Ndre Mjeda, poeti i ‘Vajit të Bylbylit’ dhe figura poliedrike e Rilindjes Kombëtare

1 Gusht, 2025 - 5:48 pm

Më 1 gusht të vitit 1937 u nda nga jeta kleriku, teologu, poeti, gjuhëtari, deputeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Dom Ndre Mjeda.

Mjeda ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, i afirmuar si njeri me dije poliedrike dhe veprimtari në shumë fusha, megjithatë, u diplomua doktor në Teologji dhe Filozofi nga Universiteti Pontifik Gregorian, më 20 tetor 1931.

Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866, në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në atdhe, Mjeda u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Ishte viti 1901 kur bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.

Mes të tjerash, Dom Ndre Mjeda ishte anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes në Kongresin e Manastirit, i zgjedhur në 1908-ën, si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin. Në kujtesën popullore ai mbetet si poeti i “Vajit të Bylbylit”, botuar më 1887./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme