Në bibliotekën “Musine Kokalari”, një dritare drejt botës së pafund të librit

8 Tetor, 2019 - 11:15 am

Muaji tetor është pagëzuar ndryshe dhe si muaji i leximit. Më shumë se më parë, atmosfera e këtij muaji ka mbushur bibilotekat publike ku numri i lexuesve ka njohur rritje. Sallat janë gjallëruar nga grupmosha të ndryshme, përveç të abonuarve të përhershëm që nuk presin muajin e leximit për të përpirë fletët e librave.

Në kuadër të nismës së ndërmarr nga ministria e Kulturës për muajin e leximit shihet një interes i qytetarëve për frekuentimin e bibliotekave.

Biblioteka përbën një institucion të veçantë në jetën e njeriut. Nuk është thjesht vendi ku ti merr libra për të përmbushur detyrimet shkollore apo të profesionit. Brezat e nisin aty  ëndërrimin për jetën, që fëmijë kur kanë fatin të edukohen nga prindërit me dashurinë për librin. Më pas, sallat e bibliotekës shndërrohen në pasion studimi, shfletim i shtypit të përditshëm, thellim i njohurive por edhe socializim me njerëz të tjerë që kanë të njëjtën qasje.

Libri është një thesar i veçantë  në jetën e çdokujt pasi një libër i lexuar është një dritare e hapur drejt botës së madhe, të cilën nuk të del koha e jetës ta shohësh e prekësh të gjithën.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte sot në mjediset e bibiliotekës publike “Musine Kokalari”, në kryeqytet. Qytetarët kishin mbushur bibliotekën, ndërsa mësojmë se në kuadër të këtij muaji kjo bibliotekë po frekuentohet nga një numër i madh qytetarësh të cilët janë të grupmoshave të ndryshme që nga parashkollorët e deri tek mosha e tretë.

Interesant në këtë vend ishte dhe takimi me një zotëri të moshuar i cili po shfletonte një libër historik. Fjalët e tij ishin frymëzim: Njeriu kurrë nuk duhet të ngopet së lexuari pasi libri të rinon mendjen dhe shpirtin.

Gjatë këtij vëzhgimi për ATSH-në, Julian Myftari, pedagog filozofie politike tregoi se e frekuenton shpesh këtë bibilotekë. “Kjo për shkak dhe të profesionit tim si pedagog për të lexuar literaturë shkencore dhe materiale të ndryshme që më nevojiten”, theksoi ai.

“Në këtë bibliotekë unë gjej ngrohtësinë e stafit i cili më orienton gjithmonë drejt atyre titujve që unë kërkoj. Unë i frekuentoj disa herë në javë bibliotekat pasi janë vende ku njeriu futet në një dimension tjetër mes librit dhe leximit. Shoh një rritje interesi nga brezi i ri për librin dhe ky është një sinjal pozitiv ç’ka tregon se libri nuk shihet thjesht si kopertinë por shfletohet dhe bëhet pjesë e mendimit dhe perceptimit të tyre”, u shpreh Myftari.

Eltjana një nxënëse 11 vjeçare u shpreh për ATSH-në se e frekuentonte këtë bibliotekë nga e hëna në të premte çdo ditë.

“Lexoj shumë libra me përralla dhe ato me poezi sepse më pëlqejnë shume dhe duket sikur prek nga afër personazhet e mia të preferuara”. Eltjana dha dhe një mesazh për gjithë bashkëmoshatrët e saj kur u shpreh se, “se nëse lexoni shumë do bëheni më të ditur”.

Në këtë bibliotekë gjatë vëzhgimit të ATSH-së takuam dhe me një përkthyes librash artistik i cili ishte një mysafir i përhershëm në këtë bibliotekë dhe ajo ç’ka të bënte përshtypje nga rrëfimi i tij ishte adhurimi që ai kishte për letërsinë dhe leximin si proces duke e quajtur madje dhe diellin e mendjes.

“Leximi është një mrekulli pasi njeriu arrin të përfitojë shumë gjëra të cilat nuk mund t’i marr dot nëpërmjet komunikimit. Përmes leximit përballesh me viganë të mendimit njerëzor. Pa lexim është e pamundur që një shoqëri të ecë përpara. Leximi është diell, është një ndriçim i jashtëzakonshëm për mendjet njerëzore. Në jetë duhet ta vendosësh veten gjithmonë si nxënës pasi kemi ende shumë për të mësuar”, tha për ATSH-në Klodian Briçi, përkthyes.

Briçi tha se, “unë kryesisht lexoj letërsi artistike kjo për shkak të profesionit dhe i frekuentoj shpesh bibliotekat pasi në këto vende gjej qetësinë e mendimit dhe futem më thellë në botën e personazheve”. Pra, për të, biblioteka është një vendtakim mjaft interesant mes imagjinatës së vet dhe personazheve të librave që shfleton’’.

“Një mesazh i imi në kuadër dhe të muajit të leximit për brezin e ri është që të vazhdojë të lexoj sepse leximi zhvillon trurin, zgjat jetën dhe të rrit profesionalisht pra njeriu duhet të jetë një nxënës i përjetshëm që të ecë përpara në jetë dhe kjo arrihet përmes librit dhe leximit”, u shpreh Briçi.

Alketa Xhelili, bibliotekare e “Musine Kokalarit”, tha për ATSH-në se, “kët mjedise mirëpresin çdo ditë 20-25 lexues në sallë dhe mbi 30 lexues që janë të pajisur me librezë anëtarësie. Numri i të anëtarësuarve në bibliotekën tonë arrin 972 deri më tani dhe ky numër do vijojë të rritet për shkak të kërkesave të shumta nga qytetarët për lexim”.

“Kjo bibliotekë frekuentohet nga grupmosha të ndryshme që nga parashkollorët që vijnë të organizuar nga kopshtet e tyre e deri tek mosha e tretë”, tha Xhelili.

Në kuadër të këtij muajit të leximit, frekuentimi në këtë bibliotekë është në rritje ku vihet re një interes i shtuar nga të rinjtë dhe sidomos nga grupmoshat më të vogla të cilat po afrohen më shumë me librin kjo dhe për shkak të nismave të ndërmarra nga institucionet përkatëse.

Kjo bibliotekë ka një sërë titujsh duke nisur që nga librat me poezi e deri tek ato historikë dhe ato shkencorë të cilët preferohen nga një lexues pak më elitar si nga pedagogët të cilët i shfrytëzojnë për temat e tyre të të doktoraturës.

Mosha e tretë në këtë bibliotekë ka një interes për librat historikë dhe ato bibliografikë.

Fëmijët ato të grupmoshave më të vogla lexojnë libra artistikë ku njihen me personazhet e tyre të dashur dhe gjithashtu e shfrytëzojnë këtë bibliotekë dhe për të bërë detyrat pasi ambientet këtu janë mjaft mikpritëse dhe duken se i ftojnë të gjithë të shijojnë këtë vend mjaft interesant që fare mirë mund të quhet dhe një shtëpi e ngrohtë libri.

Personeli po ashtu bën kërkesë që kjo bibliotekë të pasurohet me tituj të ri pasi dhe lexuesit kanë kërkesa gjithmonë në rritje për libra të rinj.

Bibliotekat publike në Tiranë janë kthyer në hapësira multifunksionale, ku përveç leximit dhe ofrimit të librave, zhvillojnë shumë aktivitete.

Gjatë muajit të leximit në këtë bibliotekë do organizohen aktivitet nga parashkollorët e deri tek shkollat e mesme aktivitete këto të cilat kanë qëllim afrimin e brezit të ri me librin si dhe socializmin e këtyre brezave me njëri-tjetrin.

Kënaqësinë që ta jep libri nuk ta jep as televizioni as tabletat. Ky është mesazhi që vjen nga biblioteka “Musine Kokalarai”, që synon të nxisë sidomos brezin e ri të kthehet në ëndërrimet dhe botën e pafund që hapin faqet e një libri. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme