Ndikimi i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane dhe DioGuardit te politika amerikane për çështjes së Kosovës

8 Shkurt, 2022 - 1:11 pm

Faton Bislimi: “Te Quest for Albanian Fredoom and the Ende of Jugoslavia Hon. DioGuardi and the Albanian American Civil Legue 1985-1993”, botoi Albanian American Fondation, New York 2021.

Roli i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane te politika amerikane për ngritjen e çështjes së Kosovës nga rrënimi i autonomisë së saj dhunshëm nga Serbia më 23 mars 1989 e deri te te internacionalizimi i saj në nivel botëror që për pasojë do të ketë edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, me ç’rast Kosovas, sipas rezolutës 1244 të KS të OKB futet nën protektoratin ndërkombëtar si një fazë kalimtare që do t’i paraprijë pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, është i një rëndësie thuajse historike. Ky vlerësim ka të bëjë me lobimin shqiptar në nivelet më të larta të politikës amerikane nga kongresi, senati, ku do të përfshihen senatorë, kongresmenë me ndikim dhe personalitet të tjera të rëndësishme të politikës amerikane. Ç’është e vërteta puna e lobimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-amerikane do të fillojë edhe më herët, sapo të shpërthejnë demonstratat e marsit të vitit 1981 me kërkesën për republikën Kosovës, që nga politika e atëhershme jugosllave u karakterizua si “kërkesë armiqësore” me prapavijë kundërrevolucionare për ç’gjë, nga dy kryesitë e vendit (ajo e shtetit dhe e partisë) edhe u aprovua platforma politike për Kosovën, që i hapi rrugën diferencimit shumëvjeçar, si një proces që çoi te privimi i popullatës së Kosovës nga të drejtat kushtetuese si dhe diskriminimi i saj mbi baza nacionale në përputhje me planet hegjemoniste të Beogradit që Kosova të rikthehej nën tutelën e siç ishte në kohën e Rankoviqit, pra të humbte pozitën e elementit konstituiv të federatës jugosllave që ia garantonte kushtetuta e vitit 1974. Diskriminimi kushtetues i shqiptarëve si dhe dënimet drakonike që pasuan për vite u përcollën me reagime nga Liga Shqiptaro-Amerikane në planin e brendshëm, pra të lobimit te politika amerikane (senatorët dhe kongresmenët), që t’i kundërvihet kësaj fushate, po edhe të merren parasysh kërkesat e shqiptarëve për avancimin e pozitës së tyre kushtetuese në federatë, si dhe ngritjen e saj si çështje të pazgjidhur në planin e ndërkombëtar. Në këtë drejtim vihet me të drejtë në spikamë roli i ish kongresmenit amerikan me prejardhje arbëreshe, Joe DioGuardi, i cili udhëhoqi Ligën Qytetare Shqiptaro-amerikane nga vitet 1985-1993. Gjatë kësaj kohe, në Kongresin amerikan u sollën disa rezoluta, me të cilat u kërkua rikthimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në përputhje me atë të vitit 1974 si dhe ndalja e represionit ndaj popullatës shqiptare, që pas vitit 1990 e këndej, gjithnjë e më shumë po merrte përmasat e një aparthejdi të hapur. DioGuardi dhe lobi shqiptaro-amerikan, i dhanë ndihmë të madhe edhe lëvizjes kombëtare për liri, demokraci dhe pavarësi nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989 dhe në vazhdimësi, duke përkrahur atë dhe konceptin e saj të rezistencës aktive institucione (me shtetin paralel) deri te rezistenca e armatosur.
Në këtë libër, me fakte, argumentohet puna e madhe e Ligës Qytetare Shqiptare-amerikane nën drejtimin e Joe Dioguardit, me ç’rast sillen thuajse të gjitha dokumentet meritore që iu drejtuan senatit dhe kongresit amerikan, pastaj kongresmenëve dhe senatorëve të rëndësishëm që dhanë ndihmesë të madhe e të vazhdueshme që çështja e Kosovës të kthehet në prioritet të politikës amerikane nga ai juridik e deri te politik.
Në tersi, ky libër, si i tillë, sjell informacion autentik nga veprimtaria e Ligës Shqiptaro-amerikane në dobi të çështjes së Kosovës nga shfaqja e saj në vitet e tetëdhjeta e deri te faza dinamike e angazhimit amerikan për të, angazhim ky që ia hapi dyert ndërhyrjes ushtarake, protektoratit, dhe së fundi, edhe shpalljes së pavarësisë së saj.
Libri, i tillë, megjithatë, krahas faktimit të një angazhimi konkret në rrethanat e caktuara, sjell edhe mesazhe të qarta rreth domosdosë që lobi shqiptaro-amerikan të aktivizohet edhe në rrethanat e tanishme në mënyrë që politika amerikane të vazhdojë mbështetjen për konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës, veçmas në raport me sfidat e mëdha me Serbinë, e cila po mundohet që me lobimet e shumta në Kongres dhe Senat, shtetësia e Kosovës të pengohet që të fitojë edhe legjitimitetin e plotë ndërkombëtar përmes njohjeve dhe pranimit në OKB. /KultPlus.com

Të ngjajshme