Në Bibliotekën e kryeqytetit PEN Qendra e Kosovës trajtoi dy tema letrare 

5 Shkurt, 2024 - 5:57 pm

Sot, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, në Bibliotekën Komunale të Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, mbajti takimin e radhës me ç’rast u debatua për dy tema.

Tema e parë ishte “ Vlerësimi kritik i veprës letrare” dhe rreth saj foli profesori universitar, Anton Berishaj, ndërsa në temën e dytë ”Si shkruhet romani”, mendimet e veta i paraqiti shkrimtari, Gëzim Aliu.

Takimin, në të cilin morën pjesë studentë të Degës së Letërsisë Shqipe dhe dashamirë të fjalës së shkruar, e moderoi profesor Milazim Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë që ka kritika në promovimin dhe në jetëgjatësinë e romanit e përgjithësisht të librit dhe për romanin si ushqyes të kritikës. Lidhur me këtë ai mori disa shembuj nga letërsia botërore dhe nga letërsia shqipe. 

Duke folur rreth vlerësimit kritik të letërsisë, profesori Anton Berishaj, ndër të tjera, tha:  

“Që nga fillet e mendimit sistematik për letërsinë është shtruar çështja e vlerës dhe e vlerësimit të saj (Platoni, Aristoteli…). Në shekullin XX, me konstituimin e dijes letrare sistematike dhe “autonome” – formalizmi, strukturalizmi, semiotika… – vlera estetike/letrare është parë si e domosdoshme dhe dominante, pra si vlerë intrinsike që e definon letërsinë si të tillë (forma, struktura, stili, narracioni, letrarësia…), edhe pse (posaçërisht te strukturalizmi kjo është vënë shpesh nën thjerëzat e dyshimit teorik). Në anë tjetër, ndërkaq, posaçërisht te qasjet semiotike (Jan Mukarzhovski, Lotmani etj.) janë evidentuar edhe të ashtuquajturat vlera jashtestetike: vlerat e ekzistencës, vlerat intelektuale/kognitive, etike, sociale, religjioze, politike, ideologjike…, të cilat shpesh si elemente strukturale të vetë veprave letrare janë parë të pashkëputshme nga vlera e tyre estetike/letrare, duke e theksuar vazhdimisht se në dimensionin e funksionit të tyre ato shpesh kanë qenë kusht i domosdoshëm që veprat e artit dhe të letërsisë të konsiderohen si të tilla”. 

Më tutje, Berishaj theksoi se “ ky dualizëm i vazhdueshëm epistemologjik, i cili projektohet edhe te dimensioni ontologjik i artit/letërsisë, është aktualizuar edhe në estetikën normativiste. P.sh. Gordon Graham konstaton se shpjegimi i vlerës së artit në këtë kontekst do duhej të kishte përparësi në relacion me përkufizimin se çfarë është arti (relacioni i artit me kënaqësinë, emocionet, njohjen…)”, duke marrë disa shembuj karakterizues nga vepra të ndryshme letrare”.

Ndërsa rreth temës “Si e shkruaj romanin”, shkrimtari Gëzim Aliu ndër të tjera theksoi: 

“Të shkruarit letrar, artistik, nuk është sikur të prodhuarit e një makine shërbyese, këtë besoj e di çdokush. Çfarë i shtynte njerëzit parahistorikë të vizatonin në shpella, të vendosnin shuplakat e tyre në shkëmb e të hidhnin ngjyrë?! Është dëshira, therja e brendshme për ta treguar praninë në jetë, therja e dëshira për të komunikuar me të tjerët edhe kur nuk i njeh. Por, nuk është vetëm kjo therje, kjo dëshirë, është edhe përpjekja për ta ndërtuar veten, për ta zgjatur veten, për të qenë emri dhe mbiemri që mbase do të lexohet edhe në të ardhmen. Pyetja ‘Pse shkruaj’ nuk ka përgjigje të saktë, po ashtu siç nuk ka përgjigje të saktë pyetja ‘Pse është jeta’. Do të mund të mos ishte e kurrë nuk do ta kishim marrë vesh.

Si shkruaj? Për këtë mund të flas shumë më saktë”.

Në vazhdim të diskutimit të tij, Aliu përmendi edhe shumë aspekte me interes që ndërlidhen me procesin e të shkruarit të romanit, duke shtuar se: “Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit. Gjithçka mund të ndezë një shkëndijë dhe kjo shkëndijë mund të ndriçojë një ide, dhe këtë ide e shkruaj, gjithsesi duhet ta shkruaj, sepse mund të zhduket në errësirën e asgjësë shumë shpejt. Pas një kohë e shoh idenë e shkruar, që nganjëherë bëhet edhe skicë, shoqëruar ndonjëherë edhe me ndonjë vizatim. Idenë e mbjell në imagjinatë dhe nëse e shoh që ka kapacitet për t’u shndërruar në diçka më të madhe, tregim ose roman, vazhdoj të punoj”.

Gjithashtu, i dalloi edhe rëndësinë e imagjinatës dhe të ideve, për të arritur te konstatimet se: “Potenca e idesë për t’u shndërruar në krijim letrar, pasi të mbillet në imagjinatë, është shenjë se duhet punuar intensivisht. Ideja rritet, e ushqen njeriun kryesor të krijimit letrar, personazhin, i cili apo e cila, posa të ndihet gjallë, fillon të veprojë, veprimi dhe ndërveprimi i tij me personazhe të tjerë shkakton ngjarje e ngjarjet shkaktojnë storie e storiet bëhen roman”.

Studenti i Degës së Letërësisë Shqipe, Albin Shala, u interesua për fokusin e kritikës letrare dhe për fenomenin si zhvillohet imagjinata, për të cilat mori përgjigje nga panelistët. 

Në fund të aktivitetit u dhuruan libra për të gjithë pjesëmarrësit.

Projekti kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Të ngjajshme