Ndihmoni fëmijët me autizëm duke blerë dy librat e shkrimtarit Arbër Selmani

24 Gusht, 2022 - 1:50 pm

Shkrimtari Arbër Selmani ka marr një tjetër iniciativë në ndihmë të fëmijëve më autizëm, shkruan KultPlus.

Autori i librit “Kosova në 14 tregime kulturore”, që u promovua në vitin 2021, fitimet nga shitja e librave i ka dedikuar në ndihmë për fëmijët me autizëm, njejtë po vazhdon edhe sot.

Kësaj radhe, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, Selmani ka vendosur që dy pjesët e librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore 1 dhe 2’ të vijnë me ofertë prej 15 euro, ku përveç që mund të kontribuoni në bamirësi ju do të lexoni intervistat me 28 personazhe të artit kulturor shqiptar.

“Kom nevojë për ndihmë! Prej vitit të kaluar, kur libri im ‘Kosova në 14 tregime kulturore 2’ ka dalë në shitje, mbi 3000 euro totale të fitimit nga shitja kanë shku te fëmijët me autizëm, te Shoqata “Autizmi” – Prishtinë dhe Shoqata “Autizmi” Prizren. Sot, bashkë me ndihmën e Librarisë Dukagjini, kemi vendosë që dy pjesët e librit me intervista shumë intime gazetareske me i shitë për 15 euro, si set i librave, dhe kuptohet fitimet me vazhdu me shku për fëmijët me autizëm”, shkruan Selmani.

Libri i parë përmbledhë gjithsej 14 intervista që në fokus kanë rrëfimin e karrierës dhe jetës së 14 personazheve si: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaqi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci. Ndërsa libri i dytë, gjithashtu i përberë nga 14 tregime kulturore, mes tyre: Luan Hajra, intervistë me fëmijët e Agim Qenës, intervistë me vajzën e Mixhës Ramë etj.

“Juve që ju njoh e nuk ju njoh, juve që jeni miq të mi e keni ndikim te qytetarët, personalitete të çfarëdo fushe, ju ftoj që edhe me i ble dy librat, edhe me e shpërnda lajmin. Kurgjo nuk po boj vet, gjithmonë gjithçka me ndihmën tuaj e të lexuesit, me përhapë letërsi e me promovu bamirësi….”, shkruan Selmani.

Kujtojmë që në muajin qershor, shkrimtari ka promovuar edhe librin e tij më të ri ‘48 piano’, libër ky që përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Njëherit, ky është libri i katërt i autorit.

Ky libër është dedikim i Selmanit për babain e tij si dhe përmban edhe njërën prej poezive më të dashura të autorit. / KultPlus.com

Të ngjajshme