​Namik Dokle nderohet me çmimin për romanin më të mirë në Panairin e Librit

11 Qershor, 2022 - 5:15 pm

Në ditën e pestë të panairit të librit është bërë ceremonia e ndarjes së çmimeve për letërsinë për fëmijë, përkthime, vepër kapitale.

Çmimin për romanin më të mirë të këtij edicioni, e ka marrë shkrimtari, Namik Dokle për veprën “Kolerë në kohë të dashurisë”, ndërsa autori më i mirë i vitit është zgjedhur Shkumbin Gashi.

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ka qenë i ftuar nga Shoqata e Botuesve e Kosovës për të ndarë çmimin për autorin e romanit më të mirë, Namik Dokle.

Ai është ka thënë se Dokle ka dhënë një kontribut të shquar për demokracinë në Shqipëri dhe është një personalitet i sferave të gjithanshëm.

Minxhozi: Dokle, një person i sferave të gjithanshëm

Një njeri që ka kontribuar shumë për demokracinë në Shqipëri, dhe së fundi e shikoj një djalosh në letërsi, qe e ka lënë politikën, ka botuar katër romane. Ndërsa në udhëtimin e tij si letrar, poet, ka 25 vepra, ku shquhen disa drama të fuqishme që janë vënë në skenë në Shqipëri dhe Kosovë. Jam shumë krenar që kam njohur dhe vazhdoj ta njoh Namik Doklen, një personalitet i sferave të gjithanshëm që ka një simpati nga njerëzit e artit dhe politikës, por tani me një term të ri edhe si shkrimtar”, tha ai.

Ndërsa Namik Dokle këtë çmim ua kushtoi poetëve të pushkatuar dhe të vrarë.

Dokle: Ndjeva kënaqësi dyfishë më shumë sesa do të ndjeja në Tiranë

U gëzova dhe ndjeva kënaqësi dyfishë më shumë sesa do të ndjeja po ta merrja në Tiranë, sepse mendoj që Kosova po bën një punë të shkëlqyer. Nga viti në vit po rrit kontributin për kulturën kombëtare, jo thjesht për kulturën në Prishtinë apo Kosovë. Romanin për të cilin u nderova u kushtohet poeteve të pushkatuar dhe të vrarë por edhe atyre që janë vrarë shpirtërisht”, u shpreh Dokle.

Në panair morën pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth 2 mijë tituj të rinj.

Panairi përkon me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

Më 2020 dhe 2021 panairi nuk është mbajtur për shkak të pandemisë COVID-19. Panairi i Librit i Prishtinës, krahas atij të Tiranës është panairi më i madh i librit shqip./kp/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme