Ndahen çmimet “Shkencëtar i ri i vitit 2018”

10 Maj, 2018 - 2:17 pm

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) sot ka bërë ndarjen e çmimeve të garës “Shkencëtar i ri i vitit 2018” për nxënësit e klasave 10-12 në komunën e Prishtinës dhe atë të Ferizajt në fushën e shkencave natyrore.

Vendin e parë nga komuna e Prishtinës e ka zënë Art Berisha nga gjimnazi “Sami Frashëri”, kurse vendin e dytë Altina Aliu po ashtu nga kjo shkollë, ndërsa vendi i tretë iu nda Redon Durajt nga shkolla e mesme e lartë “Ahmet Gashi”.

Nga komuna e Ferizajt vendi i parë iu nda Shkodran Hasanit, vendi i dytë Çlirimtare Ramadani, kurse me vendin e tretë u shpërblye Enis Vladi, që të gjithë nxënës të gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se do të krijojnë kushte për të rinjtë, me qëllim që ata të tregojnë potencialin.

“Për angazhimin e vazhdueshëm që ne të rinjtë tanë t’i kemi të dalluar në shkenca natyrore që është vërtet një fushë recidive në Kosovë dhe po kemi problematika të vazhdueshme dhe kjo po tregon se kur ne iu ofrojmë kushte dhe angazhohemi gjithë së bashku të rinjtë tanë janë të gatshëm edhe të zhvillohen, edhe të jenë ata që neve na bëjnë krenar. Ne po themi vazhdimisht që të rinjtë tanë janë vërtet ata të cilët janë e ardhmja e vendit tonë, sepse konsiderojmë që pasuria kryesore e Kosovës janë të rinjtë dhe ne duhet që të gjithë së bashku t’u krijojmë kushte në mënyrë që të këta të rinj të tregojnë realisht atë potencial që ne po e themi se janë e ardhmja e vendit tonë”, tha ministri Bytyqi.

Fituesi i vendit të parë nga komuna e Prishtinës, Art Berisha këtë çmim e konsideron si një motiv për të punuar më shumë në të ardhmen. Ai tha se në Kosovë nuk ka perspektivë për të rinjtë e sidomos për ata që merren me shkencë.

“Përkrahjen më së pari e kam pasur nga familja edhe nga profesorët…nuk ka edhe aq perspektivë, por besoj që do e ndërtojmë ne të rinjtë tash e tutje”, u shpreh Berisha.

Ndërsa, i lumtur për çmimin e parë u shpreh edhe Shkodran Hasani, i cili tha se si shkencëtar i ri më së shumti i pëlqejnë lënda e kimisë dhe fizikë për të cilat edhe më parë është shpërblyer.

“Po, kam pasur edhe çmime të mëhershme sigurisht që kjo ka qenë një garë, e cila më ka motivuar edhe më shumë me vazhdua me studiua shkencat e natyrës dhe kjo ka qenë një arritje e lartë për mua. Më së shumti me kimi dhe fizikë. Kam qenë në garat e fizikës tani që janë mbajtur ku e kam marrë vendin e dytë dhe në të kimisë kam qenë edhe aty që janë organizuar nga Mehmet Akif. Sigurisht, jemi shtet akoma i ri po megjithatë motivimi dhe perspektiva për të studiuar këtu nuk mungon”, ka deklaruar Hasani.

Zyrtari i lartë nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës, Fatos Osmani bëri të ditur se në këtë komunë kjo garë organizohet për herë të tretë. Sipas tij, qëllimi i garave të tilla është të identifikohen dhe mbështetën talentet e ri shkencëtarë.

“Po shpresojmë që një garë e tillë në vitet në vijim të jetë edhe më e gjerë dhe të përfshihen të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ku qëllimi i garës është që t’i identifikojmë talentet e rinj, t’i mbështesim dhe t’i promovojmë vlerat e tyre”, tha ai.

Edhe Sadie Hajdini nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Ferizajt tha se gara të tilla ndikojnë edhe në rritjen e cilësisë së arsimit.

MASHT gjatë kësaj ceremonie ka ndarë mirënjohje edhe për drejtoritë e arsimit në komunën e Prishtinës dhe Ferizajt.

Ndryshe, garat për “Shkencëtari i ri i vitit 2018” për klasat 10, 11 dhe 12 janë mbajtur më 26 mars 2018 në fushat e shkencave natyrore dhe aty kanë qenë të përfshira nxënësit e komunës së Prishtinës dhe Ferizajt./ KultPlus.com

Të ngjajshme