Ndihmesë për zgjerimin e diturive shkencore për baladat të shqiptarëve në Malin e Zi

7 Mars, 2024 - 1:35 pm

Studiuesi Ismail Doda ka ardhur këto ditë para lexuesit me studimin monografik “Baladat popullore të shqiptarët në Malin e Zi” (II), që është vazhdimësi e përmbledhjes “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (I), e botuar në vitin 2022. Libri është kurorëzim i punës dhjetëravjeçare të autorit në mbledhjen dhe studimin e folklorit në trevat shqiptare në Malin e Zi të sotëm. Përmes këtij studimi monografik, autori jep një ndihmesë të madhe për zgjerimin e diturive shkencore për baladat te shqiptarët në Malin e Zi duke dëshmuar për një hapësirë etnokulturore të panjohur sa duhet të botës shqiptare. Ky libër do t’u vijë në ndihmë të gjithë të apasionuarve për folkloristikën shqiptare, por në rend të parë do t’u shërbejë studiuesve dhe institucioneve shkencore, arsimore e kulturore. 

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Ismet Kallaba, recensentë Agron Xhagolli dhe Alfred Çapaliku, redaktor gjuhësor Haxhi Shabani dhe redaktor teknik Qazim Muja.

Në recensionin e tij për librin, Agron Xhagolli thekson se të gjithë ata që janë të interesuar për të njohur më nga afër baladat e shqiptarëve në Malin e Zi, nëpërmjet analizave dhe përfundimeve të arritura, do të shohin se kemi të bëjmë me një punë të përkushtuar, të realizuar me një dëshirë e pasion të veçantë. Sipas tij, “deri më sot ka munguar një vepër kaq e plotë, pasqyruese e realiteteve, jetës dhe praktikimit të baladave ndër shqiptarët e Malit të Zi”.

Ndërsa për Alfred Çapalikun, recensentin tjetër të librit, “punës së thelluar shkencore ashtu si edhe asaj pasionante vjelëse të Ismail Dodës për pasqyrimin e botës shqiptare, shprehur nga baladat legjendare deri tek ato realiste, meriton që t’i vihet një notë maksimale”.

Ismail Doda ka lindur në Arbnesh të Krajës, më 1939. Është mbledhës dhe studiues i folklorit, njëri ndër bashkëpunëtorët më të frytshëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Mblodhi këngë kreshnike, balada dhe lloje të tjera të poezisë popullore lirike në të gjitha trevat shqiptare të sotme në Malin e Zi. Ka doktoruar në Qendrën e Studimeve Albanologjike – Tiranë në vitin 2015. Krahas përmbledhjes “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (I) dhe monografisë “Baladat popullore te shqiptarët në Malin e Zi” (II) është bashkautor i librit “Në prehër të jetës së re (Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII)” si dhe ka përgatitur për botim si redaktor shkencor librin me përmbledhje të kumtesave nga Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar”. Ka marrë pjesë me kumtesa për folklorin shqiptar në Mal të Zi dhe tema të tjera në shumë konferenca dhe tryeza shkencore. Për arritjet në shkencë me afro 200 punime të botuara është shpërblyer me Medaljen e Kujtimit nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972), certifikata mirënjohjeje dhe për pjesëmarrje, emblema, falënderime etj. Vitin e kaluar (2023) Komuna e Tivarit i ka ndarë Çmimin “24 Nëntori” për të arritura profesionale në fushën e arsimit dhe kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme