Por qëndronte.
Axhi Adem, njëri nga gazetarët e parë kosovarë që i kthehej herë pas herë edhe poezisë e kishte botuar disa libra poetik, e kishte sakrifikuar poezinë për gazetarinë. Gjatë gjysëm shekulli gazetari, ai e kishte kultivuar sidomos reportazhin, tekstin e të cilit pērherë e stoliste me figura të letërsisë.
Axhi Adem shquhej për sedrën e tij, stilin e veshjes, shijen për ushqime, biseda, sjellje. Edhe në moshë të shtyrë dinte të ta mbante karriken, pallton. Ishte i tëri bonton.
Do të na mungosh axhi Adem, malësori shijehollë e autentik që ke ditur për të rinjtë të marrësh edhe shpirtin e këshillat e prindit.
Sot, që po t’përcjellim, po të kujtoj me këtë foto dhe ndejen para pikërisht tetë vitesh në Pejë dhe fjalët “Malësorët janë të fortë por edhe subtil, sidomos na rugovanat”.
E paç të pasosur Parajsën miku im i veçantë!”, shkruan Beqiraj. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme