Në 122 vjetorin e lindjes përkujtohet Sejfulla Malëshova

2 Mars, 2022 - 11:00 pm

Më 2 mars 1900 lindi Sejfulla Malëshova, i cili ka qenë sekretar i kabinetit në qeverinë Noli.

Muzeu Historik Kombëtar solli faktet e jetës dhe veprimtarisë së tij në 122-vjetorin e lindjes.

Malëshova ishte ndër komunistët e parë, përkthyes dhe letrar shqiptar. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin “San Demetrio di Corona”. Këtu së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën Studenti Shqiptar, në të cilën botoi edhe vjershat e tij te para.

Më pas ndoqi Fakultetin e Mjekësisë në Romë. Në gjysmën e dytë të vitit 1924 ishte kryesekretar i kabinetit të qeverisë së Fan Nolit. Pas dështimit të Lëvizjes së qershorit emigroi në Bashkimin Sovjetik. Më 1926-1930 ndoqi universitetin Lemonosov të Moskës për filozofi.

Në qershor të 1928 seksioni ballkanik i Kominternit miratoi formimin e një partie komuniste në Shqipëri. Malëshova qe pjesë e programit, për të përkthyer tekstet në bashkëpunim me Llazar Fundon dhe Fan Nolin. Më 1931 bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ndërsa dy vjet më pas u emërua pedagog në universitetin ku kishte studiuar. Në vitin 1934 pranohet në Komintern dhe me këtë detyrë kthehet më 1943 në Shqipëri dhe zgjidhet anëtar i Shtabit të Ushtrisë NAÇL dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit. Më 1944-1946 anëtar i KANÇ-it.

Më 1944 kreu detyrën e ministrit për Shtypin, Propagandën dhe Kulturën Popullore. Më 1946-50 u zgjodh deputet. Më 1946-48 u zgjodh anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Më 1946-47 Ministër i Arsimit si dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pas kësaj u denigrua vazhdimisht për pikëpamjet e tij “oportuniste” dhe u dërgua të punojë punë të ulta. Prej vitit 1956 u vendos në Fier, ku punoi si magazinier. Më 11 qershor 1971 Sejfulla Malëshova u nda nga jeta. / KultPlus.com

Të ngjajshme