Ndërlidhja e jetës dhe vdekjes në veprën “Fenomenologjia e vdekjes” të Anton Berishajt

15 Mars, 2020 - 1:30 pm

Recension nga Rajmonda Kitaj

Vdekja është përfundim i një tregimi dhe fillim i një tjetri.
Gjatë ekzistencës së njeriut, ka momente të cilat e veçojnë prej vijës së mesme dhe që i quajmë si momente të jetës. Ekzistojnë të tjera momente të cilat qëndrojnë poshtë horizontit dhe që i quajmë vdekje. Në të vërtetë si njëra, ashtu edhe tjetra anë e vijës ndarëse, shënon ekzistencë.

Libri me poezi “Fenomenologjia e vdekjes” i poetit Anton Berishaj, rrjedhimisht titullohet “Libri i madh i antipoezisë 1980-1985” që është në një farë forme, është ribotim i librit me titullin “Lule mëngjesi”, i botuar në vitin 1986.
Me këtë përmbledhje poezish, poeti ynë i jep një drejtim të vetin filozofik poezisë shqipe.
 Bazat e letërsisë janë ato të realitetit ku jetojmë, mirëpo loja që bëhet me ato baza, me ato mjete, me atë lëndë, udhëhiqet nga të tjera ligje, nga ligjet e imagjinatës dhe intuitës.
Prandaj, qysh në shfletimin e parë, lexuesi fiton përshtypjen që ky libër është shkruar me një dashuri të madhe, një shpirt artistik dhe mendim të thellë filozofik, kryesisht për jetën-vdekjen dhe dashurinë në raport me njëra-tjetrën.

Thirrja e vdekjes është thirrje dashurie.  Vdekja mund të jetë e ëmbël,  nëse i përgjigjemi me pohim, nëse e pranojmë si një nga format më të mëdha të përhershme të jetës dhe transformimit (Hermann Hesse, shkëputje nga një letër, 1950).

Libri ndahet në dymbëdhjetë pjesë. Secila pjesë e librit ngërthen në vete poezi me impuls sa personal, por edhe impersonal, ndërsa në secilën poezi ndjehet një përplasje në mes të jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe urrejtjes, lumturisë dhe vuajtjes.

Në çdo poezi të këtij libri, duket sikur poeti po kërkon me ngulm qëllimin e jetës, por për arsye ende të pa njohura e gjen veten të rrethuar në të gjitha anët me praninë e vdekjes.
E kemi të vështirë zbulimin e misterit të jetës dhe të vdekjes, nëse vdekja është diçka që për shkak të paditurisë sonë na shokon, atëherë jeta dhe arsyeja pse erdhëm në jetë nuk kanë pushuar kurrë së qeni një problematikë e pazgjidhëshme për mendësinë njerëzore.

Bota po shkatërrohet dhe gjithçkaje po i vjen fundi. Jeta e sotme është sipërfaqësore: vlerat e vërteta kanë humbur dhe bota po bëhet gjithnjë e më pak “njerëzore”.  Jeta e sotme është një gënjeshtër dhe kjo gënjeshtër institucionalizohet në formën e edukimit kombëtar, një propagandë e gjerë në shkallë univerzale, e cila tenton të përgatisë të ardhmen e brezit të ri, i cili e pranon botën e imponuar.

Rrena, hajnia, terri po mbizotërojnë gjithkund dhe siç na thotë ai tek poezia “Loja pa vetveten”:

“Njerëzit nuk jetojnë si kanë jetuar ndoshta dikur,
me fytyrë në shkëmb dhe me duar të djegura për yje.”

Çdo gjë brenda poezive të këtij libri, është e menduar mirë.
Ai shpesh në mënyrë figurative i drejtohet edhe vetes me pyetje retorike:

“Ti nuk je, as unë nuk jam.
Prej nga e gjithë kjo dashuri?”
(Madrigal I)

A ekziston Ai? A ekziston Ajo? A ekziston dashuria? Apo është thjeshtë një iluzion i krijuar brenda autorit? Të gjitha këto pyetje na vijnë përnjëherë në mendje, në momentin që dëshirojmë të futemi në thellësinë e poezisë së tij.

Dashuria zë vend në shumë prej poezive,  por jo një dashuri si ato të zakonshmet me të cilat jemi mësuar.  Dashuria është bipolar dhe ajo nuk vjen gjithmonë me gaz e lumturi, prandaj dashuria ka vuajtje, ka brenga me rrjedhën e vrullshme që sjell.
 Tek poezitë e këtij libri na vjen një dashuri ndryshe, një dashuri që mundohet të luftojë për triumph, edhe në mes të këqijash:

“Mbi detin Jon do çojmë dashuri,
si dy shpirtëra të këqij…”

(Deti Jon)

“Vdekja e poetit”, është një tjetër poezi e shkruar në vargje të renditura njëra pas tjetrës, që ndryshe quhet edhe astrofike (njëkolonëshe), ku poeti shkruan për një fund të botës. Ajo që duket e ndjehet në këtë poezi është parandjenja e shfaqur për poetin si lajmëtar i fundit të botës:

“Ai flet për fundin e botës.
Njerëzit atë e duan, atë e adhurojnë,
dhe i vënë kurora të arta mbi kokë,
për arsye se ai flet për fundin e botës.”

Vargu i parë i përsëritur në vargun e fundit  e bën edhe më të fuqishme dhe më emocionale atë që poeti ka dashur ta thotë.

Poezia “Akacjet” fillon me një varg fillestar  që mund të quhet epitekst, nëse do t’i referoheshim termave të Zherar Zhenetit: “njeriut që s’e donte vdekjen”. Është poezi meditative si shumica e poezive të këtij libri, në të cilën poeti shpreh raportin e tij të thellë me temat delikate të vdekjes. Në poezi kemi rimë të ndërprerë, sepse nuk kemi një skemë të qëndrueshme të saj.
Figurat poetike të përdorura në këtë poezi, janë të shumta. E kemi figurën e epitetit (plak i gërmuqur, qepallat e ngrira), krahasimit (si fluturat nëpër borë), metafora (rri dhe mejton vdekjen atje nuk arrin drita) e të tjera.
Shembuj nga poezia janë rastet kur përsëritet tog fjalëshi i ndërtuar sipas skemës folje+emër si “mejton vdekjen” në fund të vargjeve.

“Terrakotat e Dyrrahut”, është një poezi tjetër,  e ndërtuar sipas skemës së vargjeve 5-2-5.  Pra,  në këtë poezi kemi  dy penastikë dhe një distik. Nuk kemi skemë të qëndrueshme të rimës. Poezia ka në qendër, sidomos figurat e diksionit, me theks të veçantë figurat e përsëritjes si anadiplozën, figurë e përsëritjes ku përsëriten fjalët e fundit të një vargu në vargun vijues:

“Dalin përballë detit,
detin duke frikësuar”

Po ashtu, ka edhe figurën e alegorisë, ku figura e gomarit është dhënë në kuptim të tërthortë:

“Udhëtojnë gomari para njeriut,
njeriu pas gomarit”

Jeta që njeriut i duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Kështu që vitet rrjedhin si uji dhe njeriu as që e kupton. Por,  ja që hëna rrotullohet, vitet kalojnë, ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe çdo gjë bën punën që i është caktuar.

Stili dhe gjuha e këtij libri janë të mrekullueshme, përkundër faktit që autori na flet për fenomenologjinë e vdekjes, ankthin, humbjen, etj., sepse thellë brenda vargjeve të çdo poezie e gjejmë poetin dhe veten në kërkim të jetës,  duke mos u dorëzuar asnjëherë.  

Pra, njeriu duhet të përgatitet që ta pranojë dhimbjen si pjesë përbërëse të jetës, përndryshe kurrë nuk do të marrë guximin që të dashurojë, të gëzohet apo të shpresojë përsëri. /KultPlus.com

(Punim i është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në nivelin e studimeve master në Degën e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë)

Të ngjajshme